Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Një përbërës i gjetur tek çaji jeshil mund të përmirësojë aftësitë njohëse të personave të prekur nga sindroma daun, ka zbuluar një ekip shkencëtarësh.
Shkencëtarët kanë zbuluar se përbërësi “epigallocatechin gallate”, që gjendet më shumë tek çaji jeshil, por edhe tek çaji i bardhë dhe i zi, përmirëson memorien vizuale tek këto persona.
“Rezultatet sugjerojnë se individët që trajtohen me përbërësin e çajit jeshil, së bashku me terapitë për zhvillimin mendor, kanë aftësi më të mira njohëse”, shpjegon dr. Rafael de la Torre, i cili ka drejtuar trajtimin klinik 1-vjeçar së bashku me dr. Mara Dierrssen.
Ekipi zhvilloi gjithashtu teste të imazheve të trurit tek 84 pjesëmarrës, të grupmoshës 16=34 vjeç, për të arë nëse zhvillimi i atribuohet ndryshimeve fizike ose neuropsikologjike në tru.
“Ishte e habitshme të shihje si këto ndryshime nuk ishin vetëm njohëse, në arsyetim, të të mësuar, kujtesë dhe përkujdesje, por sugjeron se janë modifikuar edhe funksionet lidhëse të neuroneve në tru”, tregon dr. de la Torre.
Shkencëtarët do ta vazhdojnë studimin e tyre, i publikuar tek revista The Lancet Neurology”, ku do ta nisin me trajtime klinike tek fëmijët me çrregullime gjenetike.
Sindroma daun është një çrregullim i shkaktuar nga ekzistenca e një kromozomi ekstra, i cili në shumicën e rasteve nuk është i trashëguar. Personat me këtë çrregullim kanë vështirësi në të mësuar, dhe jetojnë deri në moshën 50-60 vjeç.
Sipas dr. Dierssen, “është hera e parë që një trajtim ka treguar efikasitet në përmirësimin e disa aftësive njohëse tek personat me këtë sindromë”.
Ai sqaron se nga studimi i fundit nuk kanë gjetur kurën për sindromën daun, por një trajtim për të përmirësuar cilësinë e jetës së këtyre individëve.
Burimi: Independent / https://shendeti.com.al/


