TFL fiton betejën gjyqësore për fëmijët me probleme të rënda dëgjimi

Gjykata konstaton diskriminim e të miturit me shurdhësi të rëndë në dëgjim dhe urdhëron ndreqjen e pasojave shëndetësore.

Shoqata Together for life, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, ka ndjekur në rrugë gjyqësore çështjen e të miturit G. L., i cili është diagnostikuar me ”Hypoacusia billateralis profonda, surdomutisim”, ose shurdhësi e rëndë në të dy veshët. Çdo vit në Shqipëri llogaritet që lindin rreth 20-30 fëmijë me probleme të rënda të dëgjimit.

Në dokumentet mjekësore të lëshuara nga Shërbimi O.R.L, i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, është përcaktuar domosdoshmëria për vendosjen kirurgjikale të Implantit Koklear tek i mituri G. L., si e vetmja mundësi për korrigjuar problemin në dëgjim. Moskryerja e ndërhyrjes kirurgjikale për vendosjen e Implanit Koklear në një kohë sa më të shpejtë, sipas Mjekëve specialistë sjell pasoja të rënda për mundësinë e dëgjimit tek i mituri.

Me VKM nr. 308, dt. 21.05.2014, “Për miratimin e paketave të shërbimeve shëndetësore që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në shërbimin spitalor”, në fuqi që në muajin Qershor 2014, paketa e Implantit Koklear ofrohet falas për shtetasit që plotësojnë kushtet shëndetësore për përfitimin e saj.

Megjithatë, deri tani paketa e shërbimit shëndetësor të Implantit Koklear nuk është bërë efektive në asnjë rast për shkak se, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka siguruar pajisjen e Implantit Koklear, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza“, Tiranë nuk ka kryer vlerësimin paraprak të gjendjes shëndetësore të të miturit G. L. dhe ndërhyrjen kirurgjikale për vendosjen e pajisjes ndërsa Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk ka financuar, administruar dhe monitoruar ofrimin e falas paketës të kësaj pakete.

KShH, me dosjen e përgatitur nga shoqata “Together for Life”, iu drejtua Gjykatës administrative me Kërkesë-padi, me anë të së cilës kërkoi konstatimin e diskriminimit të të miturit G. L., në formën e “Mohimit të një përshtatjeje të arsyeshme”, ndreqjen e pasojave përmes kryerjes së veprimeve administrative për sigurimin dhe vendosjen e Implantit Koklear tek i mituri dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar nga mosvendosja e pajisjes së Implantit Koklear.

Më 10.04.2018, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë shpalli vendimin me të cilin pranoi se nga mosveprimi i institucioneve të mësipërme shëndetësore është shkaktuar diskriminim i të miturit G. L., ka urdhëruar vendosjen e pajisjes së Implantit Koklear tek i mituri dhe shpërblimin e dëmit të llogaritur në masën 6 838 590 lekë.

Kjo çështje gjyqësore është ndjekur në kuadër të Projektit “Përmirësimi i situatës të të drejtave të njeriut në Shqipëri, nëpërmjet forcimit të Shtetit të së Drejtës” (Klinika Ligjore XII), mbështetur financiarisht nga Civil Rights Defenders.

 

Postime të ngjashme

Kastraveci, përfitimet shëndetësore të kësaj perimeje verore
"Babai im vdiq nga melanoma", Analisti: Nga diagnoza e gabuar te trajtimi që i kushtoi jetën
Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën