Mjeku Ilir Alimehmeti ka bërë thirrje që të mos përfshihemi nga paniku sepse varianti “Delta” është shumë më i butë se variantet e tjera dhe nuk do sillte kurrsesi situatën e kaluar në muajt e fundit të 2020.
Në fillimin e kësaj jave mjeku parashikonte që kurba do fillojë të ulet sepse kemi prekur kulmin e kësaj vale të katërt të Covid-19. Ndërkohë, me një studim të publikuar në Facebook ai ka vërtetuar parashikimin e tij. Bazuar në të dhënat e deritanishme, Alimehmeti deklaron i bindur se ky variant po humb intensitetin dhe java që vjen do të shënojë reduktim të dukshëm të rasteve të reja me koronavirus.
Postimi i plotë
“Ndiqni linjat e grafikëve, jo linjat e titujve mediatikë.”
Cit.: Presidenti William J. Clinton
Duket se vala Delta ka ngadalësuar miqtë e mi! Siç e prisnim dhe e diskutuam më datë 30 gusht, bazuar mbi ecurinë epidemiologjike të kurbave të mëparshme në Shqipëri dhe ecurinë e variantit Delta në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, faza plateau dhe fillimi i zbritjes duhet të jenë ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator.
Faktikisht po të analizojmë javë pas jave të dhënat zyrtare që nga korriku e sot vërejmë:
Dyfishim të rasteve të reja totale javë pas jave. (Grafiku 1)
Vetëm javën e fundit kemi një nivel të qëndrueshëm në krahasim me javën e mëparshme.
60-120% rritje relative të përqindjes së testimeve pozitive javë pas jave. (Grafiku 4)
Rritje relative vetëm 7.9% javën e fundit në krahasim me javën e mëparshme. (15.1 – 14) / 14 = 7.9%
Rastet aktive shtesë është më pak se dy javët e mëparshme, duke treguar se shërimi ndodh më shpejt se variantet e mëparshme, kur shërimi deklarohej të paktën 3-4 javë pas infektimit. (Grafiku 2)
Le të shpresojmë për mirë dhe që kjo javë të mund të na japë sinjalet e para të rënies!
Ndërkohë, kujdesuni për veten:
Mbani distancë!
Evitoni grumbullimet!
Vaksinohuni nëse nuk e keni kaluar sëmundjen!”


