Kryefaqja Aktualitet Shefi i Urgjencës së Kirurgjisë në QSUT: Kemi mjekë falas, jo mjekësi...

Shefi i Urgjencës së Kirurgjisë në QSUT: Kemi mjekë falas, jo mjekësi falas. Nuk e bëjnë muret e spitalit mjekësinë!

0
Shpërndaje

Gazetare: Klevisa GJIKA

Mjekësia është në vëmendje si kurrë më parë. COVID-19 e vendosi fokusin tek bluzat e bardha, mirëpo përqendrimi për punën e kryer nga to në një situatë jo normale kërkon edhe shpërblime. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Plus”, shefi i Urgjencës së Kirurgjisë në QSUT, Myzafer Kaçi, tregon se nuk bëhet fjalë për mjekësi falas, por për mjekë falas.

“Jo, nuk ka mjekësi falas, ka mjekë falas. Ne jemi mjekë falas. Kemi mbaruar një qerre me shkollë dhe vazhdojmë të punojmë dhe paga jonë është minimale. Nuk po them se e mësuesve, policëve është e lartë. Vetëm COVID-i në reshtin e parë, pra COVID-1 është vlerësuar me atë vendim që mori qeveria. Gjithë personeli tjetër zero”, shprehet Kaçi.

Kirurgu thekson faktin se autoritetet përkatëse duhet të vlerësojnë mjekët për punën që ato bëjnë, sidomos tani kur bluzat e bardha janë barriera e parë me të cilën përplaset virusi keqbërës në qarkullim.

“Mjekët janë në fund të piramidës së punonjësve të shtetit, që lexojnë pafund, lindin studentë dhe vdesin studentë. Askush nuk lexon kaq shumë, nuk rinovon kaq shumë. Në mjekësi ajo që sot në mëngjes është e re në darkë bëhet e vjetër. Duhet t’i kushtohet rëndësi nga autoritetet, nga MSH, nga Drejtoria e spitalit, mjekët duhet të vlerësohen,” tregon më tej.

Ai shton: “Vetëm vija e parë në COVID-1 është vlerësuar me të ardhura më të mëdha dhe asnjë mjek tjetër. Kjo është e pafalshme.  Pagesa dhe vlerësimi duhet të fillonte që nga mjeku i familjes. Ai është i pari që bie në kontakt me dikë pa e ditur me kë ka të bëjë. I gjithë zinxhiri i mjekëve duhet të ishte shumë herë i vlerësuar. E kishte shansin qeveria, parlamenti dhe institucionet e tjera për të bërë një ‘boom’ në mjekësi. Me këto rroga kaq minimale, kaq qesharake, nuk besoj se as në Xhibut nuk i gjen këto rroga kaq të vogla.”

I pyetur për të bërë një apel kundrejt instancave përkatëse për pakënaqësitë, ai shprehet:

“Këtë apel ta bëjnë më mirë qytetarët. Mjekët kanë nevojë për duartrokitje, për flamuj, edhe të respektohemi në rrugë, por në radhë të parë jemi familjarë, kemi prindër, fëmijë dhe kemi nevojat personale. Njeriu do të vishet, do të lexojë, do të ketë një kompjuter, një makinë, një celular. Mjeku është një njeri publik, nuk është një njeri i thjeshtë. Me këto të ardhura nuk realizohet asgjë. Kjo quhet panine me hime. Të bësh panine me hime.”

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here