TFL organizon: “Pedalo për në punë, për një qytet më të pastër”

Elena Beta, gazeta “Shendet +”

“Ajër i pastër në Tiranë: më shumë ecje, biçikleta dhe transport urban”.

Ky ishte mesazhi i përcjell sot në ditën Ndërkombëtare “Pedalo për në Punë” gjatë aktivitetit të organizuar nga Shoqata “Together for Life”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorimin e mjeteve alternative, si ecja në këmbë, biçikletat dhe transporti urban, si një nga faktorët kontribuues në ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Drejtoresha e shoqatës “Together for Life”, Eglantina Bardhi gjatë fjalës së saj përshëndetëse, falënderoi pjesëmarrësit duke theksuar se të gjithë ne duhet të japim kontributin tonë.

“Ajri është ‘pronë’ e të gjithëve, askush nuk bën përjashtitm. Të gjithë duhet të kontribuojmë për ta pasur atë më të pastër, duke përdorur sa më shumë biçikletën dhe lënë makinën në shtëpi”.

“Tirana është një qytet me 300 ditë diell, me një reliev të sheshtë dhe nuk kemi asnjë arsye për të mos përdorur biçikletën. Ndotja në Tiranë ka rënë me 15 %. Është ende larg standardeve të BE-së, por imagjinoni sa mund të shkojë nëse numri i pedaluesve dhe i qytetarëve që përdorin transport publik vazhdon të rritet”.

Kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj gjatë fjalës së tij përshëndetëse në aktivitetin e organizuar nga shoqata Together for Life “Marshim me biçikleta për një mjedis më të pastër”.

Ndërkohë, ambasadori i Suedisë, z. Johan Ndisi i pranishëm në këtë aktivitet e vuri theksin tek përfitimet e pedalimit.

“Të gjithë ne që jemi sot këtu, kemi diçka të përbashkët: dashurinë për biçikletat si mjet transporti. Përgjatë rrugëtimit tim si ambasador këtu në Shqipëri, jam përpjekur të vizitoj shumë zona të qytetit duke përdorur biçikletën. Benefitet e të përdorurit të biçikletës mund të them se janë shumë: mund të kemi një mjedis të pastër, jetë të shëndetshme. Në një qytet me trafik të rënduar, biçikleta mund të konsiderohet si “simbol i lirisë”. Sa më shumë e përdor biçikletën, aq më shumë kurajo i jep Bashkisë të ndërtojë më shumë korsi biçikletash, duke kthyer kështu çiklizmin në Tiranë të lehtë dhe të sigurt”.

E pranishme në aktivitet ishte dhe ambasadorja e Holandës në Shqipëri, znj. Devi van de Weered, e cila theksoi se ka zgjedhur të përdorë  biçikletën për të qenë në formë dhe e shëndetshme.

Ekspertët holandezë që kemi sjellë në Shqipëri, kanë parë klimën në këtë vend dhe na kanë thënë se në Shqipëri ndjehet fryma e hershme e një tradite biçikletash, jo vetëm në tiranë por dhe në rrethe, prandaj është detyrë e gjithsecilit të shërbejë si ambasador për të promovuar lëvizjen me biçikleta e cila jo vetëm ul ndotjen por siguron dhe shëndetin. Unë nga përvoja ime mund të përmend se kur isha në Holandë, çoja gjithmonë fëmijët në kopsht me biçikletë duke i bërë të ndjehen të lirë dhe të sigurt.

Eduard Cani, përfaqësues i Qendrës Rajonale të Mjedisit REC, u shpreh se Qytetarët e Tiranës e kanë shansin dhe vullnetin për t’u bërë miqësorë me biçikletën, si një nga mjetet më të shëndetshme të udhëtimit.

“Unë besoj se një qytet ka bërë shumë për qytetarët e vet, atëherë kur qytetarët e vet identifikohen me qytetin. Kështu që qytetarët e Shqipërisë mund të identifikohen me krenari me qytetin e  tyre. Ata kanë ndërgjegjësimin e duhur për ta bërë këtë qytet të pedalojë”, vijoi Cani.

Të pranishëm në aktivitet ishin dhe nxënësit e shkollës Sami Frashëri, Aleks Buda dhe kolegji “Turgut Ozal”, të cilët pedaluan duke u sensibilizuar në ditën Ndërkombëtare “Pedalo për Punë”.

Aktiviteti u mundësua nga programi #ACHIEVE, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me mbështetjen financiare të European Union in Albania./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Këto 8 ushqime mund të ulin rrezikun e goditjes në tru
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026