Pavarësisht se bëhet fjalë për një testim vullnetar dhe falas, shumica e shqiptarëve nuk e kryejnë ekzaminimin për të parë nëse janë të infektuar nga virusi Hiv
Aishe Thartori
Numri i rasteve të reja të infektuar me HIV dhe AIDS shkon nga 95 deri në 100 vetë dhe grupmoshat e prekura prej këtij infeksioni variojnë nga 0-70 vjeç. Kështu shprehet shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Shpëtim Qyra, për gazetën “Shëndet Plus”. Sipas Qyrës, rastet të cilat paraqiten për t’iu nënshtruar testimit vullnetar ndaj infeksionit HIV dhe AIDS janë të pakta. Pranë Institutit të Shëndetit Publik paraqiten rreth 300 persona në vit për t’iu nënshtruar testimit vullnetar dhe nga këto 300 raste një numër të konsiderueshëm zënë individët që ritestohen si rezultat i fobisë ndaj këtij infeksioni.
Ku realizohet testimi vullnetar?
Testimi kryhet në nivel kombëtar duke filluar që nga ato që quhen qendra të këshillimit dhe testimit vullnetar që janë në prefektura ose në laboratorë të Shëndetit Publik Rajonal. Kjo gjë nuk vlen vetëm për HIV dhe AIDS, por edhe për disa infeksione të tjera të Hepatitit B, Hepatitit C dhe Sifilizit. Ndërkohë në të gjitha bankat e gjakut, në të gjitha rrethet realizohen testime po për këto nozeologji (sëmundje që merren në spital), edhe pse për përdoruesit e gjakut testimi tashmë është i përqendruar në Tiranë dhe realizohet me metoda bashkëkohore.
Në Tiranë testimi realizohet gjithashtu edhe në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për donatorët e gjakut, në Drejtorinë e Shëndetit Publik, në Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për arsye të problemeve teknike nuk realizohet kryerja e testimit prej 2 vjetësh.
Në Institutin e Shëndetit Publik bëhet e mundur konfirmimi i rasteve, ndërkohë bëhet në të njëjtën kohë edhe testimi i personave të cilët janë vullnetarë, personave të shtruar në institucionet shëndetësore, kryesisht në klinikat e QSUT dhe testimi për grupet me risk.
Sa është numri i testimeve vullnetare?
Testimi vullnetar, duke u nisur dhe në bazë të statistikave që po shohim deri më tani, është relativisht i kufizuar, i paktë, por nga ana tjetër duke qenë se testi ndaj HIV dhe AIDS realizohet edhe në klinika private jo vetëm në Tiranë, por ndoshta edhe në rrethe, gjë kjo që lejohet edhe me ligj, atëherë pretendohet që numri i të testuarve vullnetarë të jetë edhe më i madh.
Pranë këtij institucioni rreth 300 individë i nënshtrohen testimit vullnetar, por ky numër mund të jetë edhe më i lartë duke marrë parasysh faktin që ai mund të realizohet edhe nëpër klinika private. Natyrisht të gjitha rastet që rezultojnë pozitive, qoftë nga klinikat private, por edhe nga qendrat e lartpërmendura, vijnë dhe konfirmohen në Institutin e Shëndetit Publik.
Duhet theksuar se numri i personave që i drejtohen QSUT-së për t’u diagnotikuar ose konfirmuar, është më i madh sesa numri i personave që i nënshtrohen testimit vullnetar
Cilat janë grupmoshat që i nënshtrohen testimit vullnetar?
Grupmoshat që i nënshtrohen testimit vullnetar janë të ndryshme, por natyrisht ato që dominojnë janë kryesisht grupmoshat e reja. Gjithsesi ka edhe mosha të mesme të cilët të nisur nga një arsye apo një faktor risku, i nënshtrohen këtij testimi. Gjithashtu, këtij testimi i nënshtrohen edhe një kategori e caktuar njerëzish, të cilët vuajnë nga fobia e të qenit të infektuar me HIV dhe AIDS dhe sa herë që ata dëgjojnë në median vizive dhe në atë të shkruar të flitet mbi rrezikshmërinë e këtij infeksioni, edhe pse rezultojnë të jenë persona të painfektuar, i rinënshtrohen këtij testimi.
Pra, testimit i nënshtrohen grupmoshat duke filluar që nga moshat e adoleshencës e deri tek moshat 50 vjeç, ndoshta edhe 60 vjeç.
Rastet e diagnostikuara me infeksionin HIV dhe AIDS në fakt tregojnë se individët e prekur u përkasin grupmoshave të ndryshme duke filluar që nga adoleshentët e deri në moshat 70-vjeçare.
Si jepen rezultatet e testimit?
Me individët bëhet një përgatitje paraprake, me marrjen në anamnezë dhe këshillimin përpara realizimit të testimit. Pra, bëhet një parapërgatitje, i shpjegohen se cilat janë mundësitë dhe si do të dalë rezultati, por natyrisht edhe vetë individët që vijnë t’i nënshtrohen testimit, në njëfarë mënyre janë të përgatitur për rezultatin që do të jepet, pas marrjes së rezultatit natyrisht bëhet edhe këshillimi pas testimit, dhënia e informacionit në lidhje me testin dhe infeksionin. Diagnostikimi me Hiv nuk do të thotë që je i sëmurë me Aids, sepse sëmundja shfaqet vite më vonë.
Çfarë shërbimi ofron ISHP ndaj HIV dhe AIDS?
Pranë këtij institucioni realizohet marrja e informacionit, marrja në anamnezë në lidhje me riskun dhe faktorët e riskut, realizohet testi, dhe më pas informacioni pas testimit. Personat që rezultojnë të infektuar orientohen drejt QSUT-së përkatësisht pranë Spitalit Infektiv ku bëhet trajtimi i tyre. Një ndihmë të madhe ka dhënë në trajtimin e personave me HIV dhe AIDS edhe organizata ndërkombëtare UNFPA.
Statistikat për HIV dhe AIDS
Statistikat në lidhje me HIV dhe AIDS tregojnë se deri më tani numri i të diagnostikuarve varion nga 95-100. Grupmoshat e prekura prej HIV dhe AIDS variojnë nga 0 vjeç (rastet e marrjes së infeksionit në mënyrë vertikale nga nëna tek fëmija e deri tek moshat e treta 70 vjeç (të cilat janë diagnostikuara në stade të vona të sëmundjes). Më të riskuarit ndaj HIV dhe AIDS mbeten grupmoshat e reja.
*Ky suplement është mundësuar nën kujdesin e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik
