Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Siguria dhe shëndeti në punë, 4 vendet e rajonit prezantojnë rezultatet e...

Siguria dhe shëndeti në punë, 4 vendet e rajonit prezantojnë rezultatet e studimit

0
Shpërndaje

Ilma Lamçe

“Megjithëse ka një përmirësim gradual në fushën e shëndetit dhe sigurisë në rajon, ende mbetet shumë për të bërë veçanërisht duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve të punësuar në sektorin informal në të gjithë rajonin”.

“Qendra për të Drejtat në Punë”, ka organizuar Konferencën Rajonale “Përmirësimi i shëndetit dhe sigurisë në punë në Ballkanin Perëdimor”. Konferenca bëri bashkë aktorë të rëndësishëm rajonalë si institucionet publike, agjencitë shtetërore dhe kompanitë private të sigurisë dhe shëndetit në punë, organizatat e punëmarrësve, punëdhënësve dhe shoqërisë civile të cilët punojnë në monitorimin e mbrojtjes shoqërore në punë, aspekt i rëndësishëm i së cilës është edhe shëndeti dhe siguria në punë.

Gjatë kësaj konference u prezantuan gjetjet e studimit të ndërmarrë në të katër vendet partnere:  “Qendra për Demokraci”, Serbi; “Qendra për të Drejtat në Punë”, Shqipëri; “Rrjeti i Bashkëmoshatarëve Edukatorë”, Kosovë, dhe “Qendra për Bashkëpunim Civil –Livno”, Bosnje Hercegovina, në partneritet me Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Shoqatën “Together for Life”, Shqipëri si dhe Qendrën për Politika dhe Avokim të Kosovës.

Aktiviteti u përshëndet nga z. Arben Seferaj, drejtor i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, i cili u shpreh se këto tryeza kanë impakt pozitiv sepse ëshë një mundësi për parashtrimin e problematikave. Z. Seferaj foli lidhur me punën e institucionit që ai përfaqëson, misionin dhe vizionin e tij si dhe garantoi se Inspektoriati ka bërë dhe po bën një punë të rëndësishme për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë përmes inspektimeve të vazhdueshme, marrjen e masave dhe fuqizimin e mekanizmave për adresimin e problematikave.

Analiza e gjetjeve në të 4 vendet e rajonit dëshmuan për problematika thuajse të njëjta, çka rezultoi në rekomandime të ngjashme. Mungesa e theksuar numerike në staf e Inspektorëve apo Funksionimi i Këshillave të sigurisë (ngritja e këshillave aktiv), nevoja për mbështetje për përputhjen e rekomandimeve të nxjerra nga Inspektoriati i Punës në raportin për vitin 2017, fuqizimi i tripartitizmit (dialogut social) dhe specializimi i mjekëve të punës ishin disa nga rekomandimet e unifikuara të 4 vendeve partnere.

Jovana Pantovic, CFD, Serbi, prezantoi gjetjet e analizës së kryer, ku midis të tjerash u tha se:

Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punës është ngritur si një organ pune periodik i qeverisë dhe nuk është aktiv në punën e tij. Gjithashtu, lista e sëmundjeve profesionale përbëhet nga 56 sëmundje dhe nuk përfshin shumë sëmundje moderne. Është njoftuar se një listë e përditësuar me nëntë sëmundje të reja është hartuar dhe po pret miratimin.

Eneida Mjeshtri, përfaqësuese e CLR, përcolli rezultatet e analizës së kryer përmes të dhënave të Inspektoratit në Shqipëri për vitin 2017, ku në pasqyrën e gjetjeve kryesore, midis të tjerash u përmend mungesa e kabinetit të sëmundjeve profesionale. Kjo problematikë u mbështet edhe nga përfaqësuesit e punëmarrësve gjatë fazës së diskutimeve. Në rekomandimet për Shqipërinë, Mjeshtri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse të monitorimit të ligjit, aktorëve sindikalë dhe grupeve të tjera të interesit, si organizatat që punojnë në fushën e të drejtave në punë, për ngritjen dhe funksionimin real të Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, përmes fushatave informuese, këshillimit të punëmarrësve, ndërgjegjësimit për rolin dhe rëndësinë ë këtyre strukturave.

Milaim Morina, Qendra për Politika dhe Avokim, në gjetjet e tij shprehu mungesën e Listës së sëmundjeve profesionale. Megjithatë Këshilli ka rënë dakort të dalë me listën e sëmundjeve profesionale. Grupi i punës është krijuar dhe tashmë ka filluar të punojë për hartimin e listës. Analiza e shkurtër e politikave të Kosovës, i ka ndarë rekomandimet sipas institucioneve, përkatësisht për Inspektoriatin e Punës, Qeverinë dhe për Këshillin për Shëndet dhe Siguri në Punë.

Emina Cero Sehic, CGS Livno, Bosnje Hercegovinë, tregoi se deri më tani nuk ka pasur një analizë gjithëpërfshirëse të rregulloreve në fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe të përputhshmërisë të rregulloreve në fushën e shëndetit dhe të sigurisë në punë, si dhe të përputhshmërisë së tyre me rregulloret ndërkombëtare. Në pasqyrën e gjetjeve kryesore u përmend mungesa e legjislacionit në fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë në nivel shtetëror, nuk egizston ende një strategji për sigurinë dhe shëndetin në punë, lista e sëmundjeve profesionale nuk është në përputhje me listën e ILO-s, etj.

Pas prezantimi të rezultateve, sipas agjendës u realizua një diskutim i hapur më qëllim nxitjen e  një debati të shëndoshë rajonal lidhur me përmirësimin e situatës së shëndetit dhe sigurisë në punë në perspektivën e aspiratave të vendeve tona drejt integrimit dhe bashkimit me familjen e madhe evropiane.

Ky projekt mbështetet nga Olof Palme International Center, me fonde të qeverisë Suedeze.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here