Si reagojnë burrat kur bashkëshortja u thotë “Jam shtatzënë”

Nga Polikron Çelo

Reagimet nuk janë të njëjta, varen nga një sërë rrethanash si në pritje të fëmijës së parë, shumë vite pa fëmijë, dëshira për një djalë, shtatzëni të paplanifikuara ose që ngjallin dyshime etj.

shtatzeneDisa hollësi (sigurisht nga ato pa zarar) më mirë se burrat, m’i kanë treguar vetë gratë.

  • Mbas martesës, pritet fëmija. Gratë, sa binden për shtatzëninë, dinë të zgjedhin momentin që u duket më i përshtatshëm për të vënë në dijeni bashkëshortin. Kur ndodhen në shtëpi, zakonisht preferojnë krevatin.

Burrat (siç tregojnë gratë) sa marrin vesh se do të bëhen “baballarë” zakonisht nuk përmbahen; shpërthejnë me të qeshura, fjalë të bukura, puthje e përqafime pa fund, kalojnë dorën në fund të barkut në kërkim të bebit (po është herët të prekin gjë), mandej e zbresin pak më poshtë; veprim që rrit më shumë adrenalinën dhe gëzimi arrin kulmin.

  • E dini ç’më tha burri kur i tregova se jam shtatzënë? Po qe se dhe këtë radhë më bën vajzë, më mirë lëre në maternitet – dhe fytyra i mori një pamje të shëmtuar, që nuk e kisha parë kurrë. Po kur bëmë Eko-n dhe mësoi se ishte djalë, si ndryshoi menjëherë; tani mendja i punon vetëm te djali që presim mbas tetë vajzave.

Ja, ky që më parë nuk pyeste fare, tani ka filluar të bëhet merak për shtatzënisë, më nxit të jem e rregullt për vizitat mjekësore, bën kujdes për ushqimin tim, lehtësimin e punëve e ç’nuk bën.

  • Rrallë, po ndodh dhe kështu. Mbas 11 vjet martese pa fëmijë, një mëngjes e shoqja përfundoi në spital me dhimbje të forta barku. Gjatë vizitës, mjeku preku një masë në fund të barkut, po një shtatzëni u përjashtua kur mësoi se ajo nuk mund të lindte. Në këto rrethana, patologu thirri kirurgun dhe të dy kërkuan një Eko. Nuk vonoi dhe përgjigjia erdhi.
Dr. Polikron Çelo

Dr. Polikron Çelo

Urime thanë: “Do të bëheni baba e mama!” E pabesueshme, në moment tronditja dhe ankthi u kthye në një gëzim të papërmbajtur, puthje e përqafime.

Një ditë më pyetën: “Si është e mundur? Si këtu, edhe jashtë shtetit na i prenë shpresat”. U kujtova se natyra bën mrekullira, prandaj raste të kësaj natyre nuk janë dhe aq të rralla.

Duke qenë me humor, më treguan diçka inkurajuese që u patën thënë në vendin fqinj: patologët dinë shumë, po bëjnë pak; kirurgët dinë pak, po bëjnë shumë, ndërsa gjinokologët, as dinë e as bëjnë gjë. Ju duhet t’i thoni faleminderit Ekos, shtova unë, se në mungesë të saj, ky “mister” do të zgjidhej prej thikës, pra, prej atyre që bëjnë shumë.

  • Ndryshe reagojnë burrat kur marrin vesh shtatzëni të papritura, sidomos të padëshiruara (shumë fëmijë, probleme ekonomike ose arsye të tjera).

Në këto rrethana dikush thotë: Ç’është kjo punë, ti ka rrezik të mbetesh shtatzanë dhe me një të puthur, të tjerë O bo-bo, ç’na bëre? ose “Edhe kjo na u desh” dhe zakonisht akuzojnë si të pakujdesshme vetëm bashkëshortet.

  • Në jetën e përditshme ndodh që ky lajm në vend të pritet me gëzim, bëhet shkak për grindje dhe akuza lidhur me atësinë e fëmijës. Sot, në kushtet e emigrimit, burrat kthehen rrallë në shtëpi, mbajnë shënim datat, kanë mësuar të llogarisin kohëzgjatjen normale barrës së zakonshme dhe kur shohin se “nuk u del llogaria”, vënë në dyshim vend e pa vend autorësinë.

babai ne salle lindjePo një pjesë gabojnë – ata nuk e dinë që, përveç lindjeve sipas kalendarit normal, për arsye të ndryshme, ka dhe lindje të vonuara ose të parakohshme.

Nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë të ndahen dyshimet nga e vërteta (atë e dinë vetëm gratë), po sot me anë të një analize (ADN-së), çdo dyshim mund vërtetohet lehtë.

Nga të dhënat zyrtare të gjykatave del se përmes ADN-së, mjaft fëmijë janë bërë me baballarët e vërtetë (biologjikë) e shumë të tjerë kanë humbur atësinë.

Po kujdes, ju burrat që çoku livadhisni, se po u doli ndonjë “bir ose bijë biologjike”, përveç pasojave me gruan, do të paguani dhe për rritjen e tij (nuk ka dardhë me bisht përpara).

Në të vërtetë, lindjet jashtëmartesore nuk janë dukuri e re; po sot në kushtet rritjes së emigrimeve (më parë quhej kurbet), rastet janë shtuar.

Nuk ka qenë e largët koha kur burrat shkonin në kurbet duke lënë gratë vetëm në shtëpi për vite të tëra. Tregojnë se një prej tyre i dërgoi të shoqit këtë mesazh kuptimplotë: “Ka mbetur pa punuar ara, te lisat me çatalla. Do të vish ta punosh vetë, apo ta lëshoj me të tretë?” (Nëse nuk ktheheshin dhe e lëshonin).

Postime të ngjashme

Vaksinat: Konspiracion apo mbrojtje e jetës?
Kur sëmundjes nuk i japim si terapi ilaçin, por betonin
Si 2025 mund të jetë një vit kyç përparimi për industrinë farmaceutike
Shkencëtarët zbulojnë se qelizat e spermës mbajnë gjurmë të stresit të fëmijërisë dekada më vonë
Rreziku i kancerit të prostatës dhe mjekimi me dutasteride
Burrat kanë rrezik më të lartë të Parkinsonit, dhe më në fund mund ta dimë pse
Jetëgjatësia për burrat nuk është në ADN, por në …
Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin, shkencëtarët po na vënë në rrezik