Si mund të mbrohesh nga hepatiti A

Dr. Edlira Elezaj

Hepatiti A është një sëmundje inflamatore e mëlçisë, e cila mund të përhapet shumë lehtë. Mënyra më e shpeshtë e transmetimit është nëpërmjet ujit të pijshëm, prandaj sëmundja merr lehtë përmasat e epidemisë. Në një intervistë për “Shëndet Plus” mjekja gastro-hepatologe, Edlira  Elezaj (Ibra), shpjegon se si shfaqet, cilët janë faktorët e riskut dhe si mund të mbrohesh nga kjo sëmundje:

hepatiti a 2

Doktoreshë, çfarë është hepatiti A?

Hepatiti A është një sëmundje inflamatore e mëlccisë që shkaktohet nga një mikroorganizëm që quhet virusi i hepatitit A.

Sa mund të rezistojë në ambjentin e jashtëm ky virus dhe si mund të aktivizohet?

Ky virus është termostatik gjë që do të thotë se ai mbijeton deri në një muaj në temperaturën e ambjentit. Ka një rezistencë të lartë ndaj dizifektantëve të ndryshëm, sidomos atyre që përdoren për dizifektimin e ujit të pijshëm, prandaj rekomandohet që klori të jetë në doza të larta. Kjo është një nga arsyet se përse epidemi të ndryshme shkaktohen nga ndotja e ujit të pijshëm. Ky lloj virusi është inaktiv nga rrezatimet ultraviolet, autoklavat (aparaturat që përdorin dentistët për dizifektimin e mjeteve të punës), nga solucionet formaline.

Si transmetohet infeksioni nga virusi i hepatit A dhe sa është periudha e inkubacionit?

Infeksioni është mjaft i përhapur në vendet në zhvillim dhe trasmetohet nëpërmjet rrugës oro-fekale: duke pirë ujë apo ngrënë ushqime të ndotura me materiale fekale që përmbajnë virusin. Pasi gëlltitet, virusi që përthithet nga stomaku, arrin në mëlçi nëpërmjet gjakut, dhe riprodhohet në qeliza hepatike. Ushqimet “më të rrezikshme” janë frutat e detit të kontaminuara që konsumohen në gjalla dhe perimet e paziera dhe të palara mirë. Burim tjetër infeksioni është dhe kontakti direkt me personin e infektuar. Përhapja e sëmundje lidhet me mungesën e kushteve higjeno-sanitare të popullatës. Periudha e inkubacionit është nga 15-20 ditë, deri në një muaj.

Sa kohë duhet për t’u shëruar nga hepatiti A? Cila është terapia më e pështatshme në trajtimin e kësaj sëmundjeje?

Pjesa më e madhe e personave shërohet brenda pak muajsh dhe lë një imunitet permanent. Nuk është e rallë që infeksioni të kalojë pa shenja tipike, dhe të zbulohet rastësisht nga analiza rutinë.

Përsa i përket trajtimit, nuk ka specifik për hepatitin A. Pacientët mbahen në rregjim shtrati për disa javë nga vendosja e diagnozës.

Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen?

Kjo formë hepatiti ka një ecuri mjaft të mirë. Pacientët arrijnë të shërohen plotësisht brenda pak muajsh. Gjithësesi ndryshe nga format e tjera, hepatiti A nuk evoluon në forma kronike dhe nuk jep dëmtime që zgjasin për gjithë jetën në mëlcci. Në raste shumë të rralla, dhe nëse pacienti shfaq forma të tjera hepatike, mund të kalojë në forma fulminante.

Si mund të parandalohet?

Në vija të përgjithshme hepatiti A mund të parandalohet duke respektuar kushtet higjeno-sanitare. Duke evituar konsumimin e perimeve dhe prodhimeve të detit të palara apo të pagatuara mirë. Masë parandalimi tjetër është konsumimi i ujit të dizifektuar dhe shmangia e kontaktit me personat e infektuar.

 Shenjat e hepatiti A

-dobësi dhe këputje trupore;

-të përziera dhe të vjella;

-dhimbje barku në zonën e mëlçisë;

-temperaturë;

-diarre;

-fecce në ngjyrë të bardhë;

-urinë e errët;

-zverdhje e lëkurës

 Faktorët e riskut

-ushqyrja me ushqime të gjalla ose që nuk janë gatuar mirë

-konsumimi i perimeve të gjalla dhe të palara mirë;

-nëse pini ujë që vjen nga burime të pasigurta nga pikëpamja mirobiologjike;

-nëse laheni në zona të ndotura fekale;

-nëse nuk respektoni masat higjenike

-kontakti me personat e infektuar

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën