Shëndetësia falas në Shkodër, pamje shokuese nga qendra shëndetësore

Emanuel Smaka, gazetar (ProPacientit)

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Kjo që shihini në foto është qendër shëndetësore (ambulancë) për të paktën 3600 banorë të fshatit Shtoj i Vjetër, vetëm 3 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës.

Ndërtesa është banesë e një banori të fshatit, që prej 15 vitesh është kthyer në institucion të kujdesit shëndetësor. Jashtë të gjitha standardeve të higjienës, në këtë ngrehinë punojnë 4 infermiere dhe 1 mjek, të cilët përpiqen t’u shërbejnë banorëve të zonës.

“Godina është shumë e amortizuar, është pothuajse e shkatërruar. Bashkia duhet të bëjë diçka për të gjetur një ambient të përshtatshëm. Është e vështirë për t’u shërbyer qytetarëve siç duhet në këto kushte”, thotë kryeinfermierja  e qendrës shëndetësore, Doris Xhaferi.

Problemet janë të shumta në këtë qendër. Gjatë verës nuk ka ujë të rrjedhshëm, ndërsa në dimër gjatë shirave, uji hyn nga të gjitha anët.

“Ne kemi bërë një tender në muajin shtator sa i përket bazës materiale ne aspektin shëndetësor, por në kushtet ku japim shërbim është tejet e vështirë”, shton Xhaferi.

Ndërkohë, sa i përket mirëmbajtjes, Bashkia Shkodër nuk e ka marrë me seriozitet detyrën që i takon. Pastrimin, lyerjen dhe menaxhimin e kësaj qendre e ka siguruar stafi mjekësor. Administratori i njësisë Rrethina, pjesë e së cilës është kjo qendër shëndetësore, thotë se Bashkia është në dijeni të problemit.

“Jemi në dijeni të problematikës së mjekëve të qendrës shëndetësore. Ajo banesë në të cilën ofrohet shërbimi fut ujë nga të gjitha anët, por Bashkia Shkodër po përpiqet të gjejë një zgjidhje. Presim që së shpejti të miratohet një fond nga jashtë, ku do të nisim ndërtimin e një qendre komunitare për fshatin, ku do të tranferohet edhe stafi mjekësor”, thotë Pjetri.

Para disa muajsh stafi mjekësor i kësaj qendre rrezikonte të largohej edhe nga banesa ku aktualisht jep shërbim, për shkak se bashkia për 3 vite nuk i kishte paguar qiranë e shtëpisë pronarit. Ndërkohë, një godinë tjetër që u ndërtua vite më parë për të shërbyer si qendër shëndetësore, është aktualisht pa dritare. Që nga koha e ndërtimit nuk është marrë asnjëherë në dorëzim.

Aktualisht, në qendrën shëndetësore të amortizuar marrin shërbim të vazhdueshëm 100 pacientë me sëmundje kronike, si dhe kryhen vizita të përditshme ambulatore.

Përballë situatës ku Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkia Shkodër akoma nuk kanë ndërtuar një ambient të ri, stafi mjekësor do të duhet të ofrojnë shërbim në mungesë të kushteve më minimale./ ProPacientit.com

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë