Skënder Brataj: Të (pa)vërtetat e urgjencës kombëtare

Bisedoi: Denisa Canameti

Reforma e urgjencës kombëtare është një nga pikat më të debatuara dhe aktuale në sistemin shëndetësor. Vazhdimisht, në adresë të gazetës “Shëndet plus” vijnë denoncime nga qytetarët lidhur me vonesat e ambulancave dhe denoncime nga mjekët lidhur me shkatërrimin e ndërtesës së vjetër të urgjencës. Debate dhe akuza të pafundme për ambulanca të vjetra dhe aparatura të vjedhura. Përballë këtij fluksi informacionesh, gazeta “Shëndet+” iu drejtua për një intervistë drejtorit të urgjencave kombëtare, Skënder Brataj. Ky i fundit shpjegon se pse kjo reformë u prit keq nga bluzat e bardha, cila është gjendja në të cilën e gjeti urgjencën kombëtare, si po vijon puna në qendrën e koordinimit dhe cilat janë vështirësitë e implementimit të kësaj reforme.

Në bazë të studimit të thirrjeve dhe misioneve të bëra për vitin 2016 në urgjencën e Tiranës rezulton se ka pasur 48.000 të tilla, ose e thënë ndryshe, 133 thirrje në ditë. Por shifra është larg realitetit. Sot Tirana ka 680 mijë banorë rezident. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, numri i thirrjeve për ndihmë është rreth 20% e numrit të banorëve, gjë që do të thotë dy ose trefishi i thirrjeve aktuale. Ndaj, Qendra e Koordinimit është zotuar të marrë, vlerësojë dhe menaxhojë trefishin e këtyre thirrjeve.

Doktor, ka shumë pak kohë që prej nisjes së funksionimit të njësisë së koordinimit të urgjencës kombëtare, megjithatë a mund të themi se si po ecën puna?

Fillimi i punës së njësisë së koordinimit ishte 3 prilli siç ishte deklaruar. Para se të arrihej në këtë rezultat, ka qenë një punë dyvjeçare, që nga marsi i 2015-s . Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore  është shërbim i urgjencës mjekësore në të cilën bëjnë pjesë: njësia e koordinimit dhe komand kontrolli i gjithë urgjencave të Shqipërisë, koordinimi i njësisë së helikopterit për transport mjekësor dhe vënia e standarteve të urgjencës mjekësore. Pra, si bëhet urgjenca në parësor, spitalor, spitalor universitar dhe Traumës. Shumë mund të thonë se ç’punë ka urgjenca te parësori apo të spitali, kur ky është një institucion më vete? Ka punë në kuptimin që vë standartet.  Si ndërtohet qendra, si ndërtohet njësia e koordinimit etj. Njësia e koordinimit, për shembull, kur kam ardhur në fillim ka pasur problemin e hapësirës . Kërkova ndryshime në projekt, por për fatin e mirë e gjeta në letër. Ku më ishte caktuar një vend ku do të rrinin 10 operatorë. Por, 10 operatorë që të rrinë, duhet të kenë standarde europiane, që nesër kur të kërkojë akreditimin e institucionit, të njihet si njësi koordinimi, siç janë gjithë qendrat operative të Europës. Ajo hapësirë që gjeta në letra ma bënte punën, por nuk mund të akreditohej asnjëherë si institucion me standardet ndërkombëtare.

Teknologjia: Duhet të jetë bashkëkohore dhe që  garanton thirrjen dhe përgjigjen në kohë shumë të shpejtë, garanton komandë në kohë reale të mjetit më të afërt me vendndodhjen, koordinim të të gjitha mjeteve dhe monitorim të lëvizjes së mjetit në kohë reale, me një raportim në kohë reale të përfundimit të misionit. Ne kemi  llogaritur që humbja e kohës të jetë zero.

Nga koha e marrjes së thirrjes e deri të vajtja të pacienti, sa është koha e llogaritur?

Standardet i kemi bërë 10-15 minuta në zonat rurale dhe 25 minuta janë ekstrarurale. Dhe me kontrollet që kemi bërë, kemi qenë gjithnjë brenda këtyre shifrave.

A ka një protokoll të urgjencës mjekësore?

Protokoll duhet të ketë për çdo gjë. Ne kemi bërë një udhëzues, i cili ka përfunduar dhe është duke u shtypur. E bëri Ministria e Shëndetësisë dhe për të u mblodh një komision ekspertësh në bashkëpunim me USAID-in. E kemi bërë me kapituj të ndryshëm. Personalisht jam interesuar më shumë për kapitullin e urgjencës në të cilin kemi vënë të gjitha urgjencat në të gjithë sektorët me qëllim që profesionisti, mjeku apo infermieri ta ketë në dispozicion. Po flasim për profesionistët që janë aktivë në punë .

Emrin udhëzues e kemi përdorur për shumë arsye. Së pari, sepse ka edhe një boshllëk ligjor në shumë gjëra. Prokuroria protokollin e quan ligj. Por nga ana tjetër, në konceptin mjekësor thuhet se mjeku reagon sipas vetëdijes dhe nënvetëdijes, duke u udhëhequr nga udhëzuesit apo protokolllet. Po përcaktuam me protokoll disa pika, nëse lihet një pikë e protokollit pa ndjekur, do të thotë që nuk ke zbatuar ligjin. Megjithatë në mjekësi nuk hyn ligji. Sepse kur bëj një protokoll dhe i vë 5 pika, e zbatoj. Ndërsa nesër del një studim i ri që thotë: Në këto 5 pika, 2 nuk kanë dhënë rezultat, ndaj duhet t’i ndryshojmë. Por që të bëjmë ndryshimin e këtyre pikave, duhet të bëj përditësimin e gjithë personelit në mënyrë që ta zbatoj. Dhe protokolli do kohën e vet.

Midis të tjerash kemi vënë edhe kartelën mjekësore territoriale që nuk ekzistonte. Është vënë që në nëntor të 2016-s. Ajo të mbron ose demostron se çfarë ke bërë dhe s’ke bërë. Çfarë them unë si mjek është aq e vërtetë sa edhe fjala e pacientit që mund të pretendojë të kundërtën. Ajo që shkruan ngelet.

Pas standardeve, kërkuam të shikonim edhe se ku i kishim të lokalizuara mjetet. Në bazë të popullsisë dhe bazë të infrastrukturës.

Si është bërë rekrutimi i stafit, sa i trajnuar është stafi duke nisur nga shoferët e deri te mjekët?

Qendra e koordinimit të urgjencës mjekësore është institucion që bën komand-kontrollin. Si personel të vetin ka administratën dhe personelin mjekësor të njësisë së koordinimit të përbërë nga mjekë dhe infermierë. Janë 25 infermierë dhe 15 mjekë. Ky personel është përzgjedhur nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, në bazë të procedurave në APP-së. Kemi aplikuar disa herë derisa është plotësuar numri i mjekëve dhe infermierëve dhe më pas filloi trajnimi i tyre.

Trajnimi është bërë nga ne si qendër dhe nga kompania që fitoi tenderin, e cila kishte të parashikuar edhe trajnimin e personelit për sistemin e integruar.

Duhet të sqaroj se ky sistem i integruar  ka tre aplikacione:

  • rubrikën ku futen të dhënat,
  • cila është arsyeja që merr në telefon (ka një kodifikim)
  • kartografinë.

Në momentin që qytetari merr në telefon, celulari i tij më verifikon se ku ndodhet. Dhe në të njëtën kohë, në kartografi shikoj mjetet që kam në atë zonë dhe mjetet që kam më afër. Në bazë të llojit të mjetit që do të kem, veproj.

Pra, janë tre programe që hapen në të njëjtën kohë, në kohën zero. Kur shoh që është kod i kuq, e kaloj bisedën me mjekun dhe menaxhimi dërgon ambulancën, megjithëse telefonata nuk ka mbaruar ende. Kjo shkurton kohën, pasi ndërkohë që qytetari sqaron në telefon, ambulanca po shkon në vendndodhje. E kam thënë disa herë që, kur flasim për emergjencë, do të thotë janë prekur parametrat jetësor tani, domethënë: presioni është nën normë, frekuenca kardiake ka ndryshuar, frymëmarrja ka ndryshuar, niveli i oksigjenit në gjak ka ndryshuar. Nëse nuk ndërhyhet në kohën zero, qytetari rrezikon jetën, rrezikon të vdesë.

Për t’u kthyer tek çështja e trajnimit që më pyetët, duhet të them se në trajnim kemi punuar në mënyrë të tillë që shoferi të jetë edhe dhënës i ndihmës së parë. Jo të gjithë janë në gjendje të japin ndihmën e parë. Kjo nënkupton që të jem në gjendje të mbaj në jetë me dy duar dhe një frymëmarrje një person që shkon në arrest kardiak, të di të bëj shtypjen e gjoksit dhe të jap frymëmarrje.

Doktor, çfarë u desh të reformohej, në çfarë gjendje ishte urgjenca kombëtare?

Urgjenca ishte në gjendjen që merrje në telefon 127-n dhe nga ana tjetër nuk përgjigjej askush. Çfarë ndodhte?

E para, në çdo qytet ishte një telefon apo maksimumi dy telefona që merrnin thirrjen. Tirana ishte me 3 telefona. Me tre telefona është e pamundur që të mblidhen të gjitha thirrjet për ndihmë. Urgjenca kapej pas 10 minutash. Kjo bënte të mos u përgjigjeshim të gjitha thirrjeve në spital.

E dyta, shpërndarja e mjeteve. Ato mjete që ishin, ishin të gjitha në një pikë.

E treta, personeli ishte i ardhur nga pjesë të ndryshme të shërbimeve dhe ishin mbledhur në një qendër.

E katërta, nuk kishte ndonjë kurs kualifikimi mbi urgjencën. Ishte e organizuar në mënyrë të tillë që çdo qytet kishte një numër të vetin urban dhe qytetarët e atij qyteti duhet ta dinin që ishte numër urgjence.

Pse pati kaq shumë përplasje për mënyrën sesi u vendos të organizohej urgjenca kombëtare?

Është politizuar shumë për mendimin tim. E dyta, në përgjithësi ndodh që njerëzit t’i kundërshtojnë modelet që nuk i kanë parë ndonjëherë. Pra, të renë gjithmonë e kundërshtojmë. Në fillimet e punës sime, akuzat e para ishin: nuk kemi benzinë, nuk kemi ilaçe, do na heqin nga puna. Ky ishte 1 shkurt i 2016-s. Në momentin që u dha urdhri i ministrit, kërkova autorizim që ilaçet dhe karburantin t’i drejtoja vetë. Bëmë një prokurim për karburantin dhe nga 1 marsi i vitit të kaluar 2016 nuk kemi pasur më probleme. Sigurisht, sot ka akuza të tjera.

Në fakt, ka një kategorizim për ambulancat, të tipit A dhe B. Si bëhet ky kategorizim dhe sa ambulanca të tipit A kemi ne?

Tipi A dhe B i ambulancave ka të bëjë jo vetëm me aparaturat, por dhe personelin që do të ngjitet në këto autoambulanca. Që unë të them tipi A dhe tipi B, them që kjo ambulancë ka defribilator semioautomatik, barrelën , aspiratorin, oksigjenin, infermierin dhe dhënësin e ndihmës së parë, shoferin.

Ndërsa kjo tjetra (ambulanca e tipit A) ka këto që thamë, si dhe një monitor defribilator manual, llojin e barrelës për traumën, pajisjen e çantës me ilaçe. Mendësia është se po nuk pamë mjekun, nuk e quajmë që ka ardhur ambulancë.

Personalisht kam këmbëngulur vitin e kaluar për të marrë 21 monitorë defribilatorë manual që janë të një cilësie shumë të mirë. Këto i vumë nga një për çdo spital rajonal dhe tre i lamë vetëm për Tiranën. Tirana nuk ka tre mjete, ka 7. Mjetet janë të amortizuara, ndaj kuptohet që duhet të mbash 1-2 rezervë, që po u prish njëra, të fusim tjetrën. Kështu që tre duhet të kishin defribilator manual të ri. Më duket se ka pasur te urgjenca e Tiranës 1 defribilator manual dhe dy kanë qenë brenda në godinë (janë me goditje elektrike). Por ato duhet të kenë korrent, nuk janë me bateri. Kështu që nuk e merr dot me vete që ta kesh në rrugë. Goditja elektrike është shpëtimtare në disa raste.

Jeni akuzuar që ambulancat janë pa siguracion dhe pa kolaudim

Pa siguracion nuk është asnjëra, gjithsesi janë të vjetra. Por unë nuk e ndërpres dot shërbimin me arsyen se mjetet janë të vjetra. Gjëja më negative që kam parë kur erdha, është se nga 2005-a asnjë mjet nuk kishte kolaudim, asnjë mjet nuk kishte paguar taksat. Unë kam ardhur në 2015-n. Kërkova verifikim për mjetet që kemi dhe kërkova të fillonte procesi i kolaudimit. Por që të bëhet një proces i tillë duhet të shkosh te institucioni që e ka pasur që të paguajë detyrimet. Nuk mund të shkoj t’i paguaj unë, pasi bëj shkelje ligjore. Megjithatë unë kërkova të shkonin për kolaudim. Është e detyrueshme të shkruhet “ngel”, sepse japin leje për një muaj të paguash detyrimet dhe të rikthehesh përsëri me mjetin. Me atë fletë mjeti mund të qarkullojë. Të jem i sinqertë dhe i ndershëm, edhe nëse nuk e kalojnë kolaudimin, unë nuk e ndaloj dot punën se në fund të fundit, këto mjete janë në dispozicion.

Gjë tjetër negative ishte që të shtata ambulancat ishin të përqendruara te ambulanca e Tiranës. Dhe që të shkonte në Kombinat, Kinostudio apo në Laprakë duhet të nisej nga një pikë që është pika më me trafik në Tiranë (zona e ish-bllokut). Kështu vendosëm t’i shpërndajmë në disa pika të qytetit.

Por njerëzit vazhdojnë të ketë probleme. Ku adresohen denoncimet e qytetarëve?

Puna jonë sapo ka nisur. Nja dy denoncime që janë bërë, i përkasin menaxhimit të urgjencës së vjetër.

Doktor, po pranojmë për një moment që gjithçka koordinohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga qendra e koordinimit. Sa jemi në kushtet për të shkuar te pacienti në kohë? Sa ju favorizon terreni, për të qënë ju në kohë te qytetari?  Vijnë pa fund raste denoncimi: Nuk erdhi ambulanca, erdhi me vonesë…

Kjo del gjithmonë në media, ku theksohet se bota ka korsi preferenciale të urgjencës. Por nuk është kaq e vërtetë. Në shtete të caktuara kanë rrugë të mëdha, autostrada.

Ndërkohë ne kemi shpërndarë mjetet në disa pika me qëllim që autoambulanca të mbërrijë sa më shpejt te qytetari. Kini parasysh se ne po e përshtatim urgjencën me infrastrukturën që kemi. Sepse nuk mund të presim të bëhet infrastruktura dhe pastaj të bëjmë urgjencën./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë