Tai chi, “ushtrimi” që përmirëson ekuilibrin, gjumin dhe ju mbron nga sëmundjet

Tai Chi

Tai çi është e mirë për sistemin imunitar dhe sistemin nervor qendror, që e bën shumë të mirë për njerëzit me sëmundje kronike, ankth, infeksione virale, depresion apo çdo gjendje të lidhur me stresin

Përgatiti për “Shëndet+”: Arlinda Gjypi

Tai çi (tai chi) është pjesë e Mjekësisë Tradicionale Kineze. Tai çi vjen nga artet marciale dhe është e përbërë nga lëvizje të lirshme, të avashta, duke medituar dhe kryer frymëmarrje të thellë, gjë e cila çon në shëndet më të mirë fizik dhe psikologjik. Ky “art” bazohet në idetë filozofike që mbështesin nevojën për ekuilibrimin e mendjes, trupit dhe shpirtit. Qendra e tai çisë është ideja që çia (energjia e jetës) qarkullon në të gjithë trupin. Çia duhet të lëvizë lirshëm për një shëndet të mirë.

Principet e jin-jangut (yin/yang) janë gjithashtu të rëndësishme. Jini dhe Jangu janë forca të kundërta dhe plotësuese në univers, njësoj si drita dhe errësira. Tai çi duhet t’i harmonizojë këto dy të kundërta. Në fund, tai çi imiton lëvizjen në natyrë, si lëvizjet e kafshëve, duke bashkuar kështu qeniet njerëzore me botën e natyrshme.

Tai çi u prezantua në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve ’70 dhe popullariteti i saj është rritur shumë.

Si funksionon tai çi?

Ka këndvështrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si funksionon tai çia. Filozofia lindore thotë se tai çi zhbllokon qarkullimin e çisë. Kur çia qarkullon siç duhet, trupi, mendja dhe shpirti janë në balancë dhe shëndeti është i mirë. Të tjerë besojnë se tai çia funksionon si të gjitha terapitë e tjera mendje-trup dhe ka prova të mjaftueshme që lidhja mes trupit dhe mendjes mund ta çlirojë njeriun nga stresi, të luftojë sëmundjet dhe të çojë në një mirëqenie fizike.

Tai çi ka tre përbërës kryesorë që janë: lëvizja, meditimi dhe frymëmarrja e thellë.

tai chiLëvizja. Të gjitha grupet e mëdha të muskujve dhe kyçeve janë të nevojshëm për lëvizjet e avashta dhe të lehta të tai çisë. Tai çi përmirëson ekuilibrin, forcën, fleksibilitetin, shton staminën, lehtëson lëvizjet, tonifikon muskujt dhe përmirëson koordinimin. Këto ushtrime pa pesha forcojnë kockat dhe ulin humbjen në kocka, pra parandalojnë zhvillimin e osteoporozës.

Meditimi. Kërkimet kanë treguar se meditimi qetëson mendjen, rrit përqendrimin, ul ankthin dhe tensionin e gjakut, si dhe rrahjet e zemrës.

Frymëmarrja e thellë. Duke nxjerrë toksinat nga mushkëritë dhe duke thithur ajër të freskët rritet kapaciteti i mushkërive, shtriqen muskujt e përfshirë në frymëmarrje dhe ulet tensioni. Gjithashtu rritet qarkullimi i gjakut në tru, gjë që rrit vigjilencën mendore. Në të njëjtën kohë, praktika furnizon gjithë trupin me oksigjen të freskët dhe ushqyes.

Cilat sëmundje reagojnë mirë ndaj tai çisë?

Tai çi përmirëson anën e përgjithshme fizike të trupit, koordinimin, ekuilibrin dhe lehtësinë në lëvizje. Njerëzit që praktikojnë rregullisht tai çinë, priren të kenë një qëndrim më të mirë, të kenë lëvizshmëri më të mirë, të jenë më fleksibël, më të fortë mendërisht dhe të flenë më qetë natën.

Tai çi është një terapi plotësuese dhe parandaluese për një sërë gjendjesh shëndetësore. Veçanërisht është e mirë për sëmundjet kronike, gutën (sëmundje e kockave), sëmundjet e zemrës, tensionin e lartë të gjakut, artritin, osteoporozën, diabetin, dhimbjet e kokës, fibromialgjinë, artritin reumatoid, osteoartritin dhe çrregullimet e gjumit.

Tai çi gjithashtu është e mirë për sistemin imunitar dhe sistemin nervor qendror, që e bën shumë të mirë për njerëzit me sëmundje kronike, ankth, infeksione virale, depresion apo çdo gjendje të lidhur me stresin. Frymëmarrja e thellë e tai çisë rregullon sistemin e frymëmarrjes, duke ndihmuar për të trajtuar problemet e frymëmarrjes, si astma, bronkiti dhe emfizema. Ajo gjithashtu stimulon abdomenin (zonën e barkut) duke ndihmuar tretjen dhe problemet gastrointestinale, si dhe kapsllëkun.

Shumë studime klinike kanë treguar se të moshuarit që praktikojnë tai çinë kanë më shumë koordinim dhe janë më pak të prirur për t’u rrëzuar, të dyja këto gjendje shëndetësore të rrezikshme për njerëzit e moshës së tretë.

A ka gjendje që tai çi nuk mund t’i trajtojë?

Tai çi është zakonisht e sigurt për këdo, pavarësisht moshës dhe aftësive atletike dhe mund të modifikohet për shumë probleme shëndetësore. Njerëzit me lëvizshmëri të kufizuar, madje edhe ata në

Mishel Obama në Kinë, duke praktikuar Tai Çi (Tai Chi)

Mishel Obama në Kinë, duke praktikuar Tai Çi (Tai Chi)

karrige me rrota, mund ta mësojnë dhe praktikojnë tai çinë. Në një studim me 256 të moshuar sedentarë të moshës 70-92 vjeç, tai çi uli numrin e rrëzimeve dhe frikën nga rrëzimet krahasuar me streçingun. Ata që praktikuan tai çinë kishin përmirësim të ekuilibrit funksional dhe të performancës fizike pas 6 muajsh.

Sidoqoftë, tai çi nuk pretendohet të zëvendësojë trajtimin mjekësor në gjendje serioze. Flisni me doktorin dhe instruktorin tuaj lidhur me problemet shëndetësore ose dëmtimet e fundit që mund të keni, ose nëse jeni shtatzënë.

A ka diçka që duhet të kem parasysh?

Tai çi ushtron muskujt në zonat e trupi tuaj që mund të jenë lënë pas dore. Kështu që në fillim mund të ndieni dhimbje. Kini parasysh se duhet kohë për të pasur qëndrimin, fleksibilitetin dhe lehtësinë e nevojshme për të praktikuar tai çinë, ndaj mos u shkurajoni lehtë. Si me çdo program tjetër ushtrimor, siguria ndikohet nga zgjatjet e duhura dhe ushtrimet e nxemjes, si dhe nga kryerja e saktë e ushtrimit. Nëse përjetoni marrje mendsh, marrje fryme, dhimbje koke apo dhimbje të fortë, ndaloni menjëherë ushtrimin dhe flisni me instruktorin tuaj, si dhe konsultohuni me mjekun. Njerëzit me shqetësime psikiatrike të rënda duhet ta praktikojnë tai çinë nën vëmendjen e mjekut për të parë se si reagojnë ndaj relaksimit.

Postime të ngjashme

Pajisjet mjekësore të bazuara në substanca - Një kategori e re produktesh terapeutike
Kur stresi i provimeve bëhet i rrezikshëm për fëmijën tuaj – si ta dalloni dhe si ta ndihmoni
Rutina e përditshme që forcon trurin dhe përmirëson kujtesën
Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Shenjat e fshehta që tregojnë se harresa mund të jetë shqetësuese
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
Eksperimenti ekstrem: Burri që nuk u ul për pesë ditë rresht rrëfen se si ndryshoi trupi i tij
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm