Skandali i barnave, dorëhiqet drejtori i FSDKSH-së, Astrit Beci: Krenar për arritjet e mia

Jep dorëheqjen drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci. Dorëheqja e Becit vjen pas skandalit të rimbursimit të barnave.

Astrit BeciNë deklaratën zyrtare, Beci shkruan:

“Në emër të dinjitetit tim personal, në shprehje të përgjegjshmërisë më të lartë institucionale, me dëshirën për t’i hapur plotësisht rrugën çdo hetimi dhe me vullnetin për të ruajtur dhe forcuar emrin e mirë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij Fondi, i bindur se krijoj kështu klimën më të mirë institucionale për mbarëvajtjen e reformës në shëndetësi dhe për luftën e domosdoshme kundër korrupsionit.

“Jam krenar për arritjet e shënuara në këtë periudhë 20 mujore gjatë së cilës kam drejtuar një prej Enteve më të rëndësishëm në zemër të reformës më të vështirë të ndërmarrë nga një administratë politike. Në dokumentet bashkëngjitur do të gjeni të plotë arritjet e kësaj periudhe, e cila ka qenë e vështirë, plot me sfida dhe me shumë kënaqësi që prodhon puna e përbashkët.

“Falënderoj çdo bashkëpunëtor që ka qenë pranë meje me kontributin e tij dhe jam i bindur se arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe nga stafi që kam drejtuar, janë të pakthyeshme dhe të qëndrueshme.

“Në lidhje me hetimin penal të kërkuar prej meje si Drejtor i Përgjithshëm për shpërdorimet dhe përfitimet e paligjshme nga skema e rimbursimit të disa subjekteve farmaceutike, i takon institucioneve të drejtësisë t’i shkojnë deri në fund politikës “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, që unë kam zbatuar në krye të Fondit. Për arsye të sekretit hetimor kam zgjedhur gjatë kësaj periudhe të mos flas publikisht. “Me  përfundimin e projekt-raportit auditit kam dërguar pranë Drejtorisë së Tiranës rekomandimet për masat organizative, disiplinore dhe administrative, të cilat mendoj që do të mundësojnë mirëadministrimin e kësaj drejtorie. Jam i bindur se pasardhësi im në detyrë do t’i ketë ato përparësi të punës së tij. Duke falënderuar personalisht të gjithë ata që patën besim tek unë dhe më mbështetën moralisht dhe institucionalisht, mbetem i bindur se çdo arritje e secilit është një hap më tej i vendit dhe i qytetarëve të tij drejt një standardi më të lartë e më të merituar jetese”.

Me respekt dr. Astrit Beci

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak