TFL: “Ajër i pastër në Tiranë. Më shumë ecje, biçikleta dhe transport publik”

Denisa Canameti, Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+

“Ajër i pastër në Tiranë. Më shumë ecje, biçikleta dhe transport publik”. Kjo ishte tema e trajnimit që zhvilloi sot shoqata “Together for life” me gazetarë që mbulojnë çështjet e mjedisit dhe përfaqësuesve të organizatave joqeveritare. Ky trajnim u zhvillua në kuadër të projektit “Achieve”, që financohet nga Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe zbatohet nga REC Shqipëri.

Qëllimi i trajnimit ishte rritja e njohurive të pjesmarrësve lidhur me ndryshimet e reja ligjore përsa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit nga ndotja e ajrit, prezantim i kuadrit ligjor dhe ndryshimeve të akteve nënligjore që rregullojnë ndotjen e ajrit në Shqipëri.

Eglantina Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for life”, në fjalën e saj përshëndetëse për pjesëmarrësit shpjegoi midis të tjerash rëndësinë e informimit për çështjet që lidhen me ajrin, si dhe u fokusua kryesisht në ndikimin e ajrit në shëndet: “Të gjithë e njohim problematikën e cilësisë së ajrit. Veçanërisht për Tiranën që është e mbipopulluar”, u shpreh Bardhi.

Menjëherë pas saj fjalën e mori specialistja e mjedisit Valbona Mazreku, e cila shpjegoi në mënyrë të detajuar politikat e BE-së dhe legjislacionin në sektorin e cilësisë së ajrit, ligjin shqiptar për menaxhimin e integruar të cilësisë së ajrit, situatën aktuale, strukturat kryesore përgjegjëse, rolin e sektorëve të ndryshëm si dhe vështirësitë e zbatimit të politikave kombëtare dhe lokale.

“Ndotja e ajrit është një problem thelbësor dhe i rëndësishëm që lidhet me shëndetin publik. Disa ndotës, në veçanti, ndotja nga lëndët e ngurta pezull në atmosferë (PM), janë përgjegjës për rritjen e vdekshmërisë dhe prekshmërisë, në mënyrë parësore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore”, u shpreh Mazreku në fjalën e saj.

Mazreku u ndal edhe në detyrimet kryesore të RSH në këtë kuadër, ku midis të tjerash theksoi hartimin e politikave për përmirësimin e cilësisë së ajrit, inventarin  kombëtar vjetor të shkarkimeve në ajër si dhe përcaktimin e tavaneve kombëtare të shkarkimeve në ajër.

Sa u përket politikave kombëtare të cilësisë së ajrit gjatë viteve 2014- 2016, janë ndërmarrë disa nisma ligjore që lidhen me cilësinë e ajrit  të mjedisit dhe në përputhje të plotë me direktivat e BE:

  • VKM nr. 594, datë 10.09.2014, miratoi Strategjinë Kombëtare të Cilësisë së Ajrit të Mjedisit dhe
  • Ligjin nr. 162/2014, datë 04.12.2014 “ Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit të mjedisit”. Ligji hyn në fuqi në dhjetor 2017.
  • VKM nr 352/2015 “Për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit dhe kërkesat për disa ndotës në lidhje me të”, u miratua në datë 29.04.2015.

Gjithashtu janë në proces miratimi 4 akte nënligjore, që synojnë parandalimin e efekteve negative mjedisore nga shkarkimi i përbërësve organikë të avullueshëm nga disa produkte, si: bojëra, tretës, benzina dhe disa aktivitete industriale që i përdorin këto produkte.

Për sa u takon sfidave për të ardhmen që synojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit urban, Mazreku përmendi miratimin dhe zbatimin e plotë të standardeve evropiane të cilësisë së ajrit urban dhe të  shkarkimeve në ajër, miratimin dhe zbatimin e planeve të veprimit të cilësisë së ajrit në nivel kombëtar dhe lokal, konsolidimin e sistemit kombëtar të monitorimit sipas standardeve evropiane, forcimin e zbatimit të legjislacionit vecanërisht mbi kontrollin e shkarkimeve nga automjetet, shkarkimet industriale, cilësinë e lëndës djegëse etj.

Në përfundim u theksua rëndësia e investimit në edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, për të ndikuar kështu në sjelljen individuale në përdorimin e transportit alternativ./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Luftoni depresionin me këtë frut!
Rrathët e errët nën sy: Kur janë normale dhe kur fshehin një problem shëndetësor?
U dhunua nga ish-bashkëshorti, 25-vjeçarja shtatzënë i jep fund jetës
Prokuroria e Tiranës nis hetimet për ‘Rejsi Farma’, dyshohet për abuzime me rimbursimet dhe hedhje në treg të barnave të skaduara
Kur duhet të merrni magnez që të jetë vërtet efektiv?
Dhimbje koke në mëngjes: Çfarë mund ta shkaktojë dhe si ta trajtojmë
Temperaturat në rritje çojnë në më pak lindje djemsh?! Ja çfarë thotë studimi
Studimi: Mjetet e AI mund të ndihmojnë në kontroll më të saktë të kancerit të gjirit