Suksesi, të fitosh vetveten

Flet Mirela Sula, shkrimtare dhe psikologe, pas botimit të librit “Mos e lër vetveten të ikë”

Shëndeti i mendjes dhe betejat për të arritur harmoninë. Historia e një libri të suksesshëm

Duhet të fitosh vetveten dhe, falë kësaj, mundesh të gjesh forca dhe energji për të qenë në harmoni e plot sukses me të tjerët dhe botën përreth. Kjo është kauza dhe këshilla plot dashamirësi që Mirela Sula ka ndjekur dhe ua rekomandon të gjithëve. Këtë përcjell në librin “Mos e lër mendjen të ikë”, një produkt mendimesh të mira, esëll, dhe të qarta, falë meditimit të thellë dhe energjish për të dhënë mirësi edhe te të tjerët. Gazeta “Shëndet Plus” bëri një bisedë me autoren rreth shumë çështjeve që trajtohen në këtë libër, por edhe për interesat dhe planet e saj në të ardhmen.

Mirela. Që herët jeni marrë me poezi. Por, më vonë nisët studimet dhe karrierën në psikologji. Si ndodhi ky shndërrim? Cilat ishin shtysat?

-Po ka nisur që herët dëshira ime për të shkruar, si një nevojë e moshës për t’u shprehur dhe më pas u kthye në forcë zakoni. Sa jemi të rinj të gjithë kemi prirjen për të gjetur hobet dhe pasionet tona. Teksa vitet kalojnë, disa i lënë në mes, e disa i zhvillojnë. Tek unë kërkesa ndaj këtij pasioni filloi të marrë përmasa të tjera. Nuk mjaftohesha më me mendimet abstrakte, por doja që vargjet e mia të kishin kuptim apo të përcillnin mesazhe. Akoma më shumë rritet kjo kërkesë nëse provon të shkruash në prozë. Një ditë të bukur pashë që pasioni im për letërsinë filloi të kapërcehet në të tjera dimensione që i gjeta te Psikologjia. Kështu, ndodhën transformime në stilin tim dhe ndjeja se shtysa drejt thellimit të Psikologjisë nuk më largonte aspak nga letërsia, por përkundrazi; më bëri që të jem me këmbë në tokë.

mirela 2

Çfarë të përbashkëtash ka letërsia me psikologjinë? Si komunikojnë ato me njëra-tjetrën? Po dallimet?

Në letërsi ndodh shpesh që shkrimtari të luajë me vetëdijen e tij: Herë e vë në vetën e parë, herë në vetën e tretë; herë sajon personazhe që ta përsosë atë, apo ka raste që gërryen thellë unit të vet; fillon e luan duke krijuar karaktere dhe duke provokuar imagjinatën e tij. Poeti apo shkrimtari këtë e bën pa drojë, sepse është brenda kufijve të lojës. Është një lloj trimërie që e ndeshim shpesh në historitë “fiction”. Ndërsa në psikologji çdo gjë duhet të jetë e bazuar mbi argumenta dhe analiza të thella. Në fakt, kohë më parë, kur psikologjia ende nuk ishte e zhvilluar, kanë qenë poetët dhe shkrimtarët ata që janë marrë me çështjet e shpirtit. Dhe, sigurisht që kanë shumë të përbashkëta pasi të dyja edhe letërsia edhe psikologjia merren me botën e brendshme të njeriut, përpiqen ta zbërthejnë karakterin e tij, të bëjnë analiza dhe të dalin në konkluzione. Por, ndryshe nga letërsia, psikologjia është shkencë, dhe nuk të lejon të hedhësh hipoteza të cilat nuk je në gjendje t’i mbrosh. Në fillimet e mia unë kam qenë shumë abstrakte në mendime dhe psikologjia më ka bërë më tokësore, më konkrete dhe më të drejtpërdrejtë.

Libri “Mos e lër mendjen të ikë” është një libër  që sjell përvojat e tua personale, të pacientëve të tu, praktika klinike, të studimeve tuaja në fushën e psikoterapisë, por edhe të eksperiencave të tua poetike. A është meditimi çelësi kyç i këtyre fushave në realizimin final të këtij libri në këtë formë?

E kam thënë edhe në hyrje të këtij libri, është pikërisht meditimi ai që nxori në sipërfaqe të gjitha këto dimensione. Shumë herë ne nuk jemi të vetëdijshëm për potencialet që kemi. Ato ekzistojnë si mundësi, por ne nuk i shfrytëzojmë këto shanse. Është si të kesh një mjet teknologjie të zhvilluar dhe të mos dish t’ia përdorësh opsionet. E tillë është edhe mendja jonë, që nëse nuk ia aktivizojmë potencialet që ka, dhe nuk i vëmë në përdorim, ajo rri në gjendje të fjetur dhe ne nuk marrim maksimumin prej saj. Meditimi është ajo teknikë që bën të mundur zhvillimin e mendjes dhe si rrjedhim rritjen e mundësive tona. Të tilla kanë ardhur të gërshetuara edhe përvojat e mia në këtë libër, si një potencial që ka ekzistuar gjithmonë aty, por që përmes meditimit u bë i mundur.

Në poezinë tuaj, por edhe në këtë libër; edhe në jetën e përditshme, në komunikimin me miqtë, vlerësoheni për një qasje pozitiviste të gjërave, për një vullnet konstruktiv dhe për një individ që ka objektiva dhe qëllime.  Këtë e ndani dashamirësisht me të tjerët. Pse e bëni një gjë të tillë?

Nuk është e lehtë, dhe, unë nuk mendoj se ia kam dalë gjithnjë me sukses. Duhet të pranoj, se edhe unë, si qenie njerëzore, kam shfaqur shpesh dobësitë e mia, por realisht nga dëshira e mirë për t’u përmirësuar në këtë proces unë punoj çdo ditë me veten. Për mua ka qenë gjithmonë e rëndësishme “Trajtoje tjetrin siç do të donte të të trajtonte ai ty”. Sa herë më është dukur se kam “gabuar” në këto komunikime e kam kthyer veten në këtë frazë të cilën më vonë e kam bërë pjesë të mantrave të mia. Sigurisht, si të rritur nuk mund të pretendojmë që të kemi pëlqimin apo dashurinë e të gjithëve, sepse këto kërkesa ndodhin vetëm në botën e fëmijëve, por sidoqoftë mundohem sa mundem që të jap maksimumin në komunikimin me ta. Ky është një proces që ka ardhur duke u zhvilluar dhe përmirësuar gjatë rrugës, gjatë ndërgjegjësimit dhe dëshirës për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët. Për mua “të tjerët”, nuk janë thjesht “bota jashtë meje”, në Univers të gjithë jemi të lidhur me të gjithë, ndaj duke e ditur rëndësinë e kësaj të vërtete jam munduar ta aplikoj si formulë në ndërmarrëdhëniet e mia. Me sa duket kur fillova të rris vetëdijen rreth kësaj rëndësie shumë gjëra filluan të ndryshojnë për mirë duke bërë të mundur që bota brenda të ishte në harmoni me botën jashtë. E kur ky ekuilibër ndodh, qëllimet dhe objektivat të bëhen më të lehta dhe më të arritshme.

-Në këtë libër nuk ndani thjeshtë mendime, por ndani edhe alternativa zgjidhjeje; ofroni mirësinë si armë të mendimit. Si i vlerësoni reagimet e deritanishme të lexuesve? Po të kolegëve tuaj? Si është rrugëtimi i librit tuaj në komunikimin me lexuesin?

-Ky libër ka qenë vërtetë një befasi për mua, duke filluar që nga mënyra se si është shkruar e deri tek reagimet e lexuesve. Gjatë muajit gusht të vitit të shkuar unë isha në një pikë të Universit që nuk mund ta përcaktoja dot, pra nuk mund t’i vija një emër – ku isha? Isha në pritje për të filluar një jetë tjetër nga fillimi (pasi do të lëvizja për në Londër bashkë me djalin për më shumë se katër vjet ku aktualisht po kryej studimet e Doktoraturës në Psikologji). Për mua ky muaj pritjeje ishte i boshtë, pa mendime ndaj një ditë të bukur në fillim të gushtit hapa kompjuterin dhe vendosa që para se të ikja të shkruaja diçka që të më mbetej. Dhe libri është përfunduar në fund të muajit. Pra, “Mos e lër mendjen të ikë” është shkruar brenda një muaji, në gjendjen e një vetëdije të lartë dhe me synimin për të qenë sa më e vërtetë në ato që do ndaja me lexuesit. Befasia e parë për mua ishte që arrita ta përfundoj para se të largohem dhe ta dorëzoj te botuesja një ditë para udhëtimit. Ndërsa, befasia më e madhe ka qenë mënyra se si u prit, duhet të pranoj se më gjeti krejt të papërgatitur. Kopjet e para të librit u mbaruan ende pa filluar promovimi, dhe të dytat mbaruan ende pa përfunduar Panairi, e kështu mua m’u desh të udhëtoja për në Londër pa marrë libra me vete. Dhe befasia më e bukur për mua kanë qenë letrat, e-mailet dhe mesazhet që kam marrë për këtë libër. Kanë qenë me qindra e me qindra. Ende vazhdoj të marr çdo ditë mesazhe që më kanë shtyrë në një tjetër fazë të këtij projekti. Bazuar në letrat e lexuesve së shpejti do të botoj librin tjetër të po kësaj kolane “Mos e lër dashurinë të ikë”.  E gjithë kjo ka ndodhur si pjesë e procesit të vetëzbulimit, një teknikë që solli efektet e veta në këtë komunikim.

mirela 3Në mjedisin shqiptar, po shohim përditë ngjarje të rënda, saqë të krijohet ideja që jeta në këtë vend ka çmim të ulët. Sipas statistikave, gjatë vitit 2012 u regjistruan të paktën 3000 raste vetvrasje dhe tentativa vetëflijuese. Në librin tuaj i keni bërë apologjinë më të mirë jetës dhe motivit të të jetuarit. Çfarë mesazhi keni për ata që ndodhen në një gjendje të vështirë fizike, psikologjike apo materiale? Po për një shoqëri si kjo e jona, ku fuqia e dhunës është më superiore sesa fuqia e mendjes?

Gjatë kohës që shkruaja këtë libër kam pasur në mendje shumë nga këto vështirësi që sot shqiptarët ndeshin në jetën e tyre. I kam njohur më nga afër të tilla gjendje teksa i kam takuar në punën time si psikologe, por shumë prej vështirësive i kam përjetuar edhe vetë në etapat e mia të rritjes dhe zhvillimit. E kush ka thënë se jeta është e lehtë dhe e drejtë? Ne të gjithë e dimë se asgjë nuk na vjen pa u përpjekur, ama e kam thënë dhe e them me zë të lartë se përpjekjet na shpërblejnë duke na dhënë jetën që synojmë dhe meritojmë. Ndryshimi i një njeriu të suksesshëm nga njerëzit e tjerë është se ai nuk dorëzohet asnjëherë. Unë kam takuar shumë njerëz që janë dorëzuar në përpjekjet e fundit. Është e vërtetë që na duhet të provojmë një herë, dy, pesëmbëdhjetë a më shumë, por detyra jonë është të mos dorëzohemi. E ke parasysh historinë e Odisesë? Sa herë i është afruar bregut të Itakës, dhe vetëm për pak metra është dorëzuar? Shumë njerëz duan ta shohin bregun menjëherë, dhe nuk mjaftohen me shenjat që shohin në ajër… nëse janë më të vëmendshëm për të shquar zogjtë dhe algat mund ta kuptojnë se bregu është afër. Unë këtë jam munduar të përcjell në librin tim. Kam zbuluar pa komplekse pjesë të jetës time private jo për të bërë viktimën por për të treguar se vështirësitë janë pjesë e natyrshme e jetës të cilat nuk duhet të na e zbehin dëshirën për ta jetuar atë.

Sot po përjetojmë një krizë globale, jo thjeshtë ekonomike, por edhe krizë mendimi; krizë komunikimi mes qenieve njerëzore. A ndihet kjo krizë brenda teje? Si i vlerëson përpjekjet e të tjerëve për të dalë nga kjo gjendje krize globale?

-Sigurisht që duke qenë pjesë e këtij globi askush nuk mund të pretendojë se është jashtë kësaj krize. Pasi siç e thashë në këtë univers të gjithë jemi të ndërlidhur me të gjithë. Kush më shumë e kush më pak ndihet i ndikuar nga çfarë ndodh rreth e rrotull. Por, do të thoja se gjetja e paqes së brendshme fillon së pari nga vetja, e nëse arrin ta fitosh ekuilibrin brenda vetes, të gjitha luhatjet jashtë janë të përballueshme. Për këtë arsye do të thoja se pavarësisht se edhe unë si çdo kush jam përballur me “krizat e jashtme”, stabiliteti i brendshëm më ka ndihmuar që t’i përjetoj ato si rrjedhë normale e jetës. Kjo ka qenë një formulë që për mua ka funksionuar duke më dhënë mundësinë të realizoj synimet që i kam dhënë vetes pavarësisht pengesave që mund të ndesh.

A keni ndonjë projekt tjetër në fushën e botimeve, të ngjashëm me librin “Mos e lër mendjen të ikë”?

-Po, padyshim që po. Libri “Mos e lër dashurinë të ikë” është nisur të projektohet në skenaret e mendjes. Dhe duke qenë se unë i besoj shumë faktit se gjërat ndodhin dy herë “një herë në mendje dhe një herë në realitet” kam filluar ta realizoj fillimisht në mendje. Mbas kësaj, më duhet vetëm një muaj kohë për ta sjellë atë në realitet.

CV

KUSH ËSHTË MIRELA SULA

Ka lindur në Shkodër (1975). Ka mbaruar studimet e larta për Gjuhe-Letërsi dhe më pas është specializuar në fushën e psikologjisë. Ka mbaruar studimet Master në Këshillim dhe Psikologji në Universitetin anglez të Sheffield. Më pas është specializuar në Psikoterapi Pozitive nga Akademia e Wisbaden në Gjermani. Gjithashtu ka ndjekur kursin intensiv në Terapinë e Familjes organizuar nga “Kosova Health Foundation”, sipas kritereve të IFTA (International Family Therapy Association). Ka dhënë mësim në departamentin e Psikologjisë, në disa Universitete të vendit, shtetërore dhe private. Ka qenë autore dhe kryeredaktore e suplementeve “Psikologjia e Panoramës” dhe “Unë Gruaja” në gazetën Panorama. Autore dhe kryeredaktore e Revistës “Psikologji”, botim i “Panorama Group”. Dhe më pas botuese e revistës “Psikostil”. Paneliste në emisionin “Histori Dashurie”. Drejtuese e “Rrjetit të Grave: Barazi në Vendimmarrje” si dhe Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shqiptare të Psikoterapisë Pozitive. Aktualisht ndjek studimet e doktoraturës në “Shkollën e Psikoterapisë dhe Këshillimit Psikologjik” në Londër dhe drejton gazetën “Albanian Woman” në Britaninë e Madhe.

Është autore e disa librave në poezi dhe prozë

1995-               “Leje për të jetuar”                                          Poezi

1997-               “Të jetosh përgjysmë”                                     prozë

1998-               “Elvana”                                                          prozë

2000-               “Ani Piterpani”                                               poemë për fëmijë

2001-               “Fundjavë me Florën”                                     poezi

2002-               “Atje vonon Pranvera”                                    poezi

2003-               “Hartat e dhimbjes”                                        poezi

2004-               “Gjëra që s’na takojnë”                                   poezi

2004-2005       “Pasion i pjesëtuar”                                         roman

2006-               “Gënjeshtra të bardha”                                   poezi

2008-               “Kur jetës i bie rruga nga ti”                           poezi

2012 –             “Kthim te vetja”                                              poezi

2112-               “Mos e lër mendjen të ikë”                             prozë

Përkthyese e librit “Nëse dëshiron diçka që nuk e ke pasur kurrë bëj diçka që nuk e ke bërë kurrë” me autor Nossrat Peseschkian

Bashkëautore në përkthimin e librit “Të marrësh dashurinë që do” nga Harville Hendrix

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!