Sotiraq Lako/Hematolog
Populli nuk ka asnjë respekt ndaj nesh, sepse shteti prej shume vitesh sulmon njerëzit e vet më të rëndësishëm (sëmundje autoimmune = e pashërueshme). Nëse ne të gjithë jemi këtu ku jemi, është se i kemi zbatuar të gjitha rregullat e lojës, të caktuara nga vetë shteti. Kemi duruar shumë gjëra, kemi investuar shumë, duke dëmtuar trupin, mendjen dhe të ardhurat tona.
Trupi,
mendja dhe familjet tona e dinë ç’kemi hequr. Dhe përfitojnë se mbajmë kokën e ulur.
Ne jemi lojtarë të shtrenjtë, nuk duhet të ngelemi në dorën e disa zyrtarëve të emëruar të shtetit, që sot janë dhe nesër jo (mjaftojnë të harrojnë të paguajnë dritat për 1 muaj dhe i heqin pa problem nga puna, kur dihet se, nëse nuk e paguan brenda muajit, shteti vetë ka vendosur kamatë vonesën, të cilën qytetari e pranon dhe e paguan së bashku me detyrimin tjetër).
Zyrtarë që u vijnë në mendje “kinezërira” të ndryshme, sepse nuk e njohin realitetin e vërtetë mjekësor shqiptar dhe për më tepër nuk kanë mundësi financiare ta përballojnë.
Unë e kam provuar një herë ç’do të thotë të të shkatërrojnë. Isha studenti më i mirë i Fakultetit të Mjekësisë për brezin tim, e fitova me konkurs vendin e punës në QSUT, por më hodhën në mes të furtunës dhe, nëse del gjallë, do të bëhesh një mjek i “denjë” shqiptar.
Punova 10 vite në QSUT, isha mjek ordinator, por quhesha mjek ordiner, nuk isha pedagog, rrjedhimisht isha mjek shumice. Më kanë hequr dy herë rrogën se isha i paedukuar. Parulla në kohën e specializimit ishte “specializantët i vendos në rresht pas meje”. Mendonin se ishin pronarët tanë, jo njerëz të shtetit të caktuar për të na përgatitur sa më mirë dhe për të lënë në “trashëgim” atë që është krijuar nga disa breza. Më detyruan të braktisja mjekësinë.
U riktheva me ndihmën e disa mjekëvë të nderuar që nuk kishin humbur besimin tek mua (Dr. Dhurata Tarifa, Prof. Vera Halili, Prof. Enver Roshi dhe Prof. Tatjana Nurka). Me dr. Dhuratën e kthyem aplikimin e Kimioterapisë në art. Spitali Amerikan me riktheu dinjitetin, aty e kuptova që QSUT nuk është një mal, por vetëm një kodër.
Unë kam pasur mundësi të punoj në të gjitha nivelet e mjekësisë sonë, e njoh këtë realitet.
Si mund të ndryshohet:
1- Fakulteti i Mjekësisë deri në nivelin paraklinik vazhdon të ecë. Ai degjeneron në fazën më të rëndësishme të krijimit të mjekut: atë të nivelit klinik. Mjafton të shikosh se si bëhet mësimi dhe praktika mësimore dhe e kupton se dhe brezi që po kalon, do të jetë një brez i humbur.
2- Specializimi në QSUT të siguron vetëm një përgatitje gjysmake teorike dhe praktike, disa gjëra i mëson dhe keq. Kjo vjen nga mentaliteti, pamundësia e aplikimit të motodave moderne diagnostikuese dhe mjekuese. Dhe, po u përgatite keq në dy hallkat më të rëndësishme të formimit të mjekut në Shqipëri, keq do të shkosh.
Në krye të shërbimeve të QSUT-së duhet të vendosen mjekët e rinj, të përgatitur jashtë vëndit, që nuk e njohin mentalitetin aktual. Për ata duhet të investohet pa u kursyer në kushte pune dhe në të gjitha elementet bashkëkohore diagnostikuese dhe mjekuese, si në klinikat ku ata janë përgatitur.
Shqipëria ka vetëm një Qendër Terciale, shumë e mundur kur duan për ta menaxhuar ashtu si duhet. Dhe po arritën të modernizojnë në të gjitha drejtimet QSUT-në që vazhdon të jetë drejtuese e mjekësisë sonë, do të modernizohet dhe i gjithë sistemi mjekësor.


