Sëmundja e Parkinsonit, si të dallojmë shenjat e para

D.SH.M. Altin Kuqo, mjek neurolog, në Shërbimin e Nerurologjisë, QSUT

Sëmundja e Parkinsonit shfaqet në mënyrë graduale dhe dëmton ato funksione të trupit që përcaktohen ndryshe si “funksionet motore të njeriut”, ku përfshihen ecja, përdorimi e duarve, të folurit, të qëndruarit në këmbë, mimika, etj. Kjo sëmundje nuk ka shenja tipike me të cilat mund të identifikohet që në zanafillë dhe fillimisht shkakton lodhje, këputje, dhimbje të kyçeve dhe krahëve.

D.SH.M. Altin Kuqo, mjek neurolog në shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shpjegon kur nisin të shfaqen shenjat tipike të kësaj sëmundje, si pengesa në lëvizje, ngathtësia e lëvizjes gjatë mbërthimit dhe zbërthimit të kopsave, apo pamundësia për të shkruar, atëherë kuptojnë që ka diçka që nuk shkon dhe duhet patjetër të drejtohemi tek mjeku. Një shenjë tjetër, përveç ngathtësisë, është dridhja. Pacientëve u dridhen duart zakonisht në qetësi dhe kjo dridhje pushon gjatë kryerjes së një veprimi të caktuar. Është një dridhje karakteristike, e cila fillon në fazën e parë, kryesisht tek njëri krah më pas përhapet edhe tek tjetri.

Çfarë është sëmundja e Parkinsonit?

Sëmundja e Parkinsonit është sëmundja më e shpeshtë që sjell çrregullime të lëvizjes në moshën e tretë. Ajo ka të bëjë me shkatërrimin e disa qelizave nervore, që ndodhen në një zonë të trurit që quhet (substantia nigra) dhe janë përgjegjëse për prodhimin e një substance që quhet dopaminë dhe shërben si transmetues sinjali për kryerjen e lëvizjeve të ndryshme. Pra ka të bëjë me atë që përcaktohet ndryshe si funksionet motore të njeriut, ku përfshihen ecja, përdorimi e duarve, të folurit, të qëndruarit në këmbë, mimika etj. Është një sëmundje, e cila zakonisht prek moshën e tretë, ku pikun më të lartë të fillimit e ka rreth moshës 60-65 vjeç dhe me rritjen e moshës, shenjat e parkinsonit sa vijnë edhe shtohen. Rreth 1% e personave mbi 60 vjeç preken nga sëmundja e parkinsonit. Burrat preken 1.5 herë më shumë se femrat. Por, ka edhe forma më të rralla, të cilat fillojnë në mosha më të reja. Nga përvoja mund të them se ka pacientë tek të cilët kjo sëmundje ka filluar në moshën 20-vjeçare, në të tilla raste faktori gjenetik është i mirëpërcaktuar dhe kjo përbën 10% të rasteve me parkinson. Pra, nëse kemi të bëjmë me një person që vuan nga parkinsoni dhe që në familjen e tij ka pasur të tjerë që po ashtu kanë vuajtur nga kjo sëmundje, predispozita e shfaqjes në brezin tjetër është më e lartë.

Cilat janë shenjat e para të fillimit të kësaj sëmundje?

Nuk ka një shenjë tipike për fillimin e Parkinsonit. Shfaqja e shenjave është aq graduale dhe e butë, sa shpeshherë pacientët drejtohen nëpër specialistë të ndryshëm për të kuptuar pse kanë lodhje, këputje, dhimbje të kyçeve, krahëve etj. Pastaj, kur nisin të shfaqen shenjat tipike, të tilla si pengesa në lëvizje, ngathtësia e lëvizjes gjatë mbërthimit apo zbërthimit të kopsave, apo kur janë duke shkruar, atëherë kuptojnë që ka diçka që nuk shkon dhe i drejtohen mjekut neurolog. Një shenjë tjetër, përveç ngathtësisë, është dridhja. Pacientëve u dridhen duart zakonisht në qetësi dhe kjo dridhje pushon gjatë kryerjes së një veprimi të caktuar. Është një dridhje karakteristike, e cila fillon në fazën e parë, kryesisht te njëri krah më pas përhapet edhe te tjetri. Në këtë moment nisin të kenë edhe vështirësi në ecje, ajo realizohet me hapa të ngadaltë dhe të vegjël. Kanë vështirësi për të mbajtur qëndrimin drejt dhe nisin të kërrusen. Një pozicion ky tipik për të moshuarit që vuajnë nga Parkinsoni. Humbin lëvizjet bashkëshoqëruese dhe fytyra merr pamjen e një maske. Të gjitha këto vijnë gradualisht dhe nuk shfaqen asnjëherë që në fillim dhe me kalimin e kohës vijnë duke u shtuar. Përveç shenjave që përmendëm më sipër, të cilat janë tipike për sëmundjen e Parkinsonit, ka edhe shenja të tjera që nuk lidhen direkt me sëmundjen, por që vijnë si pasojë e evoluimit progresiv të sëmundjes. Këto shenja kanë të bëjnë me çrregullime të shëndetit mendor, lodhje, depresion etj. Komplikacioni më i madh që sjell sëmundja e parkinsonit është humbja e funksioneve të aktivitetit të përditshëm. Pra, një person fillon të mos ecë normalisht, të mos vishet vetë, të mos ushqehet dot, këto janë komplikacione shumë të mëdha dhe është pikërisht kjo arsyeja që e bën sëmundjen e Parkinsonit të vështirë dhe të sikletshme, jo vetëm për personin që vuan, por edhe për njerëzit të cilët jetojnë me të.

A ka mundësi të parandalohet?

Jo. Fatkeqësisht, në asnjë rast nuk mund të parandalohet. Nuk ka asnjë test paraprak, qoftë analizë gjaku, test imazherik, test klinik, i cili të parashikojë nëse një person i caktuar do të vuajë nga parkinsoni ose jo. Përveçse në rastet ku është e përcaktuar gjenetikisht, pra nëse ka një histori familjare. Por edhe në këto raste, nuk bëhet fjalë për ta parandaluar këtë sëmundje. Për vendosjen e diagnozës së sëmundjes së Parkinsonit vlerën më të madhe e ka vizita me mjekun specialist neurolog, i cili ndihmohet nga historia e shfaqjes së shenjave, observimi i vëmendshëm i këtyre shenjave, si dhe ekzaminimi neurologjik objektiv i kujdesshëm. Analizat dhe ekzaminimet e tjera imazherike kanë më shumë vlerë për të përjashtuar sëmundje të tjera me simptomatologji të ngjashme./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Kur stresi i provimeve bëhet i rrezikshëm për fëmijën tuaj – si ta dalloni dhe si ta ndihmoni
Rutina e përditshme që forcon trurin dhe përmirëson kujtesën
Shenjat e fshehta që tregojnë se harresa mund të jetë shqetësuese
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Sjellja që praktikojnë prindërit por që mund të ndikojë shëndetin mendor të fëmijëve të tyre
Ekspertët e Harvardit paralajmërojnë se katër zakone të zakonshme po dëmtojnë trurin tonë
Sinjalet e depresionit, psikiatrit bëjnë apel të mos neglizhohen këto ankesa