Kryefaqja Aktualitet SKANDAL/ Ja si keqtrajtohen fëmijët që nuk shikojnë në Tiranë

SKANDAL/ Ja si keqtrajtohen fëmijët që nuk shikojnë në Tiranë

0
Shpërndaje

Një investigim disa ditor i emisionit “BOOM” ku u angazhuan disa gazetarë, në Institutin Shtetëror të nxënësve të verbër “Ramazan Kabashi” në Tiranë, ka nxjerrë në dritë një skandal të përmasave të mëdha.

Fëmijë që trajtohen më keq se në vendet e botës së tretë. Gjithçka nisi nga një letër në redaksinë e “BOOM”.

Tiranë- Një investigim disa ditor i emisionit “BOOM” në Institutin Shtetëror të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, ku morën pjesë disa gazetarë, ka nxjerrë në dritë të vërteta të dhimbshme mbi trajtimin që u bëhet këtyre fëmijëve të moshës 5-15 vjeç.

Pavarësisht se për këtë shkollë jepet një fond jo i vogël nga shteti shqiptar, kushtet më minimale janë skandaloze.

Dhe po flasim për kushtet minimale të të ushqyerit.

Kamerat e fshehta të gazetarëve tanë kanë regjistruar rrëfimin se për 66 fëmijë ekziston vetëm një frigorifer i vogël edhe ai i ndryshkur.

Kuzhina e Institutit, një frigorifer i vogël për gjithë fëmijët

Gazetarja: Në kuzhinë për çfarë mund të ketë nevojë?

Punonjësja: Lavastovilje. Një sobë. Se i kemi të prishura.

Gazetarja: Të dyja të prishura janë?

Punonjësja: Lavastovilja punon vetën gjysmë. Soba është siç e shikon edhe vetë. Sikur të na i bënit këtë, o Zot, do ju falenderoja shumë.

Edhe frigoriferi është i prishur. Kemi vetëm një frigorifer të vogël.

Gazetarja: Po sa nxënës keni juve?

Punonjësja: Kemi 60 nxënës.

Gazetarja: Me këtë punoni ju, vetëm me këtë? Për 66 veta i mbani këtu gjerat?

Punonjësja: Mos e pyet, ço andej, lëviz këtej.Ky është prish dhe s`është rregulluar dot më. Dhe soba s`është rregulluar dot më. Edhe një lavastovilje.

Drejtori: Ajo lavastovilja se nuk i lajmë dot pjatat me dorë. Se ne kemi një kuzhiniere paradite, një ndihmëse pasdite. Një vetëm a të shtroj, a të gatuaj, a të laj pjatat. Detyrohemi të heqim rojen atje, ta zëvendësojmë me nxënës që të vij t`i ndihmoj.

Ushqimi, kuota ditore sipas Drejtorit është 2.200 lekë (të vjetra), jo pak herë është jashtë standarteve.

Drejtori: Ne jemi munduar që ushqimin ta kenë të mirë dhe ato nuk ankohen. Ne tani ju kemi futur disa gjëra të reja, jashtë normës. Norma me 220 lekë nuk bën asnjë ashtu.Po ne operojmë, ju bëjmë sallata të ndryshme, disa lloj sallatash që ata mund të zgjedhin, me fruta. Me supërat.Dhe nxënësit kanë një supë, kanë një sallatë, kanë dhe atë gjellën tjetër, kanë dhe fruta.

Kamera ka arritur të kapë një drekë vetëm me fasule, ndërkohë që Drejtori ka pohuar se nuk mungojnë sallata dhe frutat.

Jo vetëm kaq. Për darkë, emisioni “BOOM” ka kapur një tavolinë të shtruar me një fetë bukë me çokokrem dhe një gotë qumësht, e vetëm pak minuta më pas vetë fëmijët shprehen se ushqimi nuk hahej.

Nxënësi: Sot do më vijë për të vjellë, nga ai çokokremi.

Gazetarja: S`të pëlqeu buka sot?

Nxënësi: Fare!

Gazetarja: Pse?

Nxënësi: Kur kemi vezë dhe kos dhe çokokrem, s`më pëlqen fare.

Nxënësi: Iiii ma shpifi!

Gazetarja: Edhe ty ta shpifi?

Nxënësi: Të ishte çokollatë ec mo po e hanim po…!

Gazetarja: Po ça ishte ajo?

Nxënësi: Çokokremmm!

Nxënësi: Çokokrem po, por i shpifur.

Gazetarja: A të pëlqen ushqimi këtu, ça ju japin gjithmonë?

Nxënësi: Salçiçe pooo!

Gazetarja: Salçiçe! Po tjetër?

Nxënësi: Majonezë, proshutë!

Gazetarja: Groshë!?

Nxënësi: Po si ha!

Gazetarja: S`e ha groshën ti, po ça ha kur nuk ha groshë?

Nxënësi: E urrej groshën unë.

Gazetarja: Hani ndonjëherë fileto pule?

Nxënësi: Kur bëjnë nga 1 na japin, s`na japin nga 2-3!

Gazetarja: Sallata, ëmbëlsira, hani?

Nxënësi: Hamë! Ça ëmbëlsirash hani?

Nxënësi: Krem kakao, hashure bënin parvjet ashtu hashure, po s`bëjnë më tashi se s`i hante kush, s`i hante njeri, kanë bo një gjellë gjithë shkolla s`e ka ngrënë, gjithë shkolla.

Gazetarja: Ishte gjellë e keqe?

Nxënësi: Ma shpifi! Kam hëngër një herë supë kështu me perime, atë kur e kam hongër për herë të parë, e din si u bona?

Gazetarja: Si u bone?

Nxënësi: Unë volla!

Fëmijët, (të mos harrojmë janë me probleme shikimi), përdoren edhe për të zëvendësuar rojen, apo zgjohen disa prej tyre që në 6.45 të mëngjesit për të qenë në kuzhinë.

Letra e një fëmije të këtij Instituti mbërritur në redaksinë e “BOOM” ka përshkrime akoma më të pabesueshme, si ushqime që rrinë në magazinën e mbushur me minj dhe mace, salçiçe të thartuara.

Kur vijmë tek higjena, fëmija pohon se shumë prej shokëve të tij janë me parazitë sepse kujdestarët kanë thënë se nuk ka shampo.

Po ashtu peshqirët e çarçafët janë të konsumuar prej vitesh.

Sipas këtij fëmije, kjo letër u është dërguar edhe në zyrat e Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Avokatit të Popullit. Emisioni “BOOM” ishte institucioni i fundit ku janë drejtuar këta fëmijë që nuk kërkojnë as luksin e zyrës së Drejtorit dhe as vëmendjen e kamerave të zyrtarëve shqiptarë, thjesht kërkojnë trajtim njerëzor, ushqim, veshje dhe pak dashuri.

LETRA PËR BOOM

Përshëndetje teta Fiori dhe teta Rozana. Unë jam nxënës i Institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”. Do të doja që të lija këtë email anonim pasi do të ndikonte negativisht për mua pasi Drejtori do të më ndëshkonte duke më lënë pa ngrënë ose duke na ndëshkuar me punë të rënda dhe duke na ndaluar të marrim pjesë në mësim. Po ju kontaktoj pasi dua t’ju infomoj që shkolla jonë ka filluar një javë me vonesë pasi drejtuesit e shkollës po rinovojnë ambjentet e tyre të punës me pajisje luksi, dyer. Ndërsa ambjenti ku ne ushqehemi është një ambjent i kohës së mesjetës ku nuk ka furrë, as frigorifer por ne ushqehemi me ushqimet që rrinë në magazinë e cila është e mbushur gjithnjë me minj dhe mace. Për të ngrënë më shumë na japin fasule dhe salçiçe të thartuara. Ndërsa sa i përket higjenës personale ne nuk kemi fare pasi nuk ka shampo, ujë të rrjedhshëm. Peshqirët dhe çarçafët janë tejet të përdorur dhe kanë marrë ngjyrë të verdhë. Gjithashtu disa nga shokët e mi kanë parazitë në kokë pasi na kanë thënë kujdestarët që nuk kanë shampo. Dhe si pasojë ne detyrohemi ti blejmë vetë shampot. Gjithashtu ne kemi mungesë të rrobave, dimri ka ardhur dhe këtë vit shkolla nuk na ka blerë asgjë, ndërsa vitet e tjera na i blinte të gjitha. Ky është mesazhi i 7 që dërgoj, jo në emision por në organet qeveritare si Kryeministria, Ministria e Arsimit, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Avokatit të Popullit. Të gjithë këto mesazhe kanë rënë në vesh të shurdhër, ju lutem na ndihmoni. Ju jeni shpresa jonë e fundit.

BOOM në magazinën e Institutit

Drejtori: Po që se është e mundur ne na mungon një frigorifer banak aty te kuzhina sepse ai që është ka 20 vjet dhe është ndryshkur dhe shëndetësia e ka nxjerrë jashtë përdorimi. Nuk është normale që ta kemi aty. Këto janë edhe institucione simbolike. Vjen Ambasada amerikane, vijnë gjithë Ambasadat, vijnë këto të Bashkisë e dhe duhet të kenë një lloj paraqitje./Oranews.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here