Situata në Urgjencën e Pediatrisë/ Ja sa të kënaqur dhe ç’problematika ngrenë qytetarët

Gazetare: Klevisa GJIKA

Jemi në kohë pandemie dhe kërkesat për ndihmë mjekësore janë të shumta. Edhe pse ka nga ata persona që kanë frikë të ekspozohen dhe t’u drejtohen bluzave të bardha, spitalet nuk mbeten bosh.

Në një monitorim të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus” në Urgjencën e Pediatrisë në Tiranë, vumë re se radhët e gjata për të marrë trajtim nga mjekët mungojnë. Qetësia ishte dominuese dhe kjo gjë në këto ditë të ngrohta vere u pëlqen qytetarëve.

Të pyetur për shërbimin mjekësor në kushtet e krijuara nga COVID-19, qytetarët shprehen:

“Tani nuk kishte radhë, por kur është fluks dihet gjëja. Të tërë kur hyra brenda, të gjithë infermierë dhe doktorë, me maska me të gjitha ishin. Na matën dhe temperaturën.”

Më tej një tjetër qytetar tregon:

“Kisha çunin, e vizitova nga veshët, tani mirë. Nuk ka më korrektë, as që bëhet fjalë të mos ofrojnë shërbim. Aty brenda të tërë me maska ishin. Unë hyra deri te dera dhe aty morëm fëmijën. Deri tani, këtu në këtë spital jemi të kënaqur. Këta janë korrektë. Pediatria ka qenë gjithmonë dhe mbetet shembull në Tiranë se kemi sjellë jo nipër, jo mbesa…”

Kontakti me mjekun në lidhje me shëndetin e fëmijës, po jo në prani të këtij të fundit, është një veprim i mirëmenduar sipas prindërve. Një grua rrëfen për gazetën “Shëndeti Plus” se kjo gjë i pëlqen jashte mase.

“Është futur vetëm bashkëshorti. Më pëlqeu që goca doli jashtë dhe që po informojnë burrin. Më pëlqeu ky gjest. Jashtë është më e sigurtë”, tha ajo teksa priste bashkëshortin të dilte.

Pavarësisht shërbimit të mirë, qytetarët ngrenë edhe problematika. Në fokus është mungesa e stolave për t’u ulur dhe për të pritur, nisur nga fakti se vetëm pacienti mund të futet brenda dhe jo të afërmit e tij/saj. Krahas kësaj, temperaturat e larta vështirësojnë qëndrimin. Siç shihet edhe nga imazhet e siguruara nga gazeta “Shëndeti Plus”, ato përpiqen të gjejnë një vend me hije, kryesisht poshtë pemëve përreth spitalit.

Postime të ngjashme

53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025
Rishikimi i Buxhetit 2026: Financime shtesë për shëndetësinë
Temperaturat e larta, Brataj: Vapa rrit infarktet, trombozat dhe vdekjet e papritura
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025
Inaugurohet materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, Sala: 1.2 mld lekë investim
Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik
60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital