Si të mbrojmë sytë nga dëmtimet e diabetit?

Mimoza Meço, oftalmokirurge (okulistikë)

Sapo pacienti mëson se vuan nga sëmundja e diabetit, duhet t’i nënshtrohet një bilanci të hollësishëm nga mjeku diabetolog (endokrinolog), për të specifikuar sytellojin e diabetit, stadin e sëmundjes dhe regjimin e trajtimit.

Paralelisht me këtë bëhet një kontroll i plotë i funksionit të organeve më të rëndësishme që prek diabeti, ndër të cilët është dhe syri.

Dëmtimet fillestare të diabetit në sy, zakonisht shfaqen brenda pesë viteve të para. Krahas ndryshimeve që ndodhin në sipërfaqen e syrit (djegie, skuqje, lotim, ndjesia e trupit të huaj, infeksionet e përsëritura etj.), prekja më e rëndësishme ndodh në brendësinë e syrit, në retinë (në dritën e syrit), duke shkaktuar atë që quhet retinopatia diabetike.

Diabeti dëmton muret e  kapilarëve, duke lejuar daljen prej tyre të elementeve përbërëse të gjakut. Retina jonë është e pasur me enë gjaku, kjo e bën të prekshme nga diabeti.

Në stadet e hershme të sëmundjes, pacienti mund të mos ketë ankesa në shikim, për këtë arsye kontrolli i syve duhet të kryhet çdo vit. Me avancimin e sëmundjes, shikimi mund të bjerë ndjeshëm, ndonjëherë dhe në mënyrë të parikthyeshme.

DiabetiKontrollin e  retinës e konsiderojmë si një “pasqyrë” për të gjithë trupin, pasi ekzaminimi është i drejpërdrejtë dhe shumë i thjeshtë me aparaturat e sotme.

Qëllimi parësor në trajtimin e diabetit është një kontroll sa më i mirë i nivelit të sheqerit në gjak, përndryshe çdo trajtim që do të bëhej në sy, do të ishte me efekt të pjesshëm dhe afatshkurtër.

Në  stadet më të hershme të diabetit, trajtimi “i artë” i retinopatisë diabetike, aktualisht kombinon: trajtimin me disa seanca Argon- Laser, me injeksione çdo muaj brenda syrit të medikamenteve që pakësojnë dëmtimet e enëve të gjakut. Duhet theksuar se në ecurinë shumëvjeçarë të diabetit, këto trajtime mund të jenë përsëritëse.

Në stadet e avancuara, krahas trajtimeve të mësipërme, mund të lindë nevoja për trajtim kirurgjikal  në  brendësinë e syrit, për të pastruar gjakrrjedhjet e rëndësishme ose ndërlikimet e tjera në retinë.

Si në të gjitha sëmundjet kronike, “çelësi” i suksesit për të siguruar një “bashkëjetesë sa më paqësore” me sëmundjen është: ndjekja sa më e rregullt dhe periodike.

Postime të ngjashme

A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç
Mjekja zbulon ushtrimet më efektive për rënien në peshë
Pse dietat e shpejta nuk ndihmojnë për rënien nga pesha
Dhjami në bark, më i keqi! Mjekja: Personat me risk të shtuar për probleme vaskulare