Spitali Amerikan tërhiqet nga kërkesa për dëmshpërblim financiar nga ‘Shëndet+’

Nga Gjergj Erebara

Në seancën e radhës të procesit gjyqësor mes Spitalit Amerikan dhe gazetës “Shëndet+”, avokatët e këtij spitali kërkuan pakësimin e objektit të padisë, duke hequr dorë vullnetarisht nga kërkesa për dëmshpërblim në masën 1 milion lekë nga gazeta.

Spitali Amerikan, kompania private që ofron pjesën dërrmuese të shërbimit të dializës së paguar nga paratë e taksapaguesve, në padinë e ngritur ndaj “Shëndet+” pas një artikulli të publikuar më 26 prill 2016 , pati kërkuar fillimisht përgënjeshtrim të shkrimit, pagesën e shpenzimeve gjyqësore dhe të avokatit si dhe një dëmshpërblim financiar në masën 1 milion lekë të rinj.

Por, pas një viti pas hapjes së procesit gjyqësor, kompania vendosi papritur të heqë dorë nga kërkesa për dëmshpërblim financiar, duke u kufizuar te kërkesa për përgënjeshtrim dhe për pagimin e shpenzimeve gjyqësore.

“Duke qenë se gjykojmë që më e rëndësishme për imazhin e spitalit do të ishte vetëm përgënjeshtrimi për publikimin e të dhënave mashtruese në faqen e tyre të web-it dhe të paktën në dy gazeta kombëtare dhe/ose 2 media audiovizive kombëtare dhe se dëmshpërblimi në para kundrejt të paditurve nuk do të kishte aq vlerë për ne, saç ka në fakt imazhi i kompanisë tonë,” kërkohet pakësimi i kërkesëpadisë, shkruhet në dokumentin e Spitalit Amerikan të dorëzuar në Gjykatën e Tiranës.

Në shkrimin e publikuar më 26 prill 2016 në faqen online të gazetës “Shëndet+”, të bazuar në dokumente dhe deklarata të pacientëve të cilët marrin shërbimin e hemodializës në këtë spital, deklarohet se Spitali Amerikan nuk ofron sipas paketës së shërbimit të hemodializës shërbimin e lavanderisë dhe ushqimit.

Nga ana e spitalit është pretenduar se këto shërbime nuk janë në kontratën e tij me Fondin dhe se nuk paguhet për këtë. Gazeta “Shëndet+” ka siguruar fakte që vërtetojnë se sigurimi i këtyre shërbimeve përfshihet në paketën prej 11204 lekë të rinj që jep shteti shqiptar për çdo seancë hemodialize.

Gazeta i qëndron fakteve të raportuara në shkrim dhe nuk ka ndër mend të tërheqë shkrimin./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni