Media dhe qytetarët po gëlojnë rreth skandalit që ka shpërthyer së fundmi në Spitalin Onkologjik në Tiranë. Ditë më parë Prokuroria e Tiranës “zbërtheu” skemën kriminale se si mjekët dhe stafi i Spitalit Onkologjik bënin pazare dhe orientonin drejt privatit paciantët e diagnostikuar me kancer.
E vetmja që është prononcuar publikisht është mjekja Alketa Pere (Ymeri) mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, e cila është është nën akuzën “shpërdorim detyre”.
E ftuar në emisionin “Top Story”, mjekja Pere ka plasur publikisht të vërtetat rreth mungesës së ilaçeve, mungesës së shërbimit në kohë, të cilat rezultojnë fatale për jetën e pacientëve, si dhe pakënaqësitë e mëdha për drejtimin e Shërbimit të Onkologjisë, duke thënë publikisht se duhen rishikuar edhe një herë pozicionet e drejtuesve.
Në një reagim në rrjetin social në Facebook, drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Together for Life”, Eglantina Bardhi, duke mos shmangur në asnjë varg përgjegjësinë individuale të mjekes, shkruan se deklarata e mjekes “Nëse nuk merr ilaçet në kohë, pacienti vdes” është pasqyra e të vërtetës së madhe.
Ndërkohë Bardhi nënvizon se “peshku qelbet nga maja” dhe se vrasësi kryesor është Qeveria.
“Të dashur kolegë, mjeku është mitmarrësi më i madh i këtij sistemi sepse, ngjyen gishtin drejtpërdrejt në xhepin e pacientit dhe për këtë nuk ka asnjë justifikim, por Qeveria është vrasësi kryesor, që nuk buxheton shërbimet shëndetësore sipas nevojave të pacientëve.
Boll u kapët me bishtin e fundit të kavallit, kërkoni llogari për miliona e miliarda PPP e tenderash që i zhvasin 5 persona.”
Reagimi i plotë:
Në paradën e modës së radhës në studio televizive, në vend që të kesh përball kryeministrin, apo ndonjë biçim ministri për t’i kërkuar llogari për mungesë medikamentesh dhe shërbimesh në spital i kërkohej llogari mjekes së tronditur mendërisht.
Për të mos e justifikuar këtë të fundit, sigurisht që ajo e kishte ngjyer gishtin diku me ndonjë vazo lulesh, apo me ndonjë 10 mijë lekësh, apo edhe më shumë se vë në dyshim. Por kjo zonja, as kolegët e saj nuk kane firmos tendera e koncesione medikametesh miliona euro. Madje zonja mjeke ndoshta për të treguar se nuk është ajo e keqja më e madhe e kësaj tragjedie bëri një shërbim të madh publik.
Deklaroi se nëse mungojnë barnat e mjekimi, pacienti vdes. Tha një të vërtetë që asnjë shef shërbimi, apo burrrë mjekë nuk ka guxuar ta thotë me zë e figurë, por për këtë nuk është përgjegjëse ajo, është ministria, është qeveria që shpenzon para për lukse e korrupsion dhe nuk prokuron barna sa janë nevoja.
Të dashur kolegë, mjeku është mitmarrësi më i madh i këtij sistemi sepse, ngjyen gishtin drejtpërdrejt në xhepin e pacientit dhe për këtë nuk ka asnjë justifikim, por Qeveria është vrasësi kryesor, që nuk buxheton shërbimet shëndetësore sipas nevojave të pacientëve.
Boll u kapët me bishtin e fundit të kavallit, kërkoni llogari për miliona e miliarda PPP e tenderash që i zhvasin 5 persona.