Kryefaqja Aktualitet Spitalet nuk zbatojnë ligjin për të drejtën e informimit, mungesë transparence

Spitalet nuk zbatojnë ligjin për të drejtën e informimit, mungesë transparence

0
Shpërndaje

Denisa Canameti, Shoqata Together for Life

Transparenca në institucionet publike shëndetësore mungon. Spitalet bashkiake, rajonale dhe terciare, kanë detyrimin që të bëjnë transparencën e veprimtarisë së punës, përmes Programit të Transparencës në bazë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Në të thuhet: “Çdo institucion duhet të vendosë në zbatim një program institucional të transparencës, ku përcaktohen kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë dhe mënyra e bërjes publike të këtij informacioni. Ky ligj ka për qëllim nxitjen e integritetit, të transparencës e të përgjegjshmërisë së autoriteteve publike”.

Përmes faqes zyrtare në web mund të publikohet informacioni i programit që synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së institucionit, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare i cili duhet të pasqyrohet në rubrika, tekste/përmbajtje, afatet kohore për bërjen publike të tij, mënyrën e bërjes publike si dhe strukturën përkatëse e cila prodhon ose administron dokumentin, ku çdo dokument duhet të jetë i aksesueshëm edhe në skemë.

Spitalet pa faqe interneti dhe program transparence

Nga një kërkim i redaksisë së “Shëndet Plus” në periudhën1 gusht –17 shtator 2018, rezulton se spitalet universitare që nuk kishin të pasqyruar program transparence janë : Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” edhe pse ky institucion ka buxhetin më të lartë për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, nuk kanë Program Transparence : Spitali Universitar i Traumës, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Përditësim: QSUT, Jemi në proces

Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Z. Enkelejdi Joti i kontaktuar lidhur me këtë çështje gjatë kohës së përgatitjes së artikullit, na orientoi sërish për informacion tek Koordinatori për të Drejtën e Informimit, në këtë institucion Alvi Bajramaj. Lidhur me arsyet e mospasjes së një programi transparence të reflektuar në faqen e internetit të këtij spitali Bajramaj tha se: “Po punojmë për programin e transparencës, ndërkohë që është në proces edhe shtimi i kategorisë në faqen e internetit siç e kërkon ligji në fuqi”. Aktualisht, ky program është shtuar ne faqen e internetit te QSUT-së.

Sa i takon spitaleve rajonale nga hulumtimi i kryer rezulton se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë as faqe zyrtare në internet:

Institucioni Faqe interneti Program Transparence
Spitali Rajonal Berat Jo Jo
Spitali Rajonal Dibër Jo Jo
Spitali Rajonal Elbasan Po Jo
Spitali Rajonal Fier Jo Jo
Spitali Rajonal Gjirokastër Jo Jo
Spitali Rajonal Korçë Jo Jo
Spitali Rajonal Kukës Jo Jo
Spitali Rajonal Shkodër Jo Jo
Spitali Rajonal Vlorë Jo Jo

Koordinatorët për të Drejtën e Informimit: Nuk e njohim Programin e Transparencës

Të kontaktuar në telefon nga gazetarët e “Shëndet plus”, Koordinatorët për të Drejtën e Informimit në spitalet universitare shprehen se nuk e njohin programin e transparencës. Gazetarët e “Shëndet plus” kanë telefonuar 2 koordinatorë për të drejtën e informimit (pika kontakti për median), dhe rezultoi se nuk ishin në dijeni të detyrimit për të pasur një Program Transparence.

Kontrolli i Lartë i Shtetit: Të kryhen inspektime administrative pranë Spitalit Universitar të Traumës

Në raportin e auditimit të ushtruar në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), me objekt “Auditim financiar dhe përputhshmërie”, për periudhën 01.01.2016 deri në 31.12.2017, mbi saktësinë, vërtetësinë dhe besueshmërinë e ndërtimit të pasqyrave financiare, shkallës së zbatueshmërisë nga subjekti, të rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, u konstatua se “SUT nuk ka përgatitur programin e transparencës ku të përcaktojë kornizën ligjore të veprimtarisë së tij, si një mënyrë konkrete përmes së cilës SUT ndërton dhe rrit transparencën në  punën e tij institucionale, nën garancinë e ligjit për të drejtën e informimit duke e përditësuar herë pas here programin e transparencës.

“Mungon faqja zyrtare në ëeb ku mund të publikohet informacioni i programit që synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së SUT-së, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare i cili duhet të pasqyrohet në rubrika, tekste/përmbajtje, afatet kohore për bërjen publike të tij, mënyrën e bërjes publike si dhe strukturën përkatëse e cila prodhon ose administron dokumentin, ku çdo dokument duhet të jetë i aksesueshëm edhe në skemë. Mungesa e faqes zyrtare të SUT-së nuk mundëson për publikun informacion pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm dhe informacione që karakterizohen nga kufizime të identifikimit të të dhënavepersonale për shkak të ruajtjes së privatësisë së individëve, subjekteve të të dhënave, etj.” shkruhet në raportin e KLSH

KLSHrekomandon“SUT-së”kryerjen e inspektimeve administrative pranë autoritetit publik Spitali Universitar i Traumës, Tiranë, monitorimin e programeve të transparencës, si dhe për vendosjen e sanksioneve për shkeljet e konstatuara.”

MSH: Nuk kemi kompetencë, drejtpërdrejt përgjegjësi e Komisionerit Për të Drejtën e Informimit

I kontaktuar nga gazeta “Shëndet plus”, Koordinatori për të Drejtën e Informimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Edmond Abdyli shprehet se:

“Ministria e Shëndetësisë edhe pse është institucion epror (për spitalet) nuk ka asnjë kompetencë për monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 119/2014, dt. 18.09.2014 “Për të drejtën e informimit, apo për marrjen e ndonjë mase. Është drejtpërdrejt Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucioni përgjegjës, sipas ligjit për çdo veprim që ndërmerret”.

Komisioneri IDP:Asnjë sanksion administrativ ndaj institucioneve shëndetësore

Shoqata Together for Life ka depozituar dy kërkesa për informacion pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përputhje me nenin 11 të ligjit nr. 119/2014. Në shkresën e pare TFL ka kërkuar informacion se cilat janë institucionet shëndetësore që kanë detyrim për të përgatitur Programin e Transparencës, ku duhet të publikohet dhe  kush i kontrollon institucionet shëndetësore për zbatimin e ligjit që lidhet me përgatitjen e Programit të Transparencës.

Në përgjigjen e datës 11. 09. 2018, Zyra e Komisionerit shprehet se “Spitalet universitare , spitalet rajonale dhe Spitalet bashkiake janë autoritete publike dhe kanë detyrimin e përgatitjes së programeve të transparencës.

Programi i transparencës publikohen në faqen zyrtare të autoritetit publik si dhe në ambientet e autoritetit publik. Zyra e Komisionerit nuk ka vendosur sanksion administrativ ndaj institucioneve shëndetësore por ka kryer inspektime dhe ka lënë rekomandime për disa prej institucioneve shëndetësore,” thuhet në shkresën e parë. Megjithatë nuk ka një specifikim lidhur me rekomandimet e lëna dhe afatatet për zbatimin e tyre.

Në kërkesën e dytë të datës4. 09. 2018, Together for Life vë në dijeni  Komisionerin në lidhje me  institucionet shëndetësore që nuk kanë program transparence dhe kërkon të dijë nëse ka kryer Komisioneri për Të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale inspektime administrative pranë këtyre autoriteteve publike, për monitorimin e programeve të transparencës, si dhe për vendosjen e sanksioneve për shkeljet e konstatuara.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përgjigjen e datës 11. 09. 2018shprehet se “mbikëqyrja e zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, kryhet nëpërmjet monitorimit të elementëve të ndryshëm të ligjit si p.sh. numri i autoriteteve publike që kanë hartuar programet e transparencës, koordinatorë të caktuar nga autoritetet publike, përditësimi i regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, numri i ankesave të shqyrtuara, hetimet e kryera, seanca dëgjimore të zhvilluara si dhe vendimet e dhëna. Inspektimi është kryer pranë Spitalit të Traumës

(Inspektim i reflektuar edhe në Raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me objekt “Auditim financiar dhe përputhshmërie”, për periudhën 01.01.2016 deri në 31.12.2017 në SUT).

Muratej: Institucionet cenojnë procesin e transparencës

Andi Muratej, avokat, thotë se Institucionet spitalore kanë cenuar procesin e transparencës. “Çdo institucion ka për detyrë që të publikojë në faqen zyrtare Programin e Transparencës, me të dhënat siç janë përshkruar në ligjin nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”(LDI). Ky ligj duhet zbatuar nga çdo institucion i administratës publike ku bëjnë pjesë edhe spitalet. Çdo institucion duhet të ketë faqe internet, funksionale ku të publikohet ky program.

Program i transparencës, ndihmon shtetasit që të informohen mbi veprimtarinë e institucioneve publike si dhe të orientohen për të realizuar të drejtat e tyre të ligjshme. Moszbatimi i detyrimit nga të gjitha institucionet e parashikuara në ligj cenon transparencën e institucioneve shëndetësore”.

Gjobë në rast të mosrespektimit të programit të transparencës

Sipas nenit 18 të Ligjit për të Drejtën e Informimit mosvënia në zbatim e programit institucional të transparencës, brenda afatit të parashikuar dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë, ndërsa mosrishikimi i programit institucional të transparencës, brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 5, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë.

(LIGJ Nr. 119/2014 PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT : Autoriteti publik, jo më vonë se 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji ose nga krijimi i tij, vë në zbatim një program institucional të transparencës-Neni 4, pika 1.

Afatet për rishikimin e programit të transparencës mund të ndryshojnë në varësi të natyrës së çdo autoriteti publik, por, në asnjë rast, nuk mund të jenë më të gjata se 5 vjet. –Neni 5, pika6)

Kujtojmë se kjo gjobë paguhet nga buxheti i spitalit, duke reduktuar të ardhurat që mund të përdoret për medikamente apo investime të tjera brenda spitalit.

Megjithatë, referuar përgjigjes së Komisionerit për të Drejtë e Informimit , për pyetjen se cilat janë institucionet shëndetësore publike së cilave i është vendosur sanksion për shkelje të detyrimit për përgatitjen e Programit të Transparencës dhe bërjen publik të tij, thuhet se zyra e Komisionerit nuk ka vendosur sanksione administrative ndaj institucioneve shëndetësore.

 

Taryn Vian, MS, PhD, Profesor i Asocuar i Shëndetësisë Globale, Universiteti i Bostonit, Fakulteti i Shëndetësisë Publike

Dr. Vian, një eksperte e njohur e shëndetit global, e cila ka qenë e pranishme në Shqipëri vitin e kaluar në një program trajnimi të institucioneve mbikëqyrëse lidhur me luftën ndaj korrupsionit në shëndetësi,  në një komunikim me gazetarë të shoqatës “Together for life”, e njohur me këtë monitorim të kryer është shprehur se është e rëndësishme puna për nxjerrjen në pah të mënyrave specifike, përmes së cilave spitalet dhe institucionet e tjera mund të ndajnë të dhënat e performancës me publikun.

“Rritja e vetëdijes/ndërgjegjësimit për të drejtat e pacientëve për kujdes të sigurt, efektiv dhe të përballueshëm është objektiv prioritar për të arritur qëllimet e mbulimit universal shëndetësor dhe Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Është e rëndësishme të monitorohet performanca e institucioneve publike në raport me angazhimet dhe standardet që janë vendosur, si dhe proceset e vendimmarrjes të jenë të qarta për të gjithë”,  përfundon Vian komentin e saj.

 

Rëndësia e transparencës në qeverisje

Transparenca është një mjet fikas, i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Transparenca e institucioneve publike shtetërore  është baza për të rritur përgjegjshmërinë e këtyre institucioneve ndaj qytetarëve. Meqenëse janë qytetarët ata që kontribuojnë me paratë e tyre në funksionimin e këtyre organizmave, atëherë vetë interesi publik për t’u informuar rreth mënyrës së shpenzimit të tyre është mjaft i madh. Aksesi në të dhënat zyrtare bën të mundur evidentimin e mangësive të mundshme të eficencës në qeverisje, duke krijuar mundësi vlerësimi dhe përmirësimi për një menaxhim sa më të mirë të shërbimeve apo aseteve publike.

Situata me transparencën e spitaleve vazhdon te mbetet e pandriçuar edhe pas ndërhyrjeve te institucioneve mbikëqyrëse si KLSh apo Komisioneri për IDI. Ajo që është e qartë është që spitalet publike që paguhen me paratë e taksapaguesve nuk kanë zbatuar ligjin dhe askush nuk mban përgjegjësi. Gazeta do të vazhdojë ta ndjekë këtë problematikë edhe në numrat e ardhshëm.

“Ky investigim mbështetet financiarisht nga projekti: “Transparenca në sistemin shëndetësor”, që mundësohet nga mbështetja e Popullit Amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi vetëm e “Together for Life” dhe nuk reflekton detyrimisht pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here