Denisa Canameti
Pavarësisht përpjekjeve për informim shëndetësor, në të cilën gazeta “Shëndet+” është lider, jo pak prindër janë tërësisht injorantë në drejtim të sjelljes ndaj fëmijëve të tyre kur ata kanë probleme shëndetësore.
Kjo tregohet qartë në rastin e paraqitur pak ditë më parë në Tiranë, ku një nënë (emri nuk bëhet i ditur për arsye konfidencialiteti) ka dërguar në poliklinikë foshnjën e vet 8-muajshe, që kishte 3 muaj me diarre. Mjekja infeksioniste e cila e priti rastin, tregon:
“Na erdhi një nënë me një fëmijë të vogël. Ai fëmijë kishte 3 muaj me diarre. Nëna e kishte mbajtur me serume dhe më e frikshmja është se nuk e kishte ushqyer mirë, me idenë se serumi është ushqim. Jemi skandalizuar. Jemi trembur. Fëmija mund të kishte vdekur. Nuk e di se si mund ta lësh fëmijën 3 muaj të vuajë nga diarreja dhe, për më tepër, të mos e ushqesh.
“Ia sqaruam zonjës në fjalë se në një shtet tjetër do t’ia kishin marrë fëmijën dhe do të kishte përfunduar në burg. Nuk është pretendim fakti që fëmijës i është dhënë serum, që ta lësh fëmijën pa ushqyer. Shumë prindër e pretendojnë një gjë të tillë. Nuk kuptojnë se serumi nuk e zëvendëson ushqimin. Përkundrazi, ushqimi është i pazëvendësueshëm. Fëmija ishte i dehidruar dhe në gjendje vërtet të rëndë.
“Më bën përshtypje sesi prindërit nuk sensibilizohen që të njohin disa shenja paralajmëruese, siç janë diarreja apo temperatura. Është detyrë e prindërve të informohen lidhur me problemet që kanë me fëmijët. Nëse nuk kanë ku lexojnë, të paktën të pyesin mjekët e familjes”, u shpreh infeksionistja për gazetën “Shëndet+”.