Kryefaqja Aktualitet Si po trajtohen ngjarjet terroriste kombëtare dhe ndërkombëtare në median shqiptare

Si po trajtohen ngjarjet terroriste kombëtare dhe ndërkombëtare në median shqiptare

0
Shpërndaje
Ish-ministri i Brendshëm me një nga fëmijët e kthyer nga Siria

Terrorizmi mbetet një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe vetë mënyrën e jetesës së shoqërisë.

Aktet terroriste bëhen lajm kryesor që në momentin që ndodh ngjarja dhe ndiqen dhe trajtohen për ditë të tëra nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre online lajmi tani ka ‘aftësinë’ të përhapet në kohë reale në mbarë globin.

Për të kuptuar më shumë rreth qasjes së medias në Shqipëri mbi fenomenin e terrorizmit dhe trajtimin e tij, shoqata ‘Together for Live” me mbështetjen e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) përgatiti “Raportin mbi pasqyrimin e situatës së terrorizmit dhe ekstremizmit në vend përmes transmetimeve mediatike dhe kuadrit ligjor shqiptar”.

Raporti vëren se “kur ndodhin akte terroriste, si dhe ngjarje ekstremiste, pavarësisht nëse janë në kontekstin shqiptar apo global, media shqiptare i kushton një pjesë të madhe të kohës dhe imazhit këtyre temave, duke filluar që nga momenti që informacioni qarkullon në media deri në tre-katër ditë dhe në një javë pas”. Për akte terroriste të ndodhura jashtë territorit të Shqipërisë mediat shqiptare zakonisht i referohen informacionit të shpërndarë nga mediat e njohura ndërkombëtarisht, ndërsa për ngjarjet brenda vendit informacioni transmetohet pothuajse në mënyrë uniforme.

Por sa vëmendje i kushton media dhe gazetarët shqiptarë analizës së fenomeneve të propagandës terroriste? Sipas Raportit, shumë pak, veçanërisht kur bëhet fjalë për analiza që lidhen arsyet pse propaganda terroriste tërheq ndjekës; bazat e përbashkëta të ndjekësve; prejardhja sociale e të rekrutuarve dhe rrethanat e tyre ekonomike dhe kulturore; dhe veçanërisht marrëdhëniet e tyre me familjen dhe shoqërinë.

Trajtimi i terrorizmit në mediat shqiptare e ka fillesën që nga viti 2014 kur gjerësisht u trajtua çështja e famshme e gjyqit të “imamëve” të vetëshpallur, ku u gjykuan dhe dënuan tetë shtetas për rekrutim terrorist. Deri në vitin 2016 mediat u përqendruan tek lajmet për shtetasit shqiptarë që u larguan nga vendi dhe iu bashkuan radhëve të fraksioneve terroriste që luftonin brenda shtetit sirian por ‘pa tregues të qartë se çfarë po ndodhte realisht në terren në Siri’.

Sipas Raportit, edhe pse lajmet për luftëtarët shqiptarë në Siri vazhduan për tre vite, “informacioni i ofruar nga autoritetet shqiptare për masat e marra për të parandaluar më tej largimin e shtetasve shqiptarë nga vendi për t’iu bashkuar konfliktit në Siri ishte i paktë”.

Në vitin 2016, lajmet që pushtuan titujt e parë të mediave ishin ato rreth vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për ndryshimin e vendndodhjes së ndeshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, në minutën e fundit, për arsye sigurie. Por raporti vëren se ‘informacionet e publikuara nga media për ndalimet dhe arrestimet janë bërë publike me emra dhe foto të shtetasve pa marrë parasysh mbrojtjen e të dhënave personale’ dhe pavarësisht se ata ishin persona nën hetim dhe ende pa asnjë akuzë të vërtetuar. Megjithatë, do të ishte viti 2019 kur për muaj të tërë do të trajtohej fati i fëmijëve dhe grave shqiptare që kishin mbetur në kampet e Sirisë, pas përfundimit të luftës atje. Dhe çështja e përpjekjeve të institucioneve vendase për të sjellë në atdhe viktimat fëmijë dhe gra të mbetur në Siri mori emrin e Alvinit, djalit që u bashkua me pjesën e mbetur të familjes në Itali. Kryesisht lajmet e prodhuara në mediat shqiptare në këtë rast bazoheshin në raportimet dhe kronikat e mediave italiane, pasi për gazetarët shqiptarë ishte e pamunduar të ndiqenin ngjarjet në terren.

Raporti e vë theksin tek rreziku përherë i pranishëm që, nëpërmjet publikimit të përsëritur të lajme për terrorizmin, nëpërmjet videove dhe imazheve, në vend të sensisbilizimit të publikut për rrezikun që i kanoset shoqërisë nga terrorizmi, të ndodhë efekti i kundërt ‘të shndërrohet në një mjet propagande nga terroristi’.

Një nga rekomandimet e Raportit për gazetarët është që ata ‘gjatë përcjelljes së lajmit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë një qëndrim objektiv dhe të pavarur, të vërtetë’.

Po ashtu, Raporti tërheq vëmendjen e gazetarëve për të treguar kujdes më të madh për ‘respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për privatësi, veçanërisht kur lajmet trajtojnë imazhet e fëmijëve dhe të të miturve’, pasi këto kategori mbrohen nga ligjet në fuqi, si dhe të respektohet në çdo rast parimi i prezumimit të pafajësisë. Etika profesionale “duhet të shtyjë çdo gazetar dhe organ mediatik të jetë i matur dhe i menduar kur nuk ka konfirmim zyrtar të emrave të personave përgjegjës të ndonjë akti si dhe emrave të viktimave, që janë përfshirë në një terrorist dhe/ose akt ekstremizmi të dhunshëm, duke shmangur në mënyrë joadekuate frazën “terroristë”.

Respektimi i Kodi i Etikës së Gazetarëve, sipas Raportit “synon të forcojë dhe përmirësojë cilësinë e gazetarisë dhe ndjenjën e përgjegjësisë tek gazetarët në Shqipëri”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here