Kryefaqja Lajm kryesor Sëmundjet e veshkave, mjekimi pa barna

Sëmundjet e veshkave, mjekimi pa barna

0
Shpërndaje

Prof. Alketa Koroshi, nefrolog

Sëmundjet kronike të veshkave përbëjnë shumicën dërmuese të sëmundjeve të veshkave në përgjithësi. Ato janë mjaft të përhapura në të gjitha vendet.

Në botë janë mbi 800 milionë njerëz që vuajnë nga sëmundjet e veshkave. Çdo vit vdesin nga sëmundjet e veshkave afro 950 mijë njerëz në rruzullin tokësor. Janë gati 1,5 milionë njerëz që bëjnë Dializë për shkak të humbjes përfundimtare të funksionit të veshkave. Në Shqipëri është llogaritur që janë afro 300 mijë njerëz me sëmundje kronike të veshkave dhe janë afro 900 vetë që bëjnë Dializë.

Shpeshtësia e sëmundjeve të veshkave në kohën e sotme lidhet me përhapjen më të madhe të sëmundjeve të tilla si diabeti dhe hipertensioni, që përbëjnë edhe shkakun kryesor të prekjes dhe dëmtimit të veshkave. Pa dyshim në to ndikojnë ndryshimi i mënyrës së jetesës, jeta sedentare, obeziteti, dietat me shumë kripë, stresi, duhani etj.

Duhet thënë se edhe gjendja e vështirë sociale dhe ekonomike favorizon përhapjen e tyre.

Simptomat

Këto sëmundje kronike të veshkave që në popull njihen me termin “azotemi” kanë si karakteristike që në stadet e hershme janë pa simptoma.

Shumë herë janë analizat e gjakut e të urinës që evidentojnë një rritje të lehtë të kreatininës e të uresë në gjakun periferik apo rrithje të albuminës në analizat e urinës.

Zbulimi i hershëm i sëmundjes

Nga ana tjetër, zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve është me shumë rëndësi për të parandaluar progresionin e sëmundjes, simptomat klinike të shprehura dhe rrezikun e futjes në dializë, siç ndodh në stadet e përparuara të këtyre patologjive.

Duhet ditur që një nga rreziqet më të mëdha të pacienteve me sëmundje të veshkave është dëmtimi kardiovaskular domethënë prekja nga sëmundjet koronare, infarkti i miokardit dhe insulti cerebrale. Këto janë komplikacione që jo vetëm e invalidizojnë të sëmurin por që përbëjnë rrezik për jetën më shumë madje se vetë insuficienca renale (dëmtimi i veshkave).

Për këto arsye mbajtja dhe ruajtja e shëndetit të veshkave është sot një prioritet global në mjekësi.

Rëndësia e kujdesit për veshkat

Kujdesi për veshkat lidhet me rolin vital (jetësor) që këto organe kanë për trupin e njeriut. Veshkat normalisht kryejnë filtrimin e gjakut duke eliminuar me anë të urinës produktet e dëmshme dhe të tepërta të metabolizmit të të gjitha indeve dhe qelizave të trupit të njeriut. Veshkat mbajnë ekuilibrin e lëngjeve dhe të kripërave në organizëm si të natriumit, të kaliumit, të kalciumit, të fosforit etj. Ato gjithashtu kontrollojnë presionin e gjakut (tensionin arterial) nëpërmjet çlirimit sipas nevojave të disa lloj hormoneve (siç është renina e angiotensina) që ruajnë tensionin e gjakut në parametra normale deri 120/80 mmHg.

Gjithashtu veshkat stimulojnë prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut nëpërmjet çlirimit të një hormoni të rëndësishëm si eritropoetina. Kështu në pacientet me deficit të funksionit të veshkave çlirimi i mangët e këtij hormoni bën që të zhvillohet anemia e këtyre pacienteve të cilët që në pamjen e parë duken të zbehtë e janë të lodhur. Veç asaj veshka luajnë rol edhe në ruajtjen e shëndetit të kockave nëpërmjet aktivizimit të vitaminës D, dhe kjo ndodh në tulin (parenkimen) e veshkës.

Trajtimi

Në trajtimin e sëmundjeve të veshkave nuk marrin pjesë vetëm nefrologët e specializuar për këto sëmundje për edhe mjekët e kujdesit parësor. Mjekët duhet të njohin konditat ku jeton i sëmuri, të përcaktojnë kush janë faktorët që rrezikojnë për dëmtimin e veshkave, duhet të komunikojnë me pacientin dhe t’i tregojnë atij me durim se çfarë diagnoze ka e çfarë masash duhen marrë për trajtimin e saj.

Mjekimi i sëmundjeve të veshkave bëhet së pari me trajtimin pa ilaçe (pa barna) e së dyti me terapinë farmakologjike me barna.

Fillimisht duhet ditur që çdo njëri në moshën e rritur duhet që një herë në vit të kontrollojë nivelin e kreatininës dhe të uresë në gjak. Po ashtu të bëje analizën e urinës për të parë nëse ka albuminë në të. Pacientët që tashme e kanë diagnozën e sëmundjes kronike të veshkave qoftë edhe në stadet e lehta duhet që këto analiza t’i bëjnë dy-tre herë në vit për të vlerësuar ecurinë e sëmundjes.

Pacienti duhet të kontrollojë nivelin e tensionit arterial, të yndyrnave dhe të sheqerit.

Pacienti duhet t’i kushtojë kujdes dietës ushqimore. Duhen evituar kaloritë e tepërta (1800-2000 kalori në 24 orë, ose 30-35 kal /kg peshë/ditë). Duhet evituar obeziteti dhe jeta sedentare. Duhet evituar ushqimi me yndyrna të tepërta të ngopura dhe ushqimet e përpunuara industrialisht. Ato kanë shumë kripë dhe shumë fosfor. Dieta më e mirë është dieta mesdhetare që përmban vaj ulliri e perime, pak mish, sidomos shumë pak mish të kuq. Dieta mesdhetare kombinon marrjen e fibrave me ushqyes të dobishëm (kalium dhe acide yndyrore të pangopura).

Qysh disa dekada më parë është parë se kufizimi i proteinave në dietë e ngadalëson progresionin e sëmundjeve të veshkave. Mirë është që pacientet me sëmundje të veshkave me kreatininën të rritur qoftë edhe pak, të marrin 0,8 gr/kg peshë në ditë proteina. Dieta me pak proteina ndikon në uljen e tensionit arterial dhe sidomos në pakësimin e aciditetit të gjakut. Përdorimi më shumë i frutave dhe zarzavateve e redukton gjithashtu acidozën metabolike dhe përmirëson situatën klinike të këtyre pacientëve. Nga ana tjetër, edhe kufizimi i tepruar i proteinave në dietë në stadet e përparuara të sëmundjes favorizon kequshqyerjen dhe dobësimin e të sëmurit duke ulur rezistencën imune të tij e shfaqjen e fenomeneve inflamatore./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here