“Jam operatori më i madh në treg, ndaj sulmohem kaq shumë. Më kanë kontrolluar të majtë e të djathtë sa herë kanë dashur, le të vijnë të më kontrollojnë sërish. Këto akuza ndaj firmës sonë nuk janë të bazuara”. Kjo është deklarata e dhënë nga drejtuesi i “Omegafarma”-s ndërsa emri i kësaj kompanie përflitet për lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë për vjedhjen e miliarda lekëve
përmes skemave mashtruese.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili bëri publik këtë skandal, shkruan sot:
“Vetëm me dy Insulina, në 5 muaj janë vjedhur 388.320.000 leke të reja. Të gjitha nën kujdesin e Beqes!
Të dashur miq, këtu keni përmbledhjen e një kontrolli që tregon se vetëm kompania pranë ministrit Beqaj ka vjedhur me rimbursimin e dy insulinave, nga nëntori deri në mars, plot 388.320.000 lekë të reja.
Kështu, përsa i takon rimbursimit të insulinave: Kemi të bëjmë me një vjedhje në vazhdimesi me shifra të mëdha për buxhetin e Fondit. Për të treguar se sa është masa e abuzimit po ju sjell shembullin e dy insulinave më të përdorshme për tremujorin e parë të vitit 2015, e cila paraqitet e tillë:
- Insulinë e thjeshtë bazë janë rimbursuar nga Fondi 41.000 pena, ndërkohë që janë shpërndarë nga depoja importuese vetëm 7.200 pena. Pra, 33.800 pena janë rimbursuar me receta fiktive. Vlera totale e vjedhjes shkon në 24.674.000 leke te reja. Kurse në total, prej muajit nëntor 2013, shifra shkon 123.370.000 lekë të reja.
Një detaj në lidhje me këtë abuzim lidhet me depon farmaceutike “Omegafarma”, e cila për tremujorin e parë 2015 është furnizuar nga importuesi vetëm me 2.400 pena dhe ka lëshuar fatura për 33.600 pena duke mbuluar një vjedhje prej 31.200 penash me fatura fiktive, të cilat kapin vlerën 22.776.000 lekë teë reja.
- Për një insulinë të përzier janë rimbursuar nga Fondi 80.000 pena, ndërkohë që janë shpërndarë nga importuesi vetëm 13.000 pena, pra 67.000 pena janë rimbursuar me receta fiktive, me vlerë totale prej 52.930.000 lekësh të reja. Abuzimi prej muajit nëntor 2013, kap vlerën 264.650.000 leke te reja.
Po e njëjta depo, “Omegafarma”, për tremujorin e parë 2015 është furnizuar nga importuesi me 4.600 pena dhe ka lëshuar fatura për 67.000 pena, duke mbuluar një vjedhje prej 62.400 pena ose në vlerë 49.296.000 lekë të reja.
Vetëm për këto dy insulina abuzimi kap shifrën 388.320.000 lekë të reja. Vetëm për këto dy barna, kompania prane Ministrit Beqaj, që është lejuar të vjedhë në shifrën 72.066.000 lekë të reja vetëm në tre muaj. Kurse për gjithë periudhën që i është rimbursuar “Omegafarmës”, shifra vetëm për këto dy barna është plot 360.330.000 lekë të reja.”


