Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Sektori BPO, rol të rëndësishëm në punësimin e të rinjve

Sektori BPO, rol të rëndësishëm në punësimin e të rinjve

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, punësimi pësoi rritje në sektorin e shërbimeve me 0,8 % dhe në sektorin e industrisë me 1,1 %, ndërsa në sektorin e bujqësisë mbeti në të njëjtin nivel. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë të 2019-s, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0,6 %.

Sektori i Shërbimeve (BPO) në vendin tonë po njeh një zhvillim impresionues, duke u kthyer në motorin e zhvillimit ekonomik. Në dekadën e fundit janë më shumë se 30 mijë të rinj që janë punësuar në sektorin e ICT dhe në sektorin e nënkontraktimeve të biznesit “outsource” BPO.

Duke e parë si një burim shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë, sektori BPO  ka marrë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, si dhe është vënë në fokus të shoqatave për mbrojtjen dhe lobimin në emër të përfaqësuesve të këtij sektori. Shoqata Shqiptare e Shërbimeve të Biznesit ( Albania Business Services Association- ABSA), prej disa vitesh po punon në sektorin e BPO-së në promovimin, dëgjimin dhe lobimin e tyre brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, në një kuptim më të gjerë të potencialit të përfitimit që të tilla industri sjellin. “Mungesa e një përfaqësimi efektiv i BPO-ve në tregun e operimit ka qenë pikërisht një prej shtysave që një pjesë e këtij anëtarësimi ka zgjedhur të identifikojë veten e tyre nëpërmjet nesh. ABSA nuk është organizata e një grupi të ngushtë biznesesh dhe punëdhënësish, por zëri i interesave dhe oportuniteteve të industrisë”, është shprehur më herët drejtuesja e ABSA, znj. Arjodita Rraboshta.

FIAA: Sektori BPO, nevojiten incentiva nga shteti, i rëndësishëm për punësimin e të rinjve

Megjithatë, ky sektor po përballet me problematikat që sjell klima e biznesit në Shqipëri. Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka realizuar një vëzhgim për mjedisin e biznesit 2019, të zhvilluar me anëtarët e saj, që janë sipërmarrjet më të rëndësishme në vend, si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës etj.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus”, Marinela Jazoj, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri ka folur lidhur me të dhënat e këtij anketimi mjaft të rëndësishëm, duke përfshirë edhe sektorin BPO.

Znj. Jazoj, Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka prezantuar rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019, cilat kanë qenë të dhënat që kanë dalë nga ky raport? Si paraqitet klima e biznesit? A ka ndonjë të dhënë për sektorin BPO?

Anketa u zhvillua me anëtarë të FIAA-s, të cilat janë bizneset më të rëndësishme të huaja në vend, që operojnë në industri të ndryshme si: energjia, nafta, mineralet, bankat, telekomunikacioni dhe teknologjia, manifaktura etj.

Vlerësimi i këtyre kompanive për klimën e biznesit në vend gjatë gjashtë muajve të parë të vitit ishte disi i pafavorshëm. Gjithsesi, në vlerësimin për 6 muajt e ardhshëm, pritshmëritë duket të jenë pak më pozitive, me indeksin në rritje. Rezultatet e anketës te cilat u vlerësuan si më shqetësueset ishin probleme të tilla, si monopolet, korrupsioni dhe konkurrenca e pandershme, burokracia në administratën publike dhe ekonomia informale.

Megjithatë, vlerësime pozitive u hasen në politikat e sistemit bankar, aksesin në financë, rregullat e punës, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe furnizimin me energji. Gjithashtu, marrëdhëniet me doganat dhe qeverinë qendrore u vlerësuan me përmirësime. Sigurisht që pjesë e të anketuarve në anëtarësinë e FIAA-s kanë qenë edhe kompani të sektorit të BPO-ve, por ne nuk mund të kemi një vlerësim të veçuar të këtij sektori pasi çdo përgjigje është vlerësuar si pjesë e të tërë anëtarësisë duke respektuar kështu anonimitetin e kompanive dhe të përgjigjeve të tyre.

Sektori BPO, çfarë vendi zë në fushën e investimeve të huaja?

Shqipëria është një vend atraktiv për zhvillimin e sektorit të BPO-ve, për shkak të forcës së re punëtore dhe aftësitë në përdorimin e gjuhëve te huaja, në mënyrë të veçantë asaj italiane. Aktualisht në Shqipëri, tregu i BPO-ve dominohet nga investitorë italianë, të përqendruara në call center, por së fundmi edhe në shërbime të tjera të teknologjisë së informacionit. Gjithsesi, këto biznese nuk zënë ndonjë peshë në investimet e huaja pasi i vetmi kapital që ato sjellin është “Know How” por kanë rëndësi pasi zënë peshë në punësimin e të rinjve në vend me rreth 30,000 të punësuar.

Ju si shoqatë që punoni në vazhdimësi për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, si e shihni të ardhmen e BPO në vendin tonë?

Megjithëse është vërejtur interes për të investuar në sektorin e BPO-ve nga disa kompani të njohura në botë, mungesa e cilësisë së forcës punëtore dhe njohuria e kufizuar e gjuhëve te kërkuara siç janë ajo gjermane apo angleze ka frenuar investimet e tyre në vendin tonë. Gjithashtu për zhvillimin më tej të këtij sektori nevojiten incentiva nga shteti. Që kompanitë ekzistuese të bëhen më konkurruese, ato duhet të mbështeten drejt ofrimit te shërbimeve të reja dhe të investimit në teknologji të reja e cila do ti bënte më konkuruese në tregun rajonal.

Sektori i shërbimeve të nën-kontraktuara (BPO) të tilla si Call Center, Teknologjia e Informacionit, kontabiliteti etj., është një mundësi biznesi që po lulëzon, por nevojiten politikat zhvillimore të koordinuara, burime njerëzore të specializuara të cilat do të ndihmonin zhvillimin e sektorit drejt vlerës më të lartë të tij. Ekspertet e sektorit kanë sugjeruar gjithashtu për një rritje të partneritetit të universiteteve me sektorin privat dhe Zyrat e Punës nëpërmjet forcimit të rolit të Zyrave të Karrierës në internshipe, praktika dhe punësim të studentëve në mënyrë që te rritet cilësia e forcës punëtore.

A kemi ne shembuj suksesi investimesh, në sektorin BPO, që kanë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit? Brenda këtij sektori, cila është fusha që sjell më shumë shembuj suksesi?

Ndër Operatoret të cilët zënë peshë në vend me punësimin dhe teknologjinë e sjellë jane kompani si: IDS, Local Eyes, Albania Marketing Service, Albacall e të tjera. Keto kompani ofrojnë shërbime për Klientë të përmasave të mëdha si Apple, Google, Vodafone, Ebay, Amazon, etj.

Mendoj se jemi ende herët për të folur për shembuj të mirëfilltë suksesi./ Together for Life

Shoqata Albanian Business Services Association(ABSA) në partneritet me Shoqata Together for Life(TFL) kanë filluar zbatimin e projektit “Mbështetje sektorit BPO” përmes kuadrit ligjor, avokimit dhe lobimit me qëllim rritjen ekonomike dhe punësimin”, me mbështetjen e projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpinim (SDC), RISIAlbania.

Qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i sektorit BPO përmes lehtësimit të politikave të biznesit me qëllim rritjen ekonomike dhe të punësimit./ Together for Life

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here