Redi Jupi: Shëndeti, mjeti për të realizuar ëndrrat

Redi Jupi1 (1)

Redi Jupi me familjen

Bisedoi: Arlinda Gjypi

Mbetet kënaqësi të flasësh me Redin. Pas lënies së karrierës si futbollist, tashmë drejtor i Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit, duket se Redi Jupi pak ka ndryshuar. Ndoshta thjesht është bërë më i vëmendshëm për shëndetin, siç pranon edhe vetë, më i vetëdijshëm për atë që duhet të bëjë ose të mos bëjë dhe më altruist, të paktën kur flitet për lumturinë, sepse tashmë lumturia është e lidhur ngushtë me familjen: gruan dhe tre fëmijët e tij. Në një intervistë për “Shëndet Plus”, ai tregon besimet dhe mosbesimet që lidhen me shëndetin, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, si një mënyrë për realizimin e qëllimeve të gjithkujt.

Redi, ç’të vjen ndërmend kur dëgjon fjalën “shëndet”?

Mirëqenie… ekuilibër.. aktiv… i shëndetshëm. Shëndetin e shoh si një qëllim në vetvete, si një mjet për të realizuar gjërat që do. Sigurisht nuk e shoh në këndvështrimin e fjalës “shëndoshë si molla”, por që s’bën asgjë. Shëndeti duhet të jetë shtysa që të bën të arrish ato që ke dëshiruar.

Kur themi “marrëdhënie e shëndetshme”, është e njëjta gjë?

Nëse do të flasim për një “marrëdhënie të shëndetshme” në familje, në marrëdhëniet prind-fëmijë apo me bashkëshorten, fjala “shëndet” merr një tjetër kuptim. Sepse për prindin, shëndeti i fëmijës është një qëlllim final. E para nga të gjitha, ai dëshiron që fëmija të jetë i shëndetshëm.

Redi Jupi1 (2)

Redi Jupi me familjen

Nuk besoj fare te geni. Jeta, përvoja që kam, puna më ka bërë të krijoj bindjen se çdo gjë është përkujdesje. Nuk e besoj shprehjen “edhe ujë të pi më bëhet shëndet”. Vëllai im deri para disa kohësh ishte 120 kile. Ai ka të njëjtin gen me mua. Atëherë ç’duhet të themi?!

Për mua besoj ka ndikuar shumë jeta që kam bërë.

Kjo nënkupton se je i kujdesshëm për shëndetin…?

Jam shumë i kujdesshëm. Ha pak mëngjes, ha drekën. Mundohem të marr gjithçka që duhet. Ose ndoshta nuk ha mëngjes, drekën e ha në orën 5…

…atëherë shprehja “mëngjesin haje si mbret, drekën si princ, darkën si varfanjak” nuk aplikohet te ti…?

Jo. Nuk jam njeri i rregullave. Kujdesem më shumë që gjatë ditës të marr gjithçka që më duhet për shëndetin. Madje, mund të them se tani jam më mirë sesa kur luaja. Atëherë nuk është se mendoja shumë se ç’duhet të haja, thjesht veproja. Sot mendoj se mund të isha ushqyer më mirë. Ndoshta nga jashtë nuk vihet re, gjithsesi kur luaja isha diku 2-3 kg më shumë seç duhet.

…2-3 kile nuk janë shumë…

Në jetën e përditshme po, por në sport ato 2-3 kile ndihen.

Redi JupiÇfarë mendon se e ka të tepruar kuzhina shqiptare?

Kripën mund të them. E përdorim shumë kripën. Më përpara s’e vija re, por tani e shoh më shumë, sepse jam më i vëmendshëm. Në fakt, shumica ushqehet keq, por nuk e kuptojnë, sepse deri në moshën 20 apo 30-vjeçare trupi e përballon më mirë gjithçka, pavarësisht mënyrës jo të mirë të ushqimit. Pastaj e ndjen më shumë.

Ju pëlqen më shumë mjekësia popullore apo doktorët?

Mjekësinë popullore nuk e pëlqej, por në përgjithësi edhe tek mjekësia në Shqipëri kam shumë pak besim. Ndoshta janë orët e pakta të punës së tyre ose ndoshta fakti që nuk i kushtojnë shumë vëmendje leximit, por nuk kam besim tek mjekët në vend. Edhe në rastet kur fëmijët kanë qenë sëmurë, nusja në përgjithësi futet nëpër forume të huaja franceze apo angleze dhe merr informacion lidhur me atë çfarë duhet t’u japë.

Për më tepër, nuk jam tipi i rregullt. Kur luaja, i bëja kontrollet rregullisht 1 herë në 6 muaj, kështu që nuk e kam ndier nevojën për të bërë kontrolle. Gjithsesi, sigurisht, me kalimin e kohës do të rifilloj të bëj vizita, sepse duhen.

Pse ky besim i ulët tek mjekët?

Nuk është se kam gjë me mjekët, nuk ka lidhje me ata. Për mua është çështje e sistemit në vetvete. Edhe nëse ka mjekë të mirë dhe s’e vë në dyshim që ka, është vetë sistemi që i nxjerr jashtë loje, pavarësisht mirësisë së tyre.

Çfarë ndodh nëse fëmijët kanë probleme?

Fatmirësisht, nusja ka një të afërme pediatre dhe për çdo gjë komunikojmë me të. Por ndërkohë gjithnjë lexojmë në internet dhe nëpër forume për fëmijët dhe tregohemi të kujdesshëm për ta.

Po me dentistin si është marrëdhënia?

Dentisti… le të themi që është e vetmja marrëdhënie të cilën e kam pasur dhe e kam frekuente dhe periodike. Jam shumë i kujdesshëm për dhëmbët. Më përpara, kur ishim të vegjël, e kishim të detyruar kontrollin te dentisti nga shkolla. Tani me fëmijët përmes pak detyrimit dhe sforcos i kemi mësuar që të lajnë dhëmbët. Sigurisht kemi punuar përditë e nga pak. Ndonjëherë dhe me kosto, sepse janë fëmijë dhe qajnë. Por është për të mirën e tyre, kështu që i kemi detyruar të mësojnë.

Të pëlqen të gatuash?

S’di të gatuaj absolutisht. Unë s’i kam qejf fare varësitë dhe nuk dua të jem i varur në asgjë. Gatimi është e vetmja gjë nga e cila kam varësi. Kur kthehem nga puna, jam i detyruar të pres të më gatuajë gruaja. Do të ishte liri e madhe të gatuaja, sepse s’do të isha i varur. Por gjithsesi s’e kam marrë asnjëherë mundimin që të mësoj.

Kryen aktivitete fizike pas lënies së sportit?

Të them të drejtën vitin e parë që e lashë futbollin, vazhdoja të luaja 5 herë në javë. Vitin e dytë 3 herë në javë, vitin e tretë 2 herë në javë, ndërsa aktualisht luaj vetëm në ndeshje bamirësie ose ndonjë lojë me miq, rrallë, le të themi një herë në dy muaj.

Redi Jupi1 (3)

Redi Jupi me vajzën

Fëmijët janë në moshën e lojës tani. Ne mundohemi që çdo ditë t’i bëjmë që të kenë ndonjë aktivitet të ndryshëm…

Është e lehtë? Sepse s’është si dikur që fëmijët luanin para pallatit me shokët e shoqet…

Është shumë e vështirë që të gjesh një ambient që ata të luajnë. Madje 30 minutat e para të duhet vetëm të vrasësh mendjen ku t’i çosh, si t’i çosh? Ndonjëherë ndihesh dhe i pafuqishëm sepse mendon “kaq pak fantazi kam?” Por në të vërtetë ka shumë pak alternativa për fëmijët dhe aq më tepër që mundohemi që mos t’u ofrojmë çdo ditë të njëjtën gjë, të kenë pak ndryshueshmëri…

Vihet re sot një tendencë e madhe drejt operacioneve estetike jo vetëm te femrat, por edhe te meshkujt. Ju ç’mendim keni?

Është e vështirë për mua të jap një mendim për të tjerët. Kushdo që e bën një ndërhyrje të tillë, sigurisht që e ka një problem që mund të jetë psikologjik ose jo. Ndoshta një gjë e tillë i bën të ndihen më mirë me veten. Nuk paragjykoj askënd. Por unë s’do ta bëja. E pranoj veten siç jam. Nëse do ishte e mundur, do bëja një ndërhyrje në tru, ndonjë ndërhyrje që të më mundësonte të rrisja kapacitetin tim, për shembull të mësoja një gjuhë të huaj shumë shpejt, të mund të lexoja një libër në një ditë. Do të preferoja ndërhyrje që të më bënin të fitoja kohë, sepse në fakt, fizikisht asnjë nuk është perfekt.

Po për tatuazhet, pirsing?

Nuk jam shumë pro tyre. Me aq informacion sa kam, nuk janë as shumë të shëndetshme. Për më tepër më duket si një formë varësie. Siç thashë më lart, s’më pëlqen të jem i varur. Fundja ç’siguri kam që nëse bëj një tatuazh, nuk do të ndërroj mendje për të nesër?

Dikush mund të thotë se jeni i pavendosur…

Është i mirëpritur ta mendojë dhe ta thotë. Fundja, dyshimi është ai që na bën të ecim përpara.

Po për produktet kozmetike për meshkujt, ç’mendoni? Për këtë përkujdesje që ka nisur tashmë…

Për mua, është tregu ai që e përcakton se si është e duhura. Në një dyqan ka një pavion për femra që është 120 metra dhe një për meshkuj që është 5 metra. Dhe kjo tregon gjithçka. Kështu një mashkull merr një krem fytyre, një antidjersë, gjërat bazike, ato që i duhen atij për të qenë i prezantueshëm, jo për të kaluar ylberin…

Familja, puna, shëndeti… Si e shihni lidhjen mes tyre?

Është e vështirë të përjashtosh ndonjërën. Familja është qëllimi final. Por po s’pate shëndetin, nuk gëzon dot familjen. Nëse s’ke punën, s’mban dot familjen. Pa familjen, nuk ke ç’i do dy të tjerat.

Familja është gjëja më e rëndësishme, por siç thoshte një trajner i njohur kroat “shëndeti pa lekë është sëmundje e pastër”.

Si i shihni shqiptarët të lidhur me kujdesin për shëndetin?

Kemi shumë pak kulturë shëndetësore dhe për këtë kanë ndikuar shumë ngjarje. Për shembull, shohim sot që është shtuar shumë obeziteti. Nuk besoj se është për mirëqenie. Është më shumë për mungesa të ushqimeve. Them se tani si popull kemi probleme kompleksiteti dhe besoj se do të vijë një fazë tjetër kur njerëzit të kenë më tepër informacion dhe kulturë shëndetësore. Sigurisht nuk mund t’i kërkosh dikujt sot të hajë shumë mish dhe të marrë çdo vlerë ushqimore që s’e ka marrë që kur ishte fëmijë. Them që pas 10-20 vjetësh gjërat do të ndryshojnë. Nevoja do t’i bëjë njerëzit të lexojnë më shumë dhe të jenë më të shëndetshëm. Është një proces i gjatë. Fundja, francezët që janë më të shëndetshëm, nuk është se u bënë ashtu menjëherë, patën dhe ata një nevojë që më pas i bërë të jenë më të vëmendshëm.

Nëse do t’i jepnit dikujt një këshillë dashamirëse, cila do të ishte?

Parandalo, mos kuro! Është parim imi ky. Mos shko deri në kurim. Në fakt, kjo s’është vetëm për shëndetin, por për çdo lloj marrrëdhënie me njerëzit. Sigurisht, edhe unë kuroj, por do të isha më i lumtur nëse do të arrija të parandaloja shumë gjëra.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin