Temperatura nuk është një sëmundje në vetvete – zakonisht është sistemi imunitar i trupit që i përgjigjet një infeksioni, sëmundjeje ose inflamacioni. Shkaqet e temperaturës dhe sidomos asaj të lartë ndodhin për shumë arsye.
Në momentin që fëmija ka temperaturë të lartë dhe do paraqiteni te mjeku, ai/ajo do bëjë vizitën mjekësore për të përcaktuar shkakun e temperaturës:
– Infeksion i veshit të mesëm ( kontrollon veshin)
– Infeksion i bajameve ( shikon fytin)
– Bronkit ( dëgjon me stetoskop)
– Infeksion i zorrëve ( të vjella, diarre)
Në disa raste fëmijët kanë edhe skuqje të lëkurës ose puçrra, që janë tipike për sëmundjet e fëmijëve (fruth, lija etj).
Në raste të tjera kërkohet dhe analiza e urinës për të përjashtuar një infeksion urinar.
Me këtë vizitë të kujdesshme mjekësore dhe analizën e urinës përjashtohen sipas Shoqatës gjermane pediatrike 90% të shkaqeve të temperaturës.
Nëse mjeku dyshon për një infeksion të rëndë mund të kërkojë analiza gjaku, radiografi apo shtrim në spital./Gazeta Shëndeti


