Bisedoi: Denisa Canameti
Çështja e testimit të infermierëve dhe mjekëve një diskutim i ditës. Qëndrime më shumë kundër sesa pro dhe kundërshtia më e madhe vjen nga radhët e bluzave të bardha të cilët e shikojnë testimin si formë cenimi dhe denigrimi.
Persona brenda administratës së QSUT-së gjejnë argumente pro testimit duke e parë atë më tepër si vlerësim sesa testim për të ngelur e për të hequr njeri nga puna. Moza Kalaja, specialiste e edukimit në vazhdim të infermierëve, argumenton për lexuesin e gazetës “Shëndet+” qëndrimin e saj pro testimit si dhe tregon sesi qëndrojnë marrëdhëniet me Urdhrin e Infermierit.
Moza, çfarë do të thotë të jesh infermiere në Shqipëri?
Të jesh një infermier në Shqipëri është një gjë shumë e madhe, shumë e madhe për ata që punojnë në këtë profesion. Por nga ana tjetër është një punë absolutisht e pavlerësuar deri tani. Ne përballemi nga 24 orë në 24 për çdo problem që ka pacienti. Ne kujdesemi për këta pacientë në të gjitha aspektet e mundshme. Në aspektin fizik, në aspektin psikologjik dhe në aspektin social. Kjo do të thotë të jesh infermier. Një punë e bukur për t’u bërë, një punë e madhe dhe e pavlerësuar.
Në çfarë gjendje e shikoni sistemin infermieror sot dhe kush është përgjegjës për këtë situatë të krijuar në këtë sistem?
Për këtë gjendje të sistemit infermieror sot bëj drejtpërdrejt përgjegjëse sistemin e kaluar 8-vjeçar, kohë kur infermieria mori një rrëshqitje shumë të madhe për poshtë. Të gjitha projektet pozitive për infermierinë gjatë kësaj periudhe filluan të minimizoheshin, të mos bëheshin më, infermieri pati një rrëshqitje pingul dhe shkuam gati nën zero.
Po sot, në 1 vit e gjysmë nga kjo ministri Shëndetësie çfarë është bërë?
Nëse do t’i referohem punës së QSUT-së pa përfshirë spitalet e tjera është bërë një punë shumë e madhe në lidhje me infermierët, me anë të trajnimeve të ndryshme. Kemi punuar me mënyrën sesi infermierët duhet të punojnë me pacientët, sesi infermierët duhet të presin pacientët. Është bërë një trajnim shumë i madh kokë më kokë me të gjitha infermieret që të kenë një tjetër mënyrë sjelljeje me pacientët. Të presin pacientët siç e kërkojnë standardet mjekësore.
Kemi filluar të masim performancën e çdo shërbimi në pavion. Deri tani nga 80 shërbime kemi bërë kontroll në gati 30 shërbime ku kontrollohet e gjithë puna menaxhuese e kryeinfermieres, mënyrës sesi ajo menaxhon këtë shërbim infermieror në shërbimin e saj.
Në çfarë rezultatesh keni dalë?
Gjatë edukimit që kemi bërë me infermieret për gjestet teknike, nëse do t’i referohem nga tema e parë në temën e fundit, ku pothuajse janë përfshirë gati 800-900 infermierë të QSUT-së gabimet kanë ardhur duke u përmirësuar. Kështu del një infermiere dhe demonstron duke vënë një perfuzion, punën që bën ajo ne e diskutojmë të gjithë në grup. Kjo ishte gabim, kjo ishte mirë dhe pastaj mbetet një dokument në dorë i shkruar që mbetet si një dokument për infermieret. Gabimet edhe justifikohen, sepse po punojmë me struktura shumë të vjetruara ku një infermiere punon me një fluks shumë të madh pacientësh në një punë shumë të rëndë. Si për shembull në nefrologji ku në të gjithë katin e nefrologjisë me 45 të sëmurë mund të qëndrojnë pasdite vetëm 2 infermiere.
Nëse do të bëni një kategorizim të infermiereve sipas përgatitjes. Ka infermierë të paaftë në QSUT?
Si në çdo profesion, ka të aftë dhe të paaftë, ka të shkëlqyer, ka dhe që mundohen por kaq mundësi kanë për të dhënë. Mundësitë kanë qenë shumë të pakta në këto 8 vitet e fundit që infermierët t’i bashkohen edukimeve, trajnimeve, si pjesë e stafit të edukimit në vazhdim shikoj një interes të jashtëzakonshëm të infermiereve për të marrë pjesë në këto trajnime.
Ne trajnimet i kemi shtrirë edhe tek rrethet, të spitalet rajonale deri në Kosovë. Shkëmbejmë dhe eksperienca, kemi patur edhe konfrontime të vogla, që ne nuk e dinim kështu por kështu.
Thatë që, ashtu sikur në çdo profesion tjetër, ka të aftë dhe të paaftë, si mund ta bëjmë diferencën midis tyre?
Është shumë e thjeshtë. Njerëzit janë bërë kaq skeptikë, janë ngritur sikur po ndodh ndonjë çudi e madhe. Brenda një shërbimi një kryeinfermiere e di fare mirë sesi një infermiere e saj punon. Sepse ajo shikon nëse puna e kësaj infermiereje ecën mirë, nëse nuk ka asnjë ankesë nga pacienti, nuk ka ndonjë komplikacion. Në rast të kundërt, nëse kemi një komplikacion, bëjmë një analizë se çfarë ndodhi me të. Ne kemi një testim që realizohet nëpërmjet vëzhgimeve që bën çdo kryeinfermier në shërbimin e tij. Vlerësimi duhet të jetë shumë objektiv, korrekt dhe i analizuar deri në detaje. Kemi dhe dhe vlerësime me të shkruar. Kemi një formular që e kemi pas aplikuar. Këto gjëra janë bërë dikur kur ne vlerësonim nëpërmjet një formulari me pikë se si kjo infermiere ka performuar gjatë një viti dhe këtë punë e bën kryeinfermierja e shërbimit. Por e bën edhe vetë infermierja një autovlerësim. Kështu e dimë se ku jemi. Për të ditur se ku është kjo infermiere, nëse ka probleme me teknikën dhe duhet të mbetet në nivelin bazë apo është shumë mirë në nivelin bazë, njeh mirë teknikën dhe duhet te avancojë më shumë, të merret me edukimin terapeutik të pacientit apo duhet të merret me një teknikë më të specializuar. Këto gjëra ndodhin gradualisht. Ne ua kemi kërkuar kryeinfermierëve si e bëjnë vlerësimin e infermiereve të tyre në punë. Dhe ne si staf i adminitratës në QSUT kemi ndërhyrë nëpërmjet një formulari që të kontrollojë punën e infermierëve.
E kujt është detyra e testimit të infermierëve?
Në këtë rast meqenëse kemi hedhur një projekt për të bërë kategorizimin e infermierëve sigurisht që kjo duhet të bëhet në nivel institucional. Dhe përveç ministrisë kush duhet ta bëjë. Unë gjithmonë dua të them. Është krejtësisht tjetër gjë testimi i mjekëve dhe krejtësisht tjetër gjë provimi i infermiereve nga provimi i mjekëve.
Mjekët deri tani kanë ecur me kategorizime kanë bërë specializime , janë bërë trajnime, kanë bërë vetë apo shteti nuk di të them. Por ata janë të ndarë mjek i thjeshtë, mjekë familje, profesorë, mjek doktor etj.
Kjo në infermieri nuk ndodh. Ne kemi infermiere me titull “Doktore e shkencave” dhe ne jemi këtu akoma duke diskutuar për teknikat bazë të sjelljes dhe të komunikimit. Jemi shumë mbrapa.
Po thoni që testim është bërë gjithmonë?
Duhet të ndajmë në koncept fjalën testim nga vlerësim.
Ministria e Shëndetësisë po kërkon testim, që është tjetër gjë…
Pse mos të ketë një herë të parë?! Mora vesh që në një spital privat të gjithë infermieret ishin testuar vetëm për larjen e duarve, me një fletë dhe me një laps në dorë.
Ndërkohë në QSUT nuk ka as sapun… A nuk do të ishte më mirë se përpara se të testohen, t’u ofrohen kushtet?
Kanë ndryshuar gjërat.
Nuk mohojmë dot që nuk ka mangësi, mjekët nëpër ambientet ku kryejnë konsultat nuk kanë as gjënë minimale, as dorezat…
Kanë ndryshuar shumë gjëra. Edhe kjo është. Do të bëj nje paralelizëm tjetër: Shpeshherë dëgjojmë të thonë: Ne e dimë si bëhet. Ose gjatë vëzhgimeve ne kapin probleme dhe ata reagojnë: e di e di që kështu bëhet, por e bëra nga shpejtësia. Është pikëpyetja e madhe, e di teorikisht por nuk po e bëj dot në praktikë. Nuk është vetëm mangësia në kushte, por janë shumë gjëra. Është çështje organizimi, është çështje strukture, janë shumë faktorë që ne na bëjnë që infermieret të mos e zbatojnë qoftë edhe protokollin e larjes së duarve.
A nuk do të ishte më mirë që të vendosnim dorë tek këto protokolle, te burimet njerëzore, te kushtet, para se të kërkojmë testim?
Pa bërë një testim, si do të vëmë dorë?
Po ne i dimë mangësitë që kemi…
Si mund të ndërmarrësh nisma të reja pa bërë një vlerësim apo një testim të situatës..?
Me Presidentin e Urdhrit të Infermierit, a keni biseduar? Keni pasur ndonjë takim lidhur me çështjen e testimit?
Ai herën e parë ai u shpreh se ishte pro. Është një temë e gjatë për t’u bërë për Urdhrin e Infermierit është pikërisht ky person që në çdo konferencë ai ka ngritur zërin dhe ka thënë infermiere të paafta. Jam përballur me të shumë ashpër. Jemi shumë të indinjuar nga ky person që ka pasur mundësi me aq shumë fonde që fut në Urdhrin e Infermierit, me kuotat e 16 mijë infermierëve që paguhen aty. Ai për këto vite pune duhet të kishte bërë edukim të infermierëve në mënyrë të vazhdueshme dhe ne nuk do të ishim në këtë gjendje.
Një nga arsyet se pse ne jemi sot në këtë gjendje, është vetë ky sektor që nuk po funksionon siç duhet. Këtë e them me kompetencën me të madhe.
Pse mendoni që Urdhri del kundër, a nuk do të ishte dhe në interesin e tij që infermierët të testohen?
Unë mendoj që do të anashkalojë përgjegjësitë. Përse duhet ky testim? Ky nuk është testim për infermierët. Sepse nuk është për të hequr nga puna . Ky është një testim që të kuptojmë se ku jemi dhe se cilët janë përgjegjësit e këtij niveli.
Nuk ka vend për panik as për frikë se kjo do të cenojë vendin e punës. Këtë e them me sigurinë më të madhe. Ky test tremb shumë njerëz. Nën skutat e tyre nuk duhet të tremben infermierët, por Fakulteti i Infermierisë që prodhon këto infermiere të një niveli kaq të ulët. Kjo ndodh sepse në atë fakultet thonë që janë 300 pedagogë dhe një staf shumë i vogël infermierësh. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që mjekët të japin mësim për infermierët. Prandaj infermieria është një hendek kaq i madh.
Çfarë keni bërë ju tre vjet? Keni prodhuar këta infermierë, janë testuar edhe nga Urdhri i Infermierit dhe rezultojnë 75% mbetës. E kuptoni se pse tremben këta nga testimi.
Ky fakultet prodhon infermierë duke u mësuar nga mjekët. Praktikat në shkolla që duhet të bëjnë studentët, janë të cunguara. Vijnë ata që janë në stazh vetëm marrin firmën dhe ikin.
Jeni pak a shumë në një linjë me atë që Urdhri i Infermierit, thotë studentët nuk marrin shkollimin e duhur, nuk bëjnë praktikën e duhur. Pra, pse të mos forcohen këto struktura që të kemi më pas një produkt të mirë?
Nëpërmjet testimit, nëpërmjet edukimit, këtë do të bëjmë, do të përpiqemi që të forcojmë strukturën. Nuk është parë në asnjë vend të botës se si Urdhri i Infermierit i merr këto infermiere për testuar praktikën e tyre me një laps dhe një letër në dorë dhe ishim ne që duke ngritur zërin, ndryshuam diçka. Një drejtues i mirë duhet të ketë një vizion shumë të gjërë.
Nëse infermierët tregojnë performancë të dobët në testim, do të penalizohen?
Jo, kjo është shumë e sigurt. Ne thjesht duhet të ngremë strategji të reja.
Si e shikoni klimën e përgjithshme?
Më vjen keq që mjekët flasin në emër të infermierëve. Infermierët kanë thënë që ne nuk kemi frikë nga testimi. Nuk mund të pretendoj që kam kontaktuar me të gjithë infermierët por kam komunikuar me një grup shumë të madh të cilët duan pyetje korrekte dhe të jenë të asimilueshme.
Po marr një pyetje: Cila nga brinjët 1,3 apo 8-ta është apatike? Nëse nuk e gjen infermieri këtë përgjigje, nuk di ta gjejë, kjo nuk cenon pacientin.
Por nëse pyetja është: Pacienti ka nja frakturë në x brinjë, cila do të ishte mënyra jote për ta pozicionuar këtë pacient? Këtu e ndihmoj apo e cenoj pacientin. Duhet të jemi të qartë në një gjë.
Në radhë të parë do të testohet ai grup që do të formulojë pyetjet. Nëse do të ketë kontestime nga infermierët, do të ketë masa. Në testimin e infermierëve do të testohen ata që formulojnë pyetjet dhe për herë të parë falë Zotit nuk do të jenë mjekët që do të hartojnë pyetjet, por vetë infermierët. Për infermierët dhe kjo është një gjë e mirë. Në mësimdhënie unë tmerrohem nëse nxënësit e mi ngelin, sepse është faji im.
Në këtë testim po testohen të gjithë, edhe vetë Ministria e Shëndetësisë. Do të testohet edhe Urdhri i Infermierit në mënyrën më maksimale për atë që licencon, sepse ka licencuar dhe rezulton që infermierët të bëjnë gafa të tmerrshme që nuk dua të përhap panik, po ndonjëherë të zë tmerri të biesh në dorë të tyre. Do të testohet stafi drejtues i sektorit të infermierisë në QSUT, që nuk ka marrë asnjë gjë përsipër për të bërë diçka për të bërë trajnime. Nuk është qëllimi për t’i hequr nga puna, sepse ata kanë vlera, çdonjëri prej tyre ka mësuar diçka në terren sikur edhe me një vit punë. Nuk është qëllimi që t’i heqim. Qëllimi është që të përmirësojmë diçka. Po testohet edhe stafi drejtues i QSUT-së a dinë të drejtojnë, a dinë të menaxhojnë, a dinë të survejojnë, a ka një analizë logjike etj.
Këtë do ta quaja vlerësim jo testim. Testimi është një laps dhe një letër dhe ti merr një notë. Ti ose ngel, ose kalon, ose del shkëlqyeshëm. Në këtë testim nuk ka mbetës. Ka nivel. Kjo më ndihmon për nesër që të bëj kategorizimin.
Ne do të vendosim standarde në shëndetësi. Mua nuk më shqetëson testimi i infermierit, por më intereson perceptimi që këto kanë për shërbimin infermier.
Nëse ju më pyesni mua a është i nevojshëm testimi i mjekëve unë nuk kam asnjë të drejtë që ta them këtë. Dhe kush flet që s’është mjek në emër të mjekëve për mua bën shumë gabim. Çfarë ndryshon? Gjithë bota e bën testimin e infermierëve. Ne duhet ta adoptojmë këtë testim për shqipërinë se nuk e bëjmë dot si gjithë bota.
Domethënë pyetjet do t’i hartojmë vetë, se është folur për një model amerikan?
Jo, pyetjet janë të përshtatura për Shqipërinë, nuk do të marrim modele, janë ato që kanë mësuar. Unë e kam thënë që të kemi kujdes se nuk po testojmë një student infermierie, por po testojmë një infermier që ka 10 vjet e më shumë punë dhe që mund të jetë shumë herë më e aftë se ato që po përpilojnë këto pyetje.


