Kryefaqja Aktualitet Të jetosh mes ujërave të zeza! Banorët e Kamzës: “Duam të thithim...

Të jetosh mes ujërave të zeza! Banorët e Kamzës: “Duam të thithim ajër të pastër! Mos të vuajmë më spitaleve”

0
Shpërndaje

protesteBlertina Koka / Shendeti.com.al

Duam oksigjen! Duam ajër të pastër! Duam të jetojmë të shëndetshëm! Janë këto vetëm disa nga thirrjet e banorëve të lagjes Zall-Mner dhe Fruti-Kulturë, të cilët janë të detyruar të jetojnë mes ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane. Afër banesave të tyre është kanali ku derdhen të gjitha ujërat e zeza të zonave të banimit nga Instituti Bujqësor, Bathores dhe Fruti-Kulturës.

Era kundërmuese u ka sjell banorëve probleme me frymëmarrjen dhe infeksione që përhapen nga insektet. Gjithashtu, kur bie shi, kanali tejmbushet dhe ujërat e tij mbulojnë të gjithë zonën dhe katet e para të banesave.

kanal4

Banorët kanë më shumë se 20 vjet që përpiqen të shpëtojnë nga ujërat e zeza, nuk kanë lënë dyer institucioni pa shkuar, por akoma nuk kanë marrë zgjidhje. Ata kanë marrë vetëm disa premtime boshe gjatë fushatës elektorale dhe më vonë janë lënë në harresë.

Nga analizat që janë bërë nga Drejtoria e Shëndetit Publik, Sektori i Higjienës Publike, është konstatuar se këto ujëra të zeza kanë veti kontaminuese dhe filtruese, të cilat përveç ndotjes së ambientit, infektojnë edhe ujërat nëntokësore, e si rezultat i kësaj, të gjitha puset e hapura në këtë zonë paralajmërojnë rrezik për jetët e banorëve. Uji i pijshëm gjithashtu përmban ndotje mikrobiale.

“U konstatua aromë shumë e rëndë amoniaku dhe aroma të tjera jo të këndshme. Gjithashtu në kanal hidhen apo grumbullohen edhe plehrat organike të kafshëve, konkretisht nga stalla e derrave”, thonë zyrtarët e shëndetësisë.

leter4

Në një letër të dërguar më 8 shtator 2015, zyrtarët e Drejtorisë së Shëndetit Publik i kanë kërkuar Bashkisë së Kamzës që të merren masat për shmangien e një epidemie të mundshme, pasi, sipas tyre, nëse kjo gjendje do të vazhdojë edhe gjatë sezonit të verës, do të krijojë rrezikshmëri të lartë për jetën e këtij komuniteti. “Në të kundërt do të merren të gjitha masat penalizuese nëpërmjet Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor”, shkruhet në letrën dërguar Kryetarit të Bashkisë Kamzë.

Por, edhe pse po bëhet gati një vit nga dërgimi i letrës dhe sezoni i verës ka ardhur, nuk ka asnjë reagim as nga Bashkia Kamzë, as nga Kryeministria apo Ministria e Shëndetësisë, e cila  vetë ka pranuar se po rrezikohet jeta e banorëve.

4

Të pashpresë për të gjetur një zgjidhje me anë të shkresave apo takimit të drejtpërdrejtë të qeveritarëve, banorët kanë vendosur që ta bëjnë problemin publik dhe të kërkojnë ndihmë me anë të mediave.

“Kemi qenë tek drejtoria e Higjienës, Bashkia, Kryeministria. Kemi marrë përgjigje nga më të ndryshmet, por asnjë zgjidhje. Jemi lodhur, këtu nuk gjen drejtësi. Përveç erës së keqe, na janë përmbytur banesat nga ujërat e zeza”, shprehet një banore.

kanal3

“Mos na i lini fëmijët të vdesin nga sëmundjet”, luten banorët.

Dëshira e tyre e vetme është që të thithin ajër të pastër dhe të mos vuajnë më spitaleve.

“Nuk po kërkojmë të na paguani ilaçet, por mos na dërgoni në spitale. Është e drejta jonë që të jetojmë të shëndetshëm dhe të mos vuajmë spitaleve”./ https://shendeti.com.al/

 

 

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here