Kryefaqja Aktualitet Sot, dita ndërkombëtare e rinisë/ Manastirliu apelon: Bëhuni mbrojtësit e vetes, të...

Sot, dita ndërkombëtare e rinisë/ Manastirliu apelon: Bëhuni mbrojtësit e vetes, të prindërve, të të afërmve, të më të dobtëve

0
Shpërndaje

Gazetare: Klevisa GJIKA

“Pak më shumë kujdes sot, shmang pasoja që nesër mund të rezultojnë fatale”, shkruan ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në rrjetin social facebook. Ajo kërkon që të rinjtë të bëjnë kujdes dhe të jenë më të vëmendshëm në situatën e krijuar nga koronavirusi, pasi jeta vlen.

Përshtatjen me normalitetin e ri Manatirliu e lidh me indiferencën e moshës. Ajo ngre pyetjet:

“A është vërtet një sakrificë kaq e madhe, të heqësh dorë nga festat e mbipopulluara, nga vendgrumbullimet në plazhe dhe bare, pa distancim fizik dhe masa higjene? Vende që më pas shndërrohen në vatra, ku virusi përhapet me shpejtësi marramendëse?

A nuk ia vlen që edhe për ca kohë, të përshtatemi të gjithë bashkë me një normaliteti të ri, ku kryefjala është KUJDESI, HIGJENA, DISTANCIMI?”

Më tej, ajo shton: “Virusi mund ta shndërrojë trupin tuaj në bartës, në rrugëtimin e vet drejt trupit të prindërve dhe të afërmve tuaj. Të cilët, ndryshe nga ju, për shkak të moshës dhe imunitetit, mbase nuk do të ishin në gjendje ta përballonin sëmundjen.”

Ministrja kërkon që të rinjtë të bëhen mbrojtësit e vetes, të prindërve, të të afërmve, të më të dobtëve. Ajo kërkon që kjo situatë reale dhe jo e stisur, të sillet ndërmend dhe të konkretizohet me humbjet e jetëve dhe me numrin e të shtruarve në dy spitalet COVID nëse vazhdimisht besohet se është inekzistente.

“Sa herë të dëgjoni deklarata të gënjeshtërta, të atyre që pandeminë e shohin jo si rrezik nga i cili duhet të mbrojnë njerëzit, por si shansin që duhet rrokur në ajër për të çoroditur dynjanë me sulme të paprincipta, ndaluni dhe dëgjoni pak edhe thirrjet e ekspertëve të shëndetit, mjekëve, që dinë çfarë thonë dhe çfarë bëjnë dhe që, e kanë treguar me vepra, se i shërbejnë me përkushtim vetëm interesit tuaj.

Sa herë të dëgjoni deklarata të papërgjegjshme mbi ekzistencën e virusit, mendoni ju lutem për ata njerëz që po vuajnë në spital, për shkak se nuk mbushen dot me frymë, me virusin që u ka ‘pushtuar’ mushkërinë. Mendoni pak për të afërmit, që presin me ankth për fatin e njerëzve të tyre të dashur.”

“Gëzuar Festën dhe kalojeni këtë ditë, ju lutem, duke reflektuar pak më shumë mbi peshën e madhe që ka sjellja dhe përgjegjshmëria juaj, në këtë kohë sfiduese që po kalon Shqipëria dhe e gjithë bota”, e mbyll postimin ministrja.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here