Meshkujt që ejakulojnë rregullisht– njëherë në ditë – janë më pak të rrezikuar që të diagnostikohen me kancer të prostatës, ka zbuluar një studim i ri. Sipas shkencëtarëve nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, ejakulimi i rregullt gjatë jetës ul rrezikun e kësaj sëmundjeje.
Megjithatë ata thonë se për momentin nuk mund të japin një shpjegim përse ejakulimi mund të ulë rrezikun e kancerit të prostatës, prandaj duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore.
Studime të mëparshme kanë treguar se orgazma mund të ndihmojë në nxjerrjen jashtë nga prostata të substancave kimike që shkaktojnë kancer. Një tjetër teori është se, nëse sperma pastrohet rregullisht dhe lejon zhvillimin e qelizave të reja, ajo parandalon formimin e pllakës bakteriale në qelizat e vjetra, duke ulur kështu rrezikun për kthimin e tyre në kancerogjene.
Prostata është një gjëndër e vogël, sa një arrë, që gjendet mes penisit dhe fshikëzës së urinës. Funksioni i saj kryesor është të prodhojë një lëng të bardhë të trashë, që përzihet me spermën e prodhuar nga testikujt, për të krijuar kështu farën.
Studimi i Harvardit është i pari deri tani që ka ekzaminuar shpeshtësinë e ejakulimit dhe rrezikut për zhvillimin e kancerit të prostatës. Shkencëtarët kanë zbuluar se burrat e moshës 40-49 vjeç që ejakulojnë 21 ose më shumë herë në muaj mund të ulin rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës me 22%, krahasuar me ata që ejakulojnë 4-7 herë në muaj.
Edhe pse nuk janë të qartë se përse ejakulimi ul rrezikun e kancerit të prostatës, shkencëtarët mendojnë se rezultatet janë gjithsesi inkurajuese.
Gjatë studimit u monitoruan gati 32 mijë meshkuj për 18 vite, ku gati 4 mijë prej tyre u diagnostikuan me kancer të prostatës më vonë.
meshkujt u pyetën për shpeshtësinë mesatare të ejakulimit gjatë një muaji. Pasi përjashtuan faktorët e tjerë të rrezikut, si dieta, mënyra jetesës dhe historia familjare e kancerit të prostatës, shkencëtarët zbuluan se sa më shumë të ejakulonin meshkujt gjatë jetës së tyre, aq më pak të rrezikuar ishin nga kanceri i prostatës.
Dr. Jennifer Rider, nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, thotë se rezultatet janë “kryesisht inkurajuese”, megjithatë duhet të interpretohen me kujdes.
“Edhe pse këto të dhëna janë ndër më sfidueset deri tani mbi përfitimet potenciale të ejakulacionit në zhvillimin e kancerit të prostatës, ato janë të dhëna vëzhguese dhe duhet të interpretohen me kujdes”. Ndërkohë, duke qenë se ka shumë pak informacione mbi faktorët e rrezikut për kancerin e prostatës, rezultatet e këtij studimi janë kryesisht inkurajuese”.
Deri më tani nuk dihen me saktësi shkaqet e zhvillimit të kancerit të prostatës, megjithatë rreziku fillon të rritet me kalimin e moshës tek burrat.
Burimi: Daily Mail / Shendeti.com.al
