Gjithmonë jemi të ndjeshëm ndaj agjentëve të jashtëm atmosferikë, por në stinën e dimrit i ftohti i tepërt sjell pasoja negative, sidomos kur bëhet fjalë për lëkurën. Fytyra dhe duart janë padyshim pjesa më e riskuar nga i ftohti dhe era, duke sjellë për pasojë skuqje dhe tharje të lëkurës. Në rast se tregohemi neglizhentë, rezultati do të jetë ai i një lëkure të dehidratuar dhe aspak të shëndetshme, të skuqur të tharë e gati-gati të mavijosur dhe me shenja. Po për t’u njohur më konkretisht me hapat që duhen ndjekur për një lëkurë sa më vitale, dermatologia Violeta Dajçi rrëfen për gazetën “Shëndet Plus” mënyrën sesi duhet të kujdesemi për lëkurën tonë gjatë dimrit.
Doktoreshë, cilat janë dëmtimet që pëson lëkura me uljen e temperaturave?
Në stinën e ftohtë agjentët atmosferikë veprojnë “rëndë” në lëkurë, sidomos në pjesët e zbuluara, siç është fytyra dhe duart, por dhe në gjithë siperfaqen tjetër të saj të veshur. Ato dëmtojnë kryesisht shtresën e sipërme të lëkurës ose epidermën, e cila ka si funksion të kryejë shkëmbimin e lëndëve me ambientin e jashtëm nëpërmjet balancave hidrolipidike të saj. Temperaturat e ulta, era dhe i ftohti në përgjithësi dëmtojnë këtë ekuilibër hidrolipidik të lëkurës dhe shtresat e epidermës. Lëkura bëhet e ashpër, e thatë, me skuama të dukshme në trajtën e krundeve, me ragade ose të çara kryesisht në duar.
Cilat lëkura janë më të prirura për t’u dëmtuar?
Dëmtimet sigurisht ndodhin tek të gjithë individët që nuk e mbrojnë lëkurën, por më shumë tek moshat ekstreme (mosha e tretë dhe fëmijët), kjo për arsye se tek këta individë lëkura është më e prirur për t’u dëmtuar pasi, ose nuk është arritur pjekuria e sistemit të mbrojtjes së balancave hidrolipike (tek fëmijët) ose ky funksion ka humbur aftësitë përshtatëse me kalimin e viteve (tek moshat e treta).
Gjithashtu, dëmtimi i lëkurës ndodh tek individët të cilët punojnë në ambient të hapur apo u duhet të rrinë për kohë të gjatë jashtë në temperatura të ulëta, si dhe tek individët që kalojnë nga një ambient me temperatura të larta në një ambient me temperatura të ulëta. Pra, këto luhatje të menjëhershme lënë pasoja në lëkurë.
Personat që kanë patologji të metabolizmit, endokrine, gastrohepatologjike, renale etj, kanë tendencë të pësojnë tharje të lëkurës në përgjithësi në këtë stinë.
Lëkurat e bardha të tipit të parë, të dytë dhe të tretë janë më të riskuara nga temperaturat e ulëta. Kjo shpjegohet me faktin se lëkurat e bardha janë më të holla. Ndërsa në lëkurat me ngjyrë të errët dëmtimet janë më të pakta për arsye se këto lloje lëkurash, pra me ngjyrë, shtresën korneale e kanë më të trashë dhe për pasojë është më rezistente ndaj temperaturave të ulëta, erës, shiut etj.
Ju si dermatologe, çfarë kujdesi rekomandoni në këtë periudhë?
Në këtë periudhë rekomandohet shumë përkujdesja për lëkurën, kryesisht për atë të fytyrës e cila është në kontakt të vazhdueshëm me agjentët atmosferikë (i ftohti, era). Ne rekomandojmë përdorimin e kremrave në mbrëmje ushqyes dhe me emolientë, për të ruajtur balancën e cila rrezikon të prishet nga agjentët atmosferikë dhe gjatë ditës kremrat duhet të jenë sërish emolientë, por të pasur edhe me faktor mbrojtës.
Faktori mbrojtës gjatë ditës mbron lëkurën nga dielli i cili ndonëse nuk ka forcën dhe rrezatimin që mund të ketë në stinën e verës, sërish përbën rrezik për lëkurën e fytyrës sonë. Efikase për këtë periudhë janë disa trajtime që i bëhen lëkurës së fytyrës, si: peeling kimik, mezoterapia, mikroderboabrazion, lazer-terapia etj, të cilat nëse aplikohen në verë, dielli e dëmton edhe më shumë lëkurën, ndërsa dimri është periudha ideale për to.
Gjithashtu në këtë periudhë trajtohen mjaft mirë shenjat post-akne, melazmat (njollat kafe), rrudhat e dhe dëmtimet e tjera të plakjes, keloidet, djegiet etj. E thënë me pak fjalë, kjo periudhë është shumë favorizuese përsa i përket kryerjes së këtyre procedurave dermo-kozmetike.
Çfarë nuk rekomandohet të bëhet në këtë periudhë?
Në përgjithësi në dimër nuk rekomandohet qëndrimi jashtë për kohë të gjatë. Nëse je i detyruar të rrish, atëherë duhet të mblidhesh me shall, dorashka, kapuç, si dhe të krijosh kushte që lëkura të mos ngrijë. Në kushte ekstreme të temperaturave mund të ndodhë edhe hapja e plagëve ose mund të ndodhë ajo që ne e quajmë gangrenizim i indeve, pasojë e vazokonstriksionit nga i ftohti. Nuk rekomandohet dalja nga një ambient shumë i ngrohtë në një ambient shumë të ftohtë, veshja e rrobave shumë të ngushta, sintetike e të holla.
Vihet re një tendencë tek individët për t’u vetëkuruar me kremra të ndryshëm. Cili është ai moment kur këta individë duhet të pushojnë se vetëkuruari vetveten dhe t’i drejtohen mjekut dermatolog ?
Ne nuk është se kemi kulturë apo trashëgimi në trajtimin e fytyrës e të lëkurës në përgjithësi dhe fakti që individët vetëkurojnë fytyrën e tyre, të them të drejtën më gëzon. Kjo do të thotë shumë nga asgjëja që kishim. Unë mendoj se më mirë ai person që përdor një krem, qoftë dhe jocilësor, sesa ai që nuk përdor fare. Nesër këta individë do drejtohen patjetër tek dermatologu, siç ndodh dhe në botë. Kjo varet nga gjendja ekonomike, por dhe nga niveli arsimor e kulturor i popullsisë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e datës 16 shkurt 2014 në gazetën “Shëndet+”)



