Aleko Miho, biolog / Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Pyjet janë pasuri kombëtare që japin frymëmarrje (oksigjen), ushqim dhe strehë për të gjitha gjallesat, përfshirë dhe njeriun. Pyjet dhe mbulesa bimore në përgjithësi janë barriera kryesore e mbrojtjes së tokës nga erozioni dhe rezerva kryesore ujore e saj. Ato mbajnë klimën të mos trazohet, mbrojnë tokat të mos shkojnë në det, mbrojnë ujërat etj. Stërgjyshërit tanë janë strehuar dhe kanë mbijetuar në shekuj falë maleve dhe pyjeve tona; edhe në të ardhmen ne apo stërnipërit tanë do të gjejmë strehë po në këto pyje në rast nevoje nga ndryshimet e klimës apo tallazet e tjera të jetës.
Janë pikërisht vlerat e natyrës sonë, pyjet, shkurret, livadhet dhe kullotat, vlerat e rralla të florës dhe faunës së tyre, lumenjtë me ujëra të pastër, që bashkë edhe me vlerat e tjera të ruajtura të lashtësisë, historisë, kulturës, folklorit, etj., të cilët na bëjnë të veçantë si vend. Këto së bashku do të ndihmojnë të zëmë një vend të dëshiruar në familjen europiane, të denjë, ashtu si me të vërtetë e meritojmë.
Dy moratoriumet e shpallura prej kohësh që ndalojnë gjuetinë dhe prerjet në pyje bëjnë mjaft mirë. Por jo gjithçka mbaron këtu! Po t’ua lamë këtë barrë vetëm inspektorëve mjedisorë, gjendja në pyje dhe kafshë të egra nuk mund të përmirësohet kurrë. Kthesa në pyje nuk vjen vetë! Por, vetëm nga një vizion ndryshe i gjithë shoqërisë sonë, i vendimmarrjes, qeverisë qendrore dhe asaj vendore, si dhe i gjithë forcave të gjalla në vend. Kjo është sfidë për Shqipërinë, por nuk duhet të harrojmë se kemi qenë shumë më të varfër, por pyjet i kemi ruajtur si të shenjtë.
Fakte që nuk duhen harruar
Humbja në pyje ka ndodhur qysh nga shtrirja e skajshme e bujqësisë në dhjetëvjeçarët e fundshekullit të kaluar (deri në vitet 1990-të), me bonifikime, me shpyllëzime dhe tarracime për toka bujqësore, deri edhe në shpatet më të brishta kodrinore, shpesh dhe malore. Nën parullën ‘t’u qepemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat’, Shqipëria u shpyllëzua nga jugu në veri me tarracime herë me vend dhe herë pa vend, të gjitha me aksione e vrull vullnetar rinor. Nuk u ndal kthimi në tokë bujqësore edhe për livadhet malore të Çajupit e gjetkë në vend (!).
Pas viteve 1990-të, me ndryshimin e sistemit e deri sot, dëmtimet në pyje u bënë njëlloj si u shkreh e gjithë ekonomia shqiptare, si u shpërbënë gjithë ndërmarrjet industriale në vend, gjithë kooperativat dhe fermat bujqësore, si u grabitën lumenjtë në shtretet e tyre, si u pushtua toka me ndërtime etj. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk u kursyen as edhe ato pak pyje që kishin mbetur në Rrëshen, Pukë, Burrel e deri në Lurë.
Jo më kot, Shqipëria klasifikohet sot si vend me erozion të lartë dhe humbje të tokës, dallohet për ashpërsimin e klimës dhe përmbytje. Ky është në të vërtetë gjykimi që vjen nga Nëna Natyrë për sjelljen tonë! Janë këto arsye që e detyruan shtetin të shpallë dhe të përpiqet të verë në zbatim dy Moratoriume, për Pyjet dhe për Gjuetinë; të dy janë në sinergji me njëri-tjetrin, pasi një pjesë e varfërisë së kafshëve të gjuetisë është e shkaktuar edhe nga gjendja e rëndë e habitateve pyjore. Kuptohet se zbatimi i tyre nuk është pa kosto për shoqërinë e sotme shqiptare!
Më shumë për praktikat e gabuara me pasoja edhe tek pyjet
Në këtë periudhë të stërzgjatur tranzicioni, nën frymën e zhvillimit të turizmit nuk po kursehet edhe sot e kësaj dite vija bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil, ku në shumë pjesë të saj është edhe e mbrojtur nga legjislacioni vendas apo ndërkombëtar; për fat të keq, zona bregdetare u betonua mirë me ndërtime të ashtuquajtura turistike, pa ruajtur asnjë kriter natyror, pa marrë parasysh ndjeshmërinë e brezit të dunave apo halorëve që rriten mbi to, pa folur pastaj për ndotjen dhe shfrenimin urban në gjithë zonën bregdetare.
Nën dëshirën për plotësimin e nevojave për energji nga viti 2007 e deri sot janë dhënë me koncesion mbi 500 HEC-e, disa prej të cilëve kanë përfunduar ose janë në ndërtim e sipër; kjo është me shumë kosto për natyrën tonë të brishtë, duke pasur parasysh që gjithë këto vepra ndërtimore prekin pjesët më të virgjëra dhe me të ndjeshme njëkohësisht; këto shoqërohen me veprimtari jo shumë miqësore për biodiversitetin dhe natyrën në përgjithësi, si diga lumore, tunele, kanale, rrugë, etj. Për më tepër kur shumë prej tyre (mbi 80 HEC-e) janë ose brenda zonave të mbrojtura, ose në bashkëveprim ekologjik me to, si në parqet kombëtare të Valbonës, Lurës, Thethit, Shebenik-Jabllanicës, etj. Në të vërtetë, të paktën zonat e mbrojtura duhet të qëndrojnë larg shfrytëzimit nga njeriu për qëllime përfitimi, qoftë për përdorimin e drurit, të bimëve aromatike-mjekësore, të kullotjes, të dëmtimit nga zjarret, dhe së fundi edhe nga ndërtimi masiv i HEC-eve apo dhe vetë turizmi masiv.
Të gjitha këto sëbashku ulin gjithmonë cilësinë e jetës, shëmtojnë dhe ulin vlerat turistike, dhe ndër të tjera kanë edhe kosto shumë të lartë ripërtëritje tek pyjet, jo vetëm për sot, por edhe për brezat më pas.
Pyjet dhe varfërimi i biodiversitetit
Në 60 vitet e fundit të zhvillimit të saj Shqipëria ka humbur rreth 1 milionë ha pyje. Kjo pa dyshim ka shkaktuar varfërim llojesh, si bimore dhe shtazore. Numri i llojeve të rrallë e të kërcënuar është i lartë dhe prirja është në rritje. Lista e Kuqe ligjërisht e mbrojtur (2013) ka shkuar deri në 400 lloje bimore dhe 575 lloje shtazore; nga bimët mund të përmendim sherbelën, çajin e malit, rigonin e bardhë , shumë salepore, etj., dhe nga bota shtazore shumë peshq (p.sh. troftat), shumë shpendë ujorë dhe shumë gjitarë. Sot ekspertët pohojnë se së paku 4 lloje gjitarësh janë zhdukur plotësisht, ndërsa 17 lloje shpendësh nuk folezojnë më në Shqipëri. Rreth 89 lloje shpendësh, 27 lloje gjitarësh, 6 lloje peshqish dhe 4 lloje bimësh, në këto 25 vitet e fundit besohet të kenë humbur mbi 50% të popullatës së tyre.
Pjesa më e madhe llojeve shtazore të rrezikuar është e lidhur me zvogëlimin e skajshëm të pyjeve të virgjër dhe të vjetër në vendin tonë. Këta janë sot thuajse të zhdukur! Në Shqipëri takohen ende të tre mishngrënësit e mëdhenj të Evropës, ariu, ujku dhe rrëqebulli, por rrëqebulli është sot në rrezik kritik për zhdukje, ndërsa popullatat e ujkut dhe ariut kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët historik. Popullatat e shpendëve, lakuriqëve të natës dhe gjitarëve të tjerë të lidhur me pyjet prodhues (pyjet e vjetër) janë sot rralluar në mënyrë të skajshme. Shumë lloje insektesh dhe invertebrorësh të tjerë të pyjeve të virgjër janë zhdukur ende pa u njohur nga shkenca.
Pyjet tona natyrore janë ekosisteme të brishta
Zvogëlimi i sipërfaqes pyjore dhe shkurrore, dhe rrëgjimi i përgjithshëm i mbulesës bimore në 2-3 dhjetëvjeçarët e fundit është pasojë e prerjeve pa kriter për lëndë ndërtimi dhe lëndë djegëse tej aftësisë ripërtëritëse të pyjeve, zëniet e fondit pyjor, me leje dhe pa leje, nga mungesa e programeve pyllëzuese, nga urbanizimi, më shumë e theksuar kjo në zonën kodrinore dhe atë bregdetare. Kjo është nxitur më tej edhe nga mbikullotja dhe zjarret e shpeshta në stinën e verës, nga ndotja apo sëmundjet.
Nuk duhet harruar se pyjet tona natyrore janë ekosisteme të brishta, sidomos pyjet tanë kodrinorë-malorë, të cilët përbëjnë thuajse shumicën e hapësirave tona pyjore dhe shkurrore, me klimë të theksuar mesdhetare, me rreshje të rrëmbyera, me taban të gërryeshëm, me kohëzgjatje ripërtëritëse mjaft të ngadaltë që kalon kufijtë e jetës së njeriut. Fuqia gërryese e shpatit në mbarë vendin është shumë e lartë, rreth 25-30 tonë/ha/vit; edhe përmbajtja e lëndëve të ngurta pezull (TSS – Total Suspended Solids) në ujëra shkon deri 3-9 herë më e lartë se vlera kufi prej 25 mg/L të Standardit të BE-së 2006/44 mbi jetën e peshqve për ujërat sipërfaqësore.
Pyjet ende në udhëkryq
Për fat të keq, sot vendi nuk ka një strukturë reale dhe funksionuese për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave, dhe nuk dihet qartë se cilat janë planet në fuqi për mbarështimin e tyre. Ende nuk dihet mirë gjendja e reale e tyre, sipërfaqja, kadastrimi, shqetësimet, etj. Po kjo edhe për pyjet e ulët dhe shkurretat. Kjo situatë e vështirëson tepër zotërimin dhe vlerësimin e pasurive pyjore, të faunës së egër, të bimëve mjekësore e etero-vajore, të prodhimeve të dyta pyjore, etj. Për gjithë këtë periudhë, nuk është bërë ndonjë studim real apo analizë ekonomike se sa të ardhura vijnë nga pyjet. Gjithashtu, edhe besueshmëria e informacionit kadastral konsiderohet e ulët.
Mirëadministrimi dhe mbrojtja e pyjeve nga faktorë dhe situata të ndryshme, dikton nevojën e bashkëpunimit me institucione dhe struktura të tjera shtetërore, në kuadrin e detyrimeve ligjore, nëpërmjet marrëveshjeve apo akteve të ndryshëm, dy dhe shumëpalëshe, si instrumentë të bashkërendimit të punës dhe veprimeve ndërmjet tyre. Kjo për faktin se shumë probleme tejkalojnë kompetencat e strukturave të inspektoriatit pyjor; sektori i pyjeve dhe kullotave nevojitet të mbështetet realisht për monitorimin dhe kontrollin e veprimtarive të ndryshme, për parandalimin e prerjeve të paligjshme, për mbrojtjen nga zjarret, për ndotjet, sëmundjet dhe dëmtuesit, etj.
Për pyjet dhe kullotat duhet bashkëpunim i ngushtë me specialistët e pyjeve dhe specialistët e tjerë të biologjisë së ruajtjes (biodiversitet dhe ekologji pyjore). Specialistët e pyjeve dhe biologët e ruajtjes (botanistë apo zoologë) i njohin mirë shqetësimet, i kanë shkelur me këmbë në vite, kanë bërë studime shpesh dhe në kushte shumë të vështira, dhe për rrjedhojë, dinë shtigjet e duhura për zgjidhjen e tyre, por dinë edhe shtigjet e vërteta nga shkohet në pyje dhe në kullotat tona të viseve kodrinore dhe malore.
Nuk do të ishte keq që në planet strategjike të zhvillimit të kërkohet të shtohet sipërfaqja pyjore; p.sh. në rast se sot ajo ka zbritur në 10-11% të sipërfaqes së vendit, mund të synohet të shtohet të paktën në 25-30% të sipërfaqes së vendit deri në vitet 2030 (pra, të dyfishohet!). Për këtë duhet jo vetëm ndalim shfrytëzimi (me regjim paprekshmërie), nëpërmjet moratoriumit, por gjithmonë pyllëzim, shtim i sipërfaqes me pyje, shfrytëzim me kujdes brenda kritereve ripërtëritëse vetëm aty ku ka mundësi. Po në këtë linjë, në planet strategjike të zhvillimit mund të synohet që edhe vlera e mesatares vjetore të TSS në ujërat sipërfaqësore të lumenjve të zbresë të paktën te vlera 50 mg/l, duke iu përfaruar në këtë mënyrë vlerës së detyruar të standardit të BE-së. Për të ndaluar dukurinë e gërryerjes së tokës në zonat malore kërkohet në mënyrë të vazhduar të ndërtohen pengesa (prita, gjerdhe çift, mure guri, etj.), nëpër përrenjtë malorë, e kombinuar kjo gjithmonë edhe me pyllëzime.
Pyjet janë pasuri ripërtëritëse
Shumë pyje dhe shkurreta e ripërtërijnë vetë veten; por duhen masa të rrepta për të lejuar ripërtëritjen, ku të ndalohen rreptësisht prerjet, të kontrollohen zjarret dhe të dënohen shkaktarët. Kullotja e tepruar, sidomos e dhisë është shpesh me dëme të mëdha në ripërtëritjen e pyjeve dhe shkurretave (!). Ekonomia pyjore (e qëndrueshme!) nuk mundet kurrë të mbështetet te vjelja pa mëshirë drurit, sidomos te pyjet e mbetura natyrorë të lashtë. Askush nuk i prek këto lloj pyjesh, aq më tepër pyjet e zonave të brishta malore, apo pyjet e rralla që edhe tek ne mbrohen me ligj. Për të zhvilluar ekonominë pyjore duhet të fillojmë të mbjellim ashtu si gjithë bota! Ka shumë hapësira djerr të braktisura në mbarë vendin që po i gërryen erozioni. Edhe në fushë mund të fillohet të mbillen drurë pyjorë të përshtatshëm për t’u vjelë në kohën e duhur, t’u shërbehet atyre si duhet më parë dhe pastaj të mendojmë për t’i vjelë. Programe reale pyllëzimi, të veçuara apo të shtrira duhet të fillojnë seriozisht, duke filluar nga fidanishtet dhe fidanat e llojeve tona që thuajse janë shteruar, e deri tek nxitja e vullnetarizmit për pyllëzimin. Le të mobilizojmë për këtë rininë, sidomos atë të shkollës! Pyllëzimi dhe kujdesi për pyje në shumë vende të zhvilluara bëhet me këtë mënyrë, si domosdoshmëri jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për më shumë oksigjen, hijeshi peisazhesh, më pak erozion, bredget më të bukur etj.
Pylltaria është art dhe shkencë
Më sipër theksuam se masa të rrepta ndaj prerjes së drurit dhe gjuetisë, ndaj shfrytëzimit pa kriter, mbrojtja nga zjarret, nga ndotja dhe urbanizimi pa dyshim që janë të mirëpritura. Por një vizion tjetër është i nevojshëm nga ekspertët e pylltarisë dhe vendim-marrësit, kuptimi për pylltarinë si art dhe si shkencë, për një kualifikim dhe ndërgjegjësim më të mirë për praktikat ripërtëritëse, në gjetjen e praktikave të mira gjelbëruese etj.
Pylltaria moderne sot merret me shumë çështje jetike për njeriun, si: të sigurojë lëndë të parë druri, të ruajë habitatet natyrore, të ruajë cilësinë e ujërave sipërfaqësorë, të krijojë mjedise çlodhëse, por të hapë dhe vende të reja pune, të mbrojë peisazhet dhe komunitetin; pylltaria merret sot dhe me arkitekturë peisazhi, me mbrojtjen e biodiversitetit, menaxhimin e pellgjeve ujëmbledhës, me kontrollin e erozionit, kontrollin e përvetimit të dyoksidit të karbonit dhe çlirimin e oksigjenit, me ngrohjen globale etj. Për ta mposhtur këtë sfidë, Shqipëria duhet të ripërtërijë fidanishtet dhe ta mbështesë fuqimisht këtë veprimtari në rritjen dhe shtimin e fidanëve të bimëve drunore dhe bimëve të tjera natyrore me interes për njeriun; sot për sot janë të mbështetura vetëm fidanishtet në sektorin e bujqësisë (zarzavate dhe dru-frutorë); por fidanishtet mund të prodhojnë fidana për drurët pyjorë vendas, për pylltarinë, për parqet dhe rrugët, për bimët aromatike-mjekësore, dhe natyrisht edhe për biologjinë e ruajtjes (ruajtjen e bimëve të rralla dhe të kërcënuara).
Pylltaria dhe praktikat e tjera të gjelbëra nuk mund të mbeten jashtë përdorimit të teknikave bioteknologjike për të prodhuar fara dhe fidana të shëndetshëm të bimëve vendase. Për këtë mund të përdoren teknika të përparuara për shumimin e drurëve apo bimëve të tjera autoktone. Nuk duhet harruar se në pyjet tona shfaqen shpesh sëmundje të rënda. Këtu ka shumë rëndësi bashkëpunimi me botën e kualifikuar universitare në vend dhe jashtë.
Shoqëria jonë dhe mjedisi mund të përfitojnë së bashku nga përmbushja e nevojës së ripërtëritjes së pyjeve dhe shkurreve, për luftën ndaj erozionit, për prodhimin e bimëve të shëndetshme me veti aromatiko-mjekësore, të bimëve zbukuruese, për prodhime të tjera nga livadhet dhe kopshtet, për mbrojtjen e specieve bimore të rëndësishme nga dëmtuesit, për të mbajtur larg bimët pushtuese (invasive, aliene) dhe për të ruajtur fondin gjenetik vendas.
Unë nxit për këtë Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë dhe organet qeveritare përgjegjëse vendore, si dhe sektorin privat, të gjithë të bëjnë përpjekjet e duhura për mbrojtjen dhe ripërtëritjen e bimësisë, të pyjeve. Kjo me siguri do të rrisë mbrojtjen e biodiversitetit të rrallë dhe të kërcënuar, por do të sigurojë, gjithashtu, edhe një jetë më të mirë për njeriun./ Shendeti.com.al



