Denoncimi: Fëmijët me diabet në rrethe nuk ka kush i kuron

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Numri i të sëmurëve me diabet është rritur ndjeshëm. Po kështu është rritur edhe numri i fëmijëve të prekur nga diabeti. Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet në Shqipëri bën me dije se diabeti është një sëmundje që po dyfishohet, ndërkohë që prindërit në rrethe denoncojnë se nuk ka specialistë për fëmijët e tyre që vuajnë nga kjo sëmundje. Pacientët e vegjël për çdo urgjencë, duhet t’i drejtohen Tiranës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë thotë se specialisti endokrinolog-pediatër nuk është parashikuar për spitalet rajonale dhe se rolin e tij e luan fare mirë pediatri. Sipas ministrisë, për rastet urgjente mjafton QSUT-ja.

Megjithatë për prindërit, “vrapi drejt Tiranës” është një kosto shumë e lartë. Përveç detyrimit që çdo gjashtë muaj deri në moshën 14 vjeç fëmijët duhet të shkojnë në Tiranë për kurim, procedurat nuk shkojnë jo pak, por tre ditë. Nga ana tjetër, çdo urgjencë e tyre kërkon të shkosh në kryeqytet. Pra, çdo fëmijë në gjithë Shqipërinë përfundon sërish në Tiranë, pasi të gjithë mjekët pediatër endokrinologë janë përqendruar vetëm në një pikë, teksa spitalet rajonale vuajnë për specialistë.

diabetE ëma e 9-vjeçares: Duhet mjeku specialist në rrethe

Blerta Smakaj nga Shkodra e ka vajzën 9 vjeçe. Ajo thotë se ishte rënia e menjëhershme nga pesha që i detyroi t’i bënin një sërë analizash për të mësuar se e bija ishte me diabet. Tani është detyruar të lërë punën për t’i shërbyer së bijës e cila vazhdon shkollën në klasën e tretë.

Kostot e larta të mjekimit e bëjnë të vështirë jetesën me sëmundjen e diabetit, aq më tepër që për çdo problem të vajzës, ata janë të detyruar t’i drejtohen Tiranës, pasi qyteti i Shkodrës nuk ka një mjek endokrinolog pediatër. Dhe mbërritja deri në kryeqytet, bashkë me burokracitë e shumta, janë të gjitha kosto që i rëndojnë familjes.

“Çdo 6 muaj duhet të vij në Tiranë për analiza dhe për marrjen e letrës së insulinave dhe të sillem plot 3 ditë nëpër spital me një fëmijë diabetik. Një ditë është marrja e letrës së doktoreshës , një ditë marrja e gjakut dhe një ditë përgjigjet dhe prapë takim me doktoreshën. Për mua ky udhëtim është ankth. Kur vij në shtëpi me duhen disa ditë ta bie vajzën në terezi.

“Kontrollet nuk i bëj dot në Shkodër, sepse nuk ka mjek diabeti për fëmijë, vetëm për të rritur. Deri kur vajza të bëhet 14 vjeç, mua më duhet të vij në Tiranë”.

Një nga kërkesat kryesore për Blertën si prind? ” Bërja e analizave dhe marrja e letrës së insulinave këtu në Shkodër. Të ketë mjekë dhe këtu”.

***

Drejtoresha e spitalit të Shkodrës: Urgjencat nisen drejt Tiranës

Drejtoresha e spitalit të Shkodrës, Dhurata Kopliku, e pyetur se si veprohet në rastet e urgjencave me fëmijët me diabet shprehet:

Në këto raste fëmija çohet te mjeku pediatër. Mjeku pediatër thërret mjekun endokrinolog (për të rritur) derisa gjendja e fëmijës të qetësohet. Për të shmangur çdo komplikacion të mundshëm, të mëvonshëm, fëmija niset drejt Tiranës.

***

Ministria e Shëndetësisë: Endokrinolog-pediatër nuk ka gjithë Shqipëria

Lidhur me mungesën e mjekut endokrinolog-pediatër në Shkodër, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se në asnjë spital rajonal nuk është parashikuar prania e mjekut endokrinolog pediatër.

“Bazuar në pyetjet që ju drejtoni në lidhje me mungesën e mjekut endokrinolog pediatër në Shkodër, ju bëjmë me dije se në asnjë spital rajonal nuk ka mjek pediatër-endokrinolog, pra në asnjë prej strukturave të institucioneve shëndetësore në nivel rajoni apo bashkie nuk është e parashikuar prania e këtij mjeku specialist.

“Sa i përket mbulimit të sëmundjeve endokrine tek fëmijët, në të gjithë spitalet e vendit i mbulojnë pediatrit e përgjithshëm, të cilët me trajnimet e kryera kanë eksperiencën e duhur për ndjekjen e tyre.

Në rastet e paqarta dhe të komplikuara, bazuar në sistemin e referimit fëmijët dërgohen pranë Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, ku funksionojnë shërbimet e specializuara – nënspecialitetet pediatrike”.

***

Asim Toro: Numri i të sëmurëve me diabet është dyfishuar. Duhen riparë procedurat

Ndërkohë Asim Toro, drejtues i Shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, thotë se numri i të sëmurëve me diabet është rritur shumë, madje në shifra të tilla që mund të thuhet se është dyfishuar. Teksa flet për këtë rritje, Toro thotë se procedurat ligjore e bëjnë të qenët të sëmurë me diabet një sfidë të vërtetë, aq më tepër që për çdo rast duhet të përfundosh në spitalin QSUT.

“Sfida e një personi me diabet nis që nga mjeku i familjes, duke u konsultuar me të dhe duke marrë një rekomandim. Shkohet tek mjeku endokrinolog me rekomandim, i cili fillimisht të jep vetëm insulinë humane. Insulina humane po hiqet nga qarkullimi nga shtetet evropiane për faktin e efekteve anësore dhe hipoglicemisë. Për shtesë insuline, mjeku endokrinolog i rrethit e drejton pacientin në spitalin e QSUT me një shkresë të përgatitur, qoftë dhe për një penë insuline të vetme.

“Ardhja në Tiranë e shoqëron pacientin së bashku me humbjen financiare dhe stresin e spitalit. Me mbërritjen në spital duhet të regjistrohesh në regjistrin e konsultës për tek mjeku endokrinolog. Pastaj vjen pritja në radhë ku do të merret konfirmimi, i cili është thjesht një miratim nga specialisti. Pasi merret kërkesa bashkë me dokumentet e tjera që duhet t’i dërgosh në një godinë tjetër brenda spitalit dhe aty merr thjesht një vulë në 3 shkresa të njëjta ku do t’i dërgosh: kopje shkrese tek mjeku i familjes, kopje shkrese tek mjeku endokrinolog, kopje shkrese ISKSH-ja e rrethit, e cila të jep fletë tjetër aprovuese. Ky miratim kërkon një ditë kohë dhe mund të merret vetëm pas 24 orësh.”

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë