Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Tefta Haxhiaj: Shoqëria shqiptare ende s’është gati për edukatorë burra

Tefta Haxhiaj: Shoqëria shqiptare ende s’është gati për edukatorë burra

0
Shpërndaje

 

Blertina Koka

Tefta Haxhiaj, drejtoreshë e kopshtit “Xixëllonja” në Tiranë, ka një eksperiencë shumëvjecare në mësimdhënie dhe drejtimin e institucioneve të ciklit parashkollor publik. E diplomuar për gjuhën frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, znj.Haxhiaj e ka filluar karrierën e saj si mësuese në  disa shkolla të mesme të Tiranës. Në vitet 2000-2006 ka punuar si drejtuese e kopshtit numër 52. Më pas është angazhuar me projektet e UNICEF dhe pjesëmarrëse në shumë trajnime për rritjen e saj profesionale në vende jashtë Shqipërisë dhe brenda saj. Që prej vitit 2013 ajo drejton kopshtin “Xixëllonja” ku është vlerësuar si një grua me përkushtim e pasion nga koleget e saj si dhe për  aftësitë shumë të mira menaxheriale dhe drejtuese. Në këtë intervistë, ajo shpreh dashurinë e madhe që ka për fëmijët dhe devotshmërinë për punën në krye të kopshtit.

Tefta si është të punosh me fëmijët, si ndiheni ju në punën me ta?

Të punosh me fëmijët është një mrekulli. Aq sa shumë lodhesh por aq shumë merr edhe prej energjisë së tyre. Fëmijët të ndihmojnë të jesh gjithmonë e re në shpirt, të kujtojnë fëmijërinë. Thjesht me ta ndihesh Piter Pan. Është e vetmja punë që shpirtërisht e merr mbrapsht atë që investon.

A është e lodhshme të punosh me ta?

Nuk është e lodhshme vetëm sepse punon me këtë grup por sepse kushtet në të cilat mësueset punojnë nuk i plotësojnë standartet normale. Grupet janë të tejmbushura me fëmijë dhe për rrjedhojë mësueset duhet të përballojnë një volum të madh gjatë ditës. Numri i lartë i fëmijëve ka ardhur mbas zbatimit të nismës “Adopto një kopësht” pasi kopshteve iu është krijuar një mjedis fizik me standarte të mira por është rritur kërkesa për rregjistrimin e fëmijëve gjithmonë e më shumë.

Sa të edukuar janë  fëmijët me barazinë gjinore? Sa të informuar janë nga familjet e tyre për këtë kauzë?!

Në kopshtin tonë ka fëmijë që vijnë nga të dy llojet e familjeve; ka prindër që më thonë që fëmijët nuk duhet të shohin filma ku një princ dashuron një princeshë, sepse është e palejueshme dhe herët për ta, por me këtë grup prindërish ne zhvillojmë shpesh takime. Ka prindër që nuk vijnë fare në takime të tilla ashtu sic ka edhe prindër që vijnë me shumë përkushtim dhe janë pjesëmarrës aktivë dhe nuk bëjnë dallime të tilla. Në këto takime bëjmë përpjekje që prindërit të mos kenë përceptime ndasore. Duhet marrë parasysh se në zonën ku ndodhet kopshti është një zonë me shumë të ardhur nga gjitha zonat rurale të Shqipërisë. Në fillim bashkëpunimi me to është i vështirë, dështojmë herën e parë por edhe për ata është process i të mësuarit, por këto sjellje duhet të qëndrojnë gjatë në memorien e fëmijëve. Shumë prindër me fëmijën e parë mund të bëjnë gabime, por me kohën dhe me ardhjen e fëmijëve të tjërë në jetë mësojnë edhe ata. Procesi i prindërimit është i gjatë.

Shpeshherë bëjmë takime paraprake me prindërit para se ata të sjellin fëmijët e tyre në kopsht. Përpiqemi si staf t’u shpjegojmë se fëmijët janë të parët dhe më pas vijnë mësuesit dhe gjithë sistemi edukativ. Jemi ne që kemi për detyrë t’u krijojmë koracën e mbrojtjes dhe të jemi si familje e dytë për ta.

Edhe ambjentet në kopshte I kemi të mobiluar si ambjent shtëpie, kemi këndin e kuzhinës, ku fëmijët gjejnë paisjet si frigorifet lodër, enë kuzhine, tavolina për të përgatitur ushqimin, ngrënien etj. Kemi këndin e hekurosjes, pastrimit, lavatrices, këndin e shkencës, ku fëmijët mbjellin bimë dhe përkujdesen për to duke i edukuar për natyrën.

Si i mësoni rreth çështjes së barazisë gjinore?

Në kopësht kemi veshje për cdo zanat dhe profesion dhe të dyja gjinive u mësojmë që cdo profesion mund të kryhet nga të dyja gjinitë. Ne jemi të ndryshëm por të barabartë, edhe pse cdo gjini ka karakteristikat e veta, tek këndet e pastrimit dhe hekurosjes ne dërgojmë edhe vajzat edhe djemtë. Një djalë mund të vërë përparëse dhe të fusë rrobat e palara të kukullave në lavatrice. Ashtu sic vajzat mund të bëhen mjeke dhe të zgjedhin profesionin që ato dëshirojnë të bëjnë po aq sa edhe djemtë. Por sfida jonë më e madhe janë prindërit. Këto shprehi harrohen kur fëmijët vijnë mbas fundjavës nga shtëpitë e tyre dhe duke qënë se kujtesa e tyre është e shkurtër në duhet t’i ripërsërisim këto mësime. Prandaj ne shpesh punojmë edhe me prindërit sepse kuptojmë edhe mundësitë e tyre, arsimimin dhe prejardhjen dhe kohën që kanë në dispozicion për fëmijët e tyre.

Në ciklin parashkollor shohim më shumë mësuese femra. Si e gjykoni një përfishje më të madhe në numër edhe të mësuesve meshkuj?

Në fakt për vendin tonë jam paksa dyshuese edhe pse djemtë dhe burrat mund ta bëjnë këtë punë. Ne kemi një traditë të trashëguar në shoqërinë tonë, ndonëse sot në punën time unë shikoj baballarë të rinj të cilët janë shumë të përkushtuar me fëmijët e tyre. Por shoqërinë shqiptare nuk e shoh ende të gatshme të ketë mësues meshkuj. Mbase natyra ka zhvilluar tek ne instinktin e mëmësisë, mbase shoqëria na ka mësuar këto role. Në Tiranë unë kam hasur, sidomos psikologë meshkuj nëpër kopshte por profesionet duhen mësuar që në fëmijëri që ne të mund të shohim ndryshimin edhe në shoqërinë shqiptare. Ne nënat duhet të edukojmë djemtë rreth barazisë që në vogëli.

Cfarë do donit të ndryshonte në realitetin shqiptar?

Do doja të ndryshonte mënyra se si ne drejtojmë, si kërkojmë realizimin e detyrave, sesi prindërit kërkojnë të drejtat për fëmijët e tyre por pa marrë përsipër përgjegjësi, pa ditur që kanë edhe detyrime. Në takimet që zhvillojmë me to u shpjegojmë detyrat dhe përgjegjësitë që kemi ne të rriturit që fëmijët të kenë më shumë të drejta. Edhe fëmijëve ua mësojmë këtë që në fillim; kanë të drejta por edhe detyrime. Prindërit kërkojnë shumë të drejta por harrojnë që kanë edhe përgjegjësi, prandaj ne na shërben rregullorja. Prindërve u kërkoj rigorozitet në zbatimin e kësaj rregulloreje. Ata kërkojnë të drejta vetëm për fëmijët e tyre por unë kam nën vëzhgim 133 fëmijë dhe duhet të respektoj të drejtat e gjithësecilit prej tyre.

Hierarkia e drejtimit gjithashtu duhet parë në shumë profesione. Drejtuesit nuk duhet të jenë indiferentë apo injorues ndaj punës së kolegëve të tyre, unë personalisht nuk mund të bëj pa bashkëpunimin e tyre, si drejtuese mund të korrigjoj gabimet e kolegeve pa cënuar integritetin e tyre. Ne përmirësojmë sjelljet tona duke mësuar nga gabimet që bëjmë. Këtë gjë ua kërkoj edhe mësueseve, por edhe prindërve, të mos gjykojnë veprimet e gabuara të fëmijëve me sjellje dënuese. Nëse për një prind vizatimi i fëmijëve të tyre u duket zhgarravinë, ne u themi që me anë të atij vizatimi fëmija po tregon dicka dhe ne duhet të kuptojmë cfarë ata na transmetojnë.Fëmijët piktorojnë botën e tyre ashtu si e mendojnë ata. Prindërit nuk duhet të kërkojnë tek fëmijët atë që nuk kanë bërë vetë.

Cfarë do të veçonit si një arritje tuajën si drejtuese në këtë kopsht?

Jo vetëm si arritje timen por të të gjithë stafit me të cilën bashkëpunoj dhe me prindërit kemi ndërmarrë një inisiativë shumë të bukur. Për Vit të Ri bashkë me fëmijët dhe prindërit kemi kaluar festat e fundvitit tek një prej shtëpitë e të moshuarve në Tiranë. Përgatitem ushqime dhe dhurata sipas mundësive. Kontribuam vullnetarisht për ngritjen e një tende, ku të moshuarit që tymosin mund ta bëjnë këtë gjë edhe në dimër. Ajo cfarë kuptuam nga të moshuarit ishte se atyre nuk u mungonin fëmijët, por nipat dhe mbesat. Kjo na preku të gjithëve pa masë edhe sepse të rinj kishin vajtur për t’i vizituar por fëmijë të moshave aq të vogla jo. Atmosfera që krijuan fëmijët me përgatitjet e festës nuk ka të përshkruar, të gjithë punonin me njërit-tjetrin dhe ofronin shumë dashuri. Këtë nismë do të donim ta kthenim në një traditë të përvitshme. Gjithashtu me nismën për shitjen e  tapave të shisheshe kemi arritur të sigurojmë një karrige me rrota për njërin prej të moshuarve me aftësi të kufizuara në atë shtëpi pushimi. Gjëra të vogla por të realizuara me shumë dashuri. Një tjetër traditë e bukur tashmë është edhe pjesëmarrjë e fëmijëve në shfaqje të ndryshme teatrale.

Aktivitet tjetër me vlerë në kopshtin tonë është ngritja e një këndi për ato që kanë nevojë dhe ato duan të dhurojnë sende që nuk u duhen më. Jashtë cdo shikimi tonin, prindërit vendosin veshmbathje, sende shtëpiake e shumë gjëra të tjera. Ne nuk e shohim dot kush sjell dhe kush ka nevojë të marrë nga këto gjëra.

Si e përkufizoni kohën tuaj të lirë?

Kam shumë dëshirë të lexoj, të gatuaj, të eci e të zbuloj vende të reja. Më pëlqen të kaloj kohën në fundjavë buzë detit, të shijoj dallgët e tij tek përplasen në breg.  Kaloj shumë kohë me familjen time, me fëmijët e mij jam shumë e përkushtuar. Edhe pse fëmijët e mij janë të rritur kam një natyrë shumë protektive ndaj tyre dhe madje mund të kaloj edhe në posesivitet (qesh). Kam një djalë 26 vjecar i cili punon dhe një vajzë studente për arkitekturë dhe shpesh i pyes për të kaluar pushimet bashkë, ndonëse ata janë të rritur. Një vlerë e imja është mirënjohja dhe vlërësimi që kam për shoqërinë. Dal shpesh me mikeshat e mia dhe kaloj kohë cilësore më ato.

Mesazhi juaj për vajzat dhe gratë shqiptare….

Vajzat dhe gratë shqiptare duhet të ëndërrojnë dhe të përpiqen fort për jetën e tyre. Ne mund të dështojmë por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të provojmë përsëri për të ecur përpara. Ka shumë vajza dhe gra që investojnë dhe kontribuojnë në shoqërinë shqiptare por puna e tyre nuk vlerësohet sic duhet…unë jam në anën e tyre! Durim, këmbëngulje dhe inisiativa të mira./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here