Kryefaqja Aktualitet Shërbimi shëndetësor spitalor, financim nga sigurimet shëndetësore

Shërbimi shëndetësor spitalor, financim nga sigurimet shëndetësore

0
Shpërndaje

mbledhje qeverieKëshillimi i Ministrave ka vendosur sot financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Në vendimin e marrë pas propozimit të ministrit të Shëndetësisë u vendos:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.185/2013, datë 28.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve në shtojcën l, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”.

3. Spitali e ushtron veprimtarinë, në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës dhe të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

4. Pagesa e paketës së shërbimeve spitalore që ofron çdo spital bëhet sipas shtojcës nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Një fond jo më i madh se 10 për qind e buxhetit vjetor, të planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për t’ua rishpërndarë spitaleve gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për:

a) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

b) nevoja të spitaleve gjatë vitit.

5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre.

Në kontratën dypalëshe, ndër të tjera, përcaktohen:

a) shërbimet e parashikuara për çdo spital;

b) mënyrat e mbajtjes të të dhënave dhe të raportimit;

c) mënyrat e pagesës së spitalit;

ç) treguesit e cilësisë dhe të performancës;

d) mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga Fondi;

dh) sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruarve;

e) mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

6. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë. Spitalet mund të kryejnë investime edhe nga burime të tjera.

7. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga këshilli administrativ i Fondit. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.

8. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

9. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë.

10. Ministria e Shëndetësisë ushtron kontroll në spital për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, si dhe për buxhetin që financon.

11. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ushtron kontroll në spitale, sipas mënyrës së përcaktuar në kontratë.

12. Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, të ndryshuar.

13. Spitalet janë të detyruara të llogaritin shpenzimet faktike të çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Shpenzimet mujore dhe progresive raportohen nga spitalet në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili bën monitorimin e tyre.

14. Deri në hartimin e kostove të shërbimeve, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të financojë paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me metodën e buxhetimit.

Buxheti i kontraktuar i spitalit ka këto zëra shpenzimesh:

a) Paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;

b) Kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;

c) Mallra e shërbime të tjera.

Spitali mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

15. Spitali mund të rishpërndajë buxhetin, duke zbatuar kufizimet e mëposhtme:

a)  Rishpërndarja nga “Shpenzime për mallra e shërbime” te “Pagat dhe sigurime” mund të bëhet vetëm brenda një kufiri prej 2%;

b)  Rishpërndarja nga “Paga e sigurime” te “Shpenzimet për mallra e shërbime” është e mundur vetëm brenda një kufiri prej 5 %.

Të dy kufijtë llogariten, në bazë të buxhetit të kontraktuar. Rishpërndarja e burimeve bëhet me autorizimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

16. Rishpërndarja e buxhetit midis spitaleve mund të bëhet vetëm brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

17. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

18. Numri i punonjësve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

19. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse të buxhetit, nga Ministria e Shëndetësisë.

20. Vendimi nr.140, datë 17.2.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, i ndryshuar, shfuqizohet.

21. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here