Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
Një fshat në jugë-perëndim të Italisë është shtëpia e numrit më të lartë të njëqindvjeçarëve. Më shumë se një në 10 persona në këtë vend, me një popullsi prej 700 vetash, janë mbi 100 vjeç. Fshati i quajtur Acciaroli ka qenë në fokus të shkencëtarëve për të zbuluar faktorët që kanë çuar në jetëgjatësinë e këtyre banorëve.
Pasi kaluan gjashtë muaj në këtë zonë, hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Sapienza në Romë dhe Shkolla Mjekësore San Diego zbuluan se të moshuarit në këtë rajon kishin qarkullim shumë të mirë, për moshën që kishin.
Ata analizuan mostrat e gjakut të më shumë se 80 banorëve dhe zbuluan nivele jashtëzakonisht të ulëta të adrenomedullin, një hormon që zgjeron enët e gjakut.
Nivelet e këtij hormoni ishin të njëjta me ato që gjenden normalisht tek njerëzit e moshës 20-30 vjeç, thonë hulumtuesit shkencorë.
Nivelet e larta të këtij hormoni mund të shkaktojnë tkurrje të enëve të gjakut, që mund të çojnë në probleme me qarkullimin e gjakut dhe probleme më të rënda shëndetësore.
Ky hormon ishte në nivele më të ulëta tek personat e përfshirë në studim, dhe si duket vepron si një faktor i fuqishëm mbrojtës, ku ndihmon në zhvillimin optimal të qarkullimit kapilar.
Shkencëtarët po përpiqen akoma të zbulojnë shkakun e këtij fenomeni, edhe pse ata mendojnë se lidhet me dietën dhe ushtrimet. Banorët e fshatit Acciaroli priren të konsumojnë peshk lumi, lepuj të butë, pula, vaj ulliri dhe perime e fruta të rritura në kopsht.
Në studim gjithashtu theksohet se të gjithë këta banorë e përdorin rozmarinën, që cilësohet si mbretëresha e erëzave. Sipas shkencëtarëve, kjo erëz mund të jetë edhe çelësi i jetëgjatësisë për banorët e kësaj zone.
Përveç kësaj, ata që jetojnë në këtë rajon vuajnë më pak sëmundje se ata që jetojnë në vendet perëndimore. “Zbuluam se ata nuk kanë shumë sëmundje kronike që janë të përhapura në SHBA, si sëmundjet e zemrës, obeziteti dhe alcajmeri”, tha dr. Alan Maisel, kardiolog tek Shkolla Mjekësore e Universitetit San Digeo në Çikago, për të përditshmen The Telegraph.
“Ata nuk vuajnë gjithashtu as nga kataraktet. Shumica e amerikanëve mbi moshën 80 vjeç kanë katarakt. Tek këta banorë nuk gjetëm asnjë”, tregon ai.
Mund të ketë edhe një tjetër faktor të rëndësishëm në jetëgjatësinë e këtyre banorëve.
“Banorët e kësaj zone janë të papërmbajtur kur vjen puna tek aktiviteti seksual, madje edhe të moshuarit”, tregon dr. Maisel.
Faktorë të tjerë janë edhe ajri i mirë dhe dëshira për të jetuar.
Burimi: Independent / https://shendeti.com.al/


