Bisedoi: Elona Tereziu
“Një pacient me diabet është një pacient me risk të lartë kardiovaskular. Shumë prej tyre bëjnë ishemi të heshtur megjithëse mund të kenë ngushtim të rëndësishëm të arterieve koronare”.
Kështu shprehet për gazetën Shëndet + mjekja kardiologe pranë Spitalit Continental, Anila Rexha.
Teksa flet për një prej sëmundjeve shkaktare kryesore të vdekjeve në botë, ajo e vë theksin tek faktorët që çojnë në shfaqjen e sëmundjes si dhe në menaxhimin e faktorëve të riskut ku thekson në mënyrë të vecantë që nëse sëmundja kapet në kohë, është mjaft mirë e trajtueshme.
Çfarë është sëmundja ishemike e zemrës?
Sëmundja ishemike e zemrës vjen si pasojë e ngushtimit të arterieve koronare që ushqejnë muskulin e zemrës me gjak. Ky ngushtim shkaktohet nga krijimi i pllakave atereoskleretike mbi paretet e arterieve.
Pasoja të saj janë ishemia e muskulit të zemrës (kur arteria ngushtohet 50-75%) dhe infarkti kur arteria mbyllet plotësisht.
Ishemia është faza e hershme e sëmundjes kur pacienti fillon të prezantojë simptoma të natyrës së dhimbjes, të marrjes së frymës, çrregullime të ritmit të cilat kryesisht shfaqen me sforco fizike apo gjendje emocionale të rënduara. Ndërsa faza e infarktit është faza që shfaqet me dhimbje të forta kraharori dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për hospitalizim të pacientit.
Cilët janë shkaktarët, çfarë ndikon në shfaqjen e kësaj sëmundje?
Sëmundja ishemike e zemrës, përpos të gjitha masave që sot sot meren për ta parandaluar e trajtuar, vijon të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë. Sigurisht në këto statistika për fat jo të mirë bën pjesë edhe vendi ynë, megjithatë pjesa kryesore e atyre që konsiderohen si faktorë risku për sëmundje koronare, janë të modifikueshëm.
Ndër këta faktorë rendisim: Hipertensionin arterial, diabetin, yndyrnat e rritura në gjak, duhanpirjen, mbipeshën, mungesën e aktiviteti fizik, mënyrën e të ushqyerit etj. Vlerësimi i këtyre faktorëve në kohë, ul në mënyrë të rëndësishme propabilitetin e shfaqjes së sëmundjes, vonon kohën e shfaqjes duke rritur jetëgjatësinë e cilësine e jetës.
Ndërkohë që si faktorë rrisku të pandryshueshëm mund të përmendim moshën e cila vlerësohet mbi 45 vjeç për meshkuj dhe mbi 55 për femrat, si dhe trashëgimin për sëmundje të artereve koronare në moshë të re.
Po stresi ndikon?
Sigurisht edhe stresi ndikon, por nuk futet tek faktorët madhorë. Megjithatë, sipas studimeve është përllogaritur që prania e tij në mënyrë të rëndësishme dhe për një kohë të gjatë, mund të jetë gjithashtu faktor kontribues për zhvillimin e sëmundjes së artereve koronare.
Me çfarë simptomash shfaqet kjo sëmundje?
Simptoma e parë është dhimbja e kraharorit përreth zonës së zemrës e cila siç e theksuam dhe më lart shfaqet me sforco fizike. Pra, ndër simptomat e hershme të sëmundjes koronare është prania e dhimbjes së kraharorit apo e një lloj mungese rehatie/diskonforti e lidhur me sforcot fizike. Tipike e saj është që me ndalimin e sforcos fizike dhimbja apo ky diskonforti pushon.
Por mund të mos shfaqet gjithmonë si e tillë, mund të paraprihet dhe nga çrregullime ritmi, vështirësi në frymëmarrje, dobësi trupore. Por simptoma e parë është dhimbja, dhe shpeshherë një dhimbje që përhapet në zonën e qafës apo mes shpatullave, ndonjëherë edhe me mpirje të dorës së majt apo dy tre gishtave të dorës së majtë.
Le të ndalemi pak te diabeti dhe hipertensioni, si dhe sa ndikojnë?
Një pacient me diabet është një pacient me risk të lartë kardiovaskular. Vetë prania e diabetit e kategorizon atë në të sëmurët mjaft të riskuar. Megjithatë kjo nuk është fort dëshpëruese nëse diabeti menxhohet dhe trajtohet mire si në drejtim të medikamenteve, ashtu dhe të stilit të jetesës dhe sigurisht nëse bëhen kontrollet periodike tek mjeku i familjes e ai specialist.
Pavarësisht statistikave, sëmundja koronare është mjaft e trajtueshme kur kapet në fazat e hershme të saj. Përveç parandalimit dhe menaxhimit të faktorëve të riskut, sot ekzistojnë edhe trajtime për fazën e rëndë të sëmundjes si andioplastika apo trajtimi kirurgjikal që është bajpasi.
Diabetikët hyjnë tek kategoria e të sëmurëve që kanë nevojë për kontrolle rutinë, sepse tek pjesa më e madhe e tyre sëmundja ishemike shfaqet me pak ose aspak simptoma. Shumë prej tyre bëjnë ishemi të heshtur, pra megjithëse mund të kenë prani të rëndësishme të sëmundjeve të gjakut, simptomat që ankon i sëmuri janë shumë të “varfra” dhe ndonjëherë edhe fare.
Si mund t’i parandalojmë faktorët e riskut?
Atherë, ne kemi dy kategori që i quajmë parandalim primar pa pasur sëmundje, dhe parandalim sekondar pasi sëmundja është shfaqur.
Parandalimi primar konsiston në menaxhimin e faktorëve të riskut që herët që nuk çon ose çon shumë vonë tek sëmundja. Ndërsa parandalimi primar konsiston në mbajtjen në kontroll të sëmundjes pasi ajo është shfaqur.
Trajtimi i sëmundjes ishemike?
Metodat e trajtimit janë përditë e më të perfeksionuara, si në drejtim të anës medikamentoze, si në drejtim të anës diagnostike, ashtu edhe në drejtim të asaj çfarë njerëzit sot pretendojnë për veten e tyre. Pra, kujdesi për shëndetin ka ardhur në rritje, bashkë me problemet në rritje të sëmundshmërisë. Sot njerëzit kontaktin me mjekun e kanë që në faza të hershme, pra janë më të sensibilizuar dhe një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur sigurisht dhe media./ Shendeti.com.al


