Kafeina? Nëse merret në mënyrë të moderuar, konsiderohet të jetë një konkurrent natyral e pilulës blu të përdorur kundër disfunksionit erektil. Kush konsumon 85-170 mg në ditë, pra 1-2 kafe, ka 42% më pak mundësi për të pasur probleme me
disfunksionin erektil krahasuar me kë nuk konsumon, ndërsa kush konsumon mes 171-303 mg kafeinë ka 39% më pak mundësi.
Kjo del nga një studim i kryer nga Universiteti i Teksasit, i publikuar në revestën “Plos One”. Sipas studimit efekti i dedikohet faktit që kafeina aktivizon një sërë mekanizmash, që nga ana e tyre nxisin arteriet e penisit të qetësohen, duke shtuar fluksin e gjakut. Për të dalë në këtë përfundim, studiuesit analizuan të dhënat e rreth 4000 burrave, duke vlerësuar sasinë e kafes, çajit, pijeve të gazuara dhe pijeve sportive që konsumonin mesatarisht çdo ditë: kjo u lejoi të arrinin në përfundime se edhe në rastin e personave mbipeshë, obez apo me hipertension, të gjithë faktorë rreziku për zhvillimin e disfunksionit erektil, vëreheshin përmirësim me pirjen e një apo dy filxhanëve kafeje në ditë.
“Kemi parë një ulje të prirjes për disfunksionin erektil tek meshkujt obezë, mbipeshë apo me hipertension, por një gjë e tillë nuk u vu re tek personat e prekur nga diabeti. Diabeti është një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut për disfunksionin erektil, ndaj një gjë e tillë nuk është e habitshme”, shpjegon dr. David S. Lopez, autor i studimit./ Përgatiti për “Shëndet+”: Gridi Shehu


