Skandali me mbetjet e rrezikshme spitalore, Prokuroria mbyll hetimet, çon për gjykim 10 zyrtarë dhe 3 administratorë të kompanive

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spiralore.

Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.
Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit:
• Elvis Miri, administrator i “Vale Recycling” Shpk
• Elidiana Shehu, administratore e “EMC” Shpk
• Laert Shehu, administrator i “Swot” Shpk
Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale.
Gjithashtu, u morën të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248 i K.Penal) dhjetë inspektorë dhe zyrtarë të institucioneve mjedisore: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A..

Ata dyshohen se kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Nga analiza e të dhënave rezultoi se, gjatë periudhës 2017–2022, subjekti “V. R..” ka përfituar mbi 30 tendera, duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B. Ky hetim nxori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente.

Postime të ngjashme

Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
“Mos e nënvlerësoni” – Mjeku: Kujdes nga infeksioni i Impetigos, ja shenjat dhe mënyrat e trajtimit
53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025
Rishikimi i Buxhetit 2026: Financime shtesë për shëndetësinë
Temperaturat e larta, Brataj: Vapa rrit infarktet, trombozat dhe vdekjet e papritura
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025