Shtohen rastet e fëmijëve të prekur me COVID-19 në Berat, fluks edhe nga virozat/ Mjeku: 50 vizita në ditë

Numri i fëmijëve që paraqiten me viroza në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit ka ardhur duke u rritur nga dita në ditë gjatë 2 javëve të fundit, ndërkohë që është shtuar edhe numri i fëmijëve që kanë rezultuar “Covid pozitiv”.

Vetëm gjatë 2 javëve të fundit numri i vizitave në Repartin e Pediatrisë ka arritur nga 40-50 vizita në ditë, ndërkohë që gjatë fundjavës numri i vizitave ka qenë më i lartë për faktin se ambulancat janë të mbyllura.

Lajmi bëhet i ditur nga Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku, i cili deklaron se kjo situatë është krijuar për shkak të ndryshimeve klimatike, uljes së ndjeshme të temperaturave dhe lagështirës si dhe të oshilacioneve që krijon situata e Covid-it në qarkullim, e cila ka filluar që të japi efektet në moshat pediatrike. Sipas Kumarakut, situatat virale që paraqiten janë situata që karakterizohen nga temperatura të larta, shpesh-herë me ethe, çrregullime të aparatit tretës, me kollë dhe me frymëmarrje të shpejtë, ndëkohë që në rastet e fëmijëve me Covid, përveç këtyre simptomave fëmijët kanë shfaqur edhe çrregullime gastro-intenstinale.

Rastet e virozave janë tipike të stinës dhe nuk kanë ndryshime nga viti në vit, ato paraqiten me temperatura rebele dhe ethe, të shoqëruara me çrregullime të aparatit respirator dhe çrregullime gastro-intensinale. “Rastet e virozave stinore, -ka thënë Kumaraku – nuk kanë pasur komplikacione, ato kanë kapërcyer mirë pasi edhe kapacitetet e Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat janë të mjaftueshme për t’i përballuar këto viroza”.

Në lidhje me trajtimin e tyre, mjeku pediatër ku ka deklaruar se virozat po trajtohen me mjekim të thjeshtë, me antibiotik minimal, qetësues si paracetomol dhe algofren si dhe serume.

Ndërkohë që mjeku Kumaraku u bën apel prindërve që në rastet e virozave nuk duhet t’i sjellin fëmijët menjëherë në spital por duhet t’i mbajnë të paktën 48 orë në kushtet e shtëpisë, për vetë ecurinë e virozës që vetëm pas ditës së tretë të saj konkludohet nëse kemi të bëjmë me virozë apo pasojat e saj, që kanë nevojë për trajtim mjekësor spitalor.

Duke u ndalur në shtimin e rasteve të fëmijëve të prekur me Covid, mjeku Kumaraku bën apel për tamponet e shpejta për Covid të çohen edhe në Qendrat Shëndetësore, në mënyrë që të shmangen grumbullimet pranë shërbimit të Pediatrisë. Sipas tij, edhe pse agresiviteti i Covid-it është ulur, depistmi dhe zbulimi i rasteve me Covid duhet të shtrihet edhe në Qendrat Shëndetësore pasi kjo do të shmang përhapjen e tij por edhe do të rrisë edhe më shumë besimin dhe sigurinë tek mjeku i familjes.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim