Teknologjia e avancuar po favorizon abortet selektive

**Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Forcimi i demokracisë në kujdesin shëndetësor duke respektuar të drejtat e njeriut”, realizuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. 

Mimoza Keta, gjinekologe

Është e vështirë të flasësh për abortet selektive. Aborti është nxjerrja jashtë kavitetit të mitrës e produktit të koncepsionit. Ligji mbi abortin është vënë në vitin 1996 dhe parashikon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 12-të. Pas javës së 12-të aborti bëhet vetëm nëse rrezikohet jeta e e nënës apo nëse fëmija ka anomali jo të përputhshme me jetën. Në këto raste bëhet ndërprerje e shtatzënisë deri në javën e 22-të. Kjo bëhet përmes një komisioni mjeko-ligjor shumë të specializuar, ku bëjnë pjesë ekpertë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, sigurisht edhe nga drejtoria e materniteteve dhe mjekët specialist të reparteve përkatëse. Kjo është ajo që përmbledh ligji. Normalisht në një rezolutë të Komunitetit Europian midis të tjerash përmendet që edhe në Shqipëri po ndodh ndërprerja e shtatzënisë për arsye të gjinisë. Ky quhet abort selektiv.

Deri në javën e 12-të të shtatzënisë nuk dallohet plotësisht gjinia e bebit. Por ekografikisht dallohet në javën e 16-të. Megjithatë, kjo është përmes ekzaminimit ekografik që është më pak i kushtueshëm dhe shumë i përhapur tek ne.

Ka laboratorë të specializuar në Shqipëri që bëjnë një analizë që quhet testi panoramik ose NIPT, e cila është një analizë që vlerëson duke marrë gjak nga nëna. Panorama testi është jo invaziv (i padëmshëm) prenatal (Non-Invasive Prenatal Test-NIPT) dhe përdoret për testimin e ADN-së fetale jashtëqelizore (të lirë) e cila qarkullon në gjakun e nënës.

Në gjakun e nënës qarkullojnë qeliza të bebit. Duke marrë gjakun e nënës, centrifugojnë qelizat dhe nxjerrin qelizat fetale. Duke nxjerrë qelizat fetale bëhet një analizë shumë e hollësishme e qelizave gjenetike ku gjenden jo vetëm sëmundjet infektive që mund të ketë ky fëmijë apo sëmundjet genetike por gjithashtu midis të tjerash përcaktohet edhe gjinia. Duke u përcaktuar gjnia që në moshë të hershme të shtatzënisë , kjo fillon që në javën e shtatë , atëherë gruaja është brenda kuadrit ligjor për të ndërprerë shtatzëninë. Kjo është ndoshta një nga shkaqet që ka ndodhur dhe është shtuar numri i aborteve selektive.

Në këto raste një çift kërkon të trashëgohet me një djalë dhe pretendojnë të heqin gjininë femërore.

A ka ndodhur që te ju të vijë ndonjë rast i tillë, pra një grua që ka dashur të heqë një fetus sepse ka marrë vesh gjininë?

Jo një, disa. Në këtë rast mjekët gjinekologë bëhen edhe psikologë. Që nga mënyra sesi ti e pret pacientin, që nga mënyra sesi i flet, që nga mënyra sesi i afrohesh dhe ofron karrigen i krijon një ambient që personi që të drejtohet ty të të hapet dhe të tregojë të vërtetën.

Një rast që më ka ndodhur është një grua nga fshati që vjen me të vjehrrën.

Nusja ishte shtatzënë dhe vjerra këmbëngulte që nëse nuk është djalë do ta heqim. I thashë që do shohim ca do të jetë. Ndërkohë u mundova që gruas së re t’i mbushja mendjen që fëmija, pavarësisht nga gjinia, të mbetet fëmijë. Është ëmbëlsia e jetës. Në javën e 16-të rezultoi që ishte vajzë. Vjehrra u mërzit por në fund fare u bind. I thashë që bebja nuk ka asnjë problematikë. Sot fëmija është 7 vjeç. Dalin me gjithë gjyshen. Mjeku duhet të jetë edhe pak psikolog.

Ka pasur dhe raste që kanë ardhur, jemi mundur t’i bindim por nuk kemi arritur ti bindim. Kanë ikur dhe nuk janë kthyer më për konsulta. Në këtë rast funksionojnë klinikat private. Sepse në shtet nuk mund të pretendosh.

Ndodh që të vijnë vajza përdore me vjehrrin a vjehrrën, të detyruar?

Jo, shumë pak. Sot vijnë çiftet bashkë, ose femrat me shoqërues. Ka qënë në zona rurale. Sot në zonat rurale njohuritë për shëndetin riprodhues janë shtuar.

Ju keni eksperienca edhe në shtet, vërtet nuk ka shkelje?

Jo, në shtet është shumë e vështirë, sepse procedurat ligjore nuk të lejojnë. Edhe në klinika private puna është vështirësuar shumë. Unë aktualisht punoj në një klinikë private dhe më kanë ardhur pacientë. Por kurrë nuk kam ndërmarrë një hap që të prish një jetë për arsye të gjinisë. Por kjo ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë.

Klinikat private, sa të specilazuara dhe në gjendje janë që të kryejnë një abort në javën e 16-të? A ka pasur raste vajzash që kanë ardhur “të masakruara” nga klinikat private?

Nëse aborti nuk bëhet në kushtet e një steriliteti maksimal, pasojat mund të jenë të hershme dhe të vonshme. Në pasojat e hershme mund të përmend një hemorragji shumë të madhe që mund të ndodhë dhe ka pasur raste që kanë ardhur vajza me shumë hemorragji nga privati në shtet sepse nuk kanë pasur shumë mundësi për t’i ndihmuar. Mund të jetë çarja e mitrës me vegla. Në këtë rast prapë pacienti do vijë në shtet sepse mungesa e sallave të operacionit nëpër klinika private, ekzsiton. Flas për këto klinikat e vogla.

Ndër pasojat e mëvonshme: Në pasojat e mëvonshme të një aborti mund të jetë një infeksion. Një infeksion i cili merret në moment dhe ka infeksione të cilat kroniciozohen. Duke dhënë infeksione nga ku nuk ka më mundësi riprodhimi kjo femër, prandaj duhet bërë një kujdes shumë i madh. Megjithatë sot është bërë një trendi tjetër: trendi i abortit me tableta.

Doktoresha, kur vajzat vijnë të dëmtuara nga klinikat private në spitalin shtetëror, ju si mjek keni detyrim që t’i referoni diku këto raste?

Këto raste referohen të gjitha në Ministrinë e Shëndetësisë. Kemi pasur në maternitet dhe vazhdon të ekzistojë Komiteti me disa mjekë që merren me gratë e dhunuara dhe me këto raste. Të gjitha këto kanë formular të veçantë që ne referonim çdo gjë në Ministrinë e Shëndetësisë. I dërgonim në zyrat përkatëse. Nuk mbaj mend që të ketë ardhur ndonjë grua e dhunuar apo ndonjë grua me një abort të tmerrshëm që mund ta ketë bërë në privat që të mos ketë kaluar pa u referuar.

A e shënoni në kartelë mjekësore se pse bëhet aborti?

Asnjëherë. Ka një gjë, që të të gjithë repartet e aborteve, kudo që të shkosh, do të gjesh një psikolog. Psikologu , ka detyrë që përpara se një grua të vendosi për abort ligji për abortin lë një javë refleksion. Domethënë, të reflektojë çifti nëse do ta heqë ose jo fëmijë. Vitet e fundit psikologu bashkë me mjekun gjinekolog bëjnë një punë të madhe me pacientin.

Folët pak më sipër për trendin e abortit me tableta, a ju lejohet të përshkruani receta me tableta për abort?

Njëri nga barnat që qarkullon që është i regjistruar, gjithashtu rekomandohet edhe për dhimbjet e stomakut.

A ka vend për abuzim?

Nuk di që në Shqipëri të kenë hyrë tableta aborti, me doganë. Ju takon ju që ta vlerësoni. Përderisa ekzistojnë në qarkullim, shumë vajza i marrin pa ditur komplikacionet dhe pasojat që mund të ketë një abort me tableta. Pasojat dhe komplikacionet janë të rënda në kuptimin e ndryshimeve hormonale që shkaktojnë në organizmin e vajzës, apo të një hemorragjie të madhe që mund të shpie deri në rrezikimin e jetës. Gjithmonë është e nevojshme, jo marrja e tabletave pa rekomandimin e mjekëve.

Nuk do të rekomandoja mjek që të japin tableta për abort nëse nuk janë të certifikuara nga depot e barnave. Nga përvoja ime e punës ka ndodhur që kanë ardhur vajza që kanë pasur mbeturina dhe hemorragjia ka vazhduar për ditë. Atëherë ka lindur nevoja e trajtimit derisa ato mbeturina të dalin e të mos bëhen shkak i një infeksioni të madh.

Mosha më e ulët që ka tentuar të bëjë abort?

Në materinitet edhe 14 vjeç.

Vijnë nga martesa të imponuara, nga një marrëdhënie e pakujdesshme?

Nga marrëdhënia që kanë kryer. Erdhi vajza dhe tha që ndjeva një tërheqje seksuale për një djalë dhe kishte ngelur shtatzënë.

Ca bën mjeku në këtë rast?

Ajo është brenda ligjit. Dhe këto pacientë duhet të vijnë me nënat ose me motrat. Kjo është detyrim që duhet të vijë të firmosë nëna ose motra.

A ka pasur raste që kanë shkuar në fatalitet?

Sot, jo. Por para viteve ’90 numri i grave që vdisnin nga një abort i provokuar shkonte 1 ose 2 gra në muaj/ vdekje. Pas viteve ’90 një grup mjekësh e vlerësuan këtë situatë, shumë të shqetësuar ne e firmosëm një projektligj për lirinë e abortit. Më vonë Kuvendi miratoi ligjin mbi abortin, duke u nisur nga projektiligji që kemi dhënë ne si mjekë gjinekologë. Sepse ishte shumë e vështirë të shikoje vajza të reja që kishin provokuar shtatzëninë dhe i mbylleshin sytë dhe vdisnin në moshën më të bukur të tyre.

Në rojen e parë që kam bërë në maternitet para 35 vjetësh, bëja roje në abortar , një vajzë 17 vjeç e lanë të dera e abortarit.  Ajo gruaja që e kishte provokuar e la dhe iku. Nuk mundëm ti jepnim ndihmë. Sa filluam ta ndihmonim vajza vdiq. Nuk do ta harroj kurrë. Vjen një burrë plak më vonë dhe thotë më kanë thënë që mund të jetë vajza ime këtu. I them që është një vajzë këtu që ka ndëruar jetë. Kur shikon të bijën dhe i bie sipër. Në atë kohë merreshin dhe jetë të reja vajzash. Sot vdekshmëria mëmësore nga aborti është pothuajse zero.

A duhet të nisë edukimi seksual që në moshën e gjimnazit?

Po, sepse edhe mësuesit vetë ndodh që nuk janë të përgatitur. Më ka rastisur që edhe në vitet e para në dhe dyta më kanë kërkuar që të shkoj të bëj leksione të tilla. Dhe ka qënë interesant interesi i tyre. Ndërkohë që përdorëm një teknikë të tillë që ata të pyesnin përmes letrave anonime. Nga pyetjet kuptoja shumë. Kishte shumë prej tyre që ishin aktiv seksual. Kisha pyetje të tipit: Si mund të ruhemi nga një shtatzëni?

Doktoresha, a është aborti ‘ekskluzivitet’ i zonave rurale?

Jo, madje zonat ruale thonë: “e ka dhënë Zoti, le të vijë”. Ndodh në të gjithë popullsinë. Nuk është vetëm e zonave rurale./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Këto janë ushqimet që rrisin sheqerin në gjak
"Mund të dëmtojnë skalpin" - Studimi: 'Extensions' e flokëve plot me kimikate
Ky është sekreti për të zvogëluar dhjamin e barkut pas të 50-ave
Tre arsye pse mund të jemi të uritur gjatë gjithë kohës
A varet shpeshtësia e gurëve në veshka nga niveli në gjak i vitamines D?
Kujdes! Këto 4 zakone mund të dëmtojnë mëlçinë
Stres intensiv: Cilat ushqime duhet të kufizoni?
Shpresë për pacientët me migrenë, Inteligjenca Artificiale parashikon se cilat ilaçe funksionojnë më mirë