Tragjedi në maternitetin ‘Koço Gliozheni’, vdes nëna dhe foshnja. Familjarët: Na sorollatën nga një spital në tjetrin

maternitet

Blertina Koka / Shendeti.com.al

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në maternitetin “Koco Gliozheni”. Një nënë 35 vjeçare dhe foshnja e saj kanë ndërruar jetë në maternitetin ‘Koço Gliozheni’.

Familja nga Paskuqani akuzon mjekët se e kanë sorollatur gruan shtatzënë nga një spital në tjetrin. Sipas familjarëve, mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” nuk i kanë bërë asnjë analizë dhe asnjë eko por e kanë çuar në QSUT dhe Sanatorium për zemrën dhe mushkëritë.

“Mbrëmë ka shfaqur komplikacione, tension, këputje dhe dhimbje. Pati komplikacione në shtëpi. E morëm me makinë e sollëm me urgjencë, as 10 minuta nuk mbajti rruga. As semaforët nuk i kemi respektuar. E zbritëm nga makina dhe e çuam në urgjencë. Ishte e mbyllur me kyç, pritëm 20 minuta për t’u hapur. Kunata ime nuk kishte as ku të ulej, s’kishte as stol, kishte të vjella. Infermierja merr doktoreshën dhe i thotë hajde se kam një paciente dhe nuk i duroj dot të vjellat. Pas 30 min vjen mjekja dhe një doktor. E fusin brenda e pyesin. I thotë që kishte dhimbje në krahun e majtë. Thanë që është për QSUT”, tregon kunati i të ndjerës për “News 24”.

Pasi i kanë bërë analizat e zemrës tek QSUT dhe i kanë matur tensionin, gruaja është dërguar në Sanatorium pasi dyshohej për ftohje. Edhe atje i kanë bërë analizat dhe ka rezultuar mirë. Pasi e kanë sorollatur nga njëri spital në tjetrin, e ndjera është dërguar sërish në maternitet për të lindur fëmijën.

“Vijmë sërish tek materniteti rreth orës 2 të mëngjesit. Kemi ardhur këtu me ambulancë, me oksigjen dhe me shoqërues doktoresha e Sanatoriumit. Kemi ndenjur 20 minuta me ambulancë me dyer të hapura, sepse nuk kishte barelë, nuk kishte njerëz, nuk kishte spitali oksigjen. Thoshin e kemi lart dhe për të marrë oksigjenin i duhej 20 minuta. E futëm brenda, pas 2 orëve ka ardhur kirurgu”, tregon kunati.

Sipas tij, gruaja është futur në operacion në 5 të mëngjesit.

“Mjekët na thonë se fëmija është i vdekur, të shpëtojmë nënën. Bënë dhe ekon, pas 8 orësh dhe zbuluan se fëmija kishte vdekur dhe thanë të shpëtojmë të madhen. Është futur në 5 në sallë dhe në 5 e 20 ajo ka vdekur, ndoshta pa e prekur doktorët me operacion. Doktorët na e komunikuan në 6 e ca kur ajo kishte 1 orë që kishte vdekur”, përfundon rrëfimin kunati i të ndjerës.

Burime nga QSUT bëjnë me dije për gazetën “Shendet+” se gruaja është dërguar nga materniteti në QSUT në gjendje të rëndë, gjë që nuk është normale, pasi ajo ishte në muajin e nëntë dhe ishte gati për të lindur. Sipas tyre, drejtuesit e maternitetit duhet të kontaktonin kardiologun dhe jo të transportohej gruaja shtatzënë nga një spital në tjetrin.

Mësohet se pas ngjarjes drejtuesit e këtij materniteti kanë mbledhur mjekët e këtij spitali për të diskutuar mbi këtë rast që përfundoi me vdekjen tragjike të nënës dhe fëmijës së saj.

Postime të ngjashme

Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 mënyra për të mbajtur kockat tuaja të forta pas moshës 50 vjeç
5 arsye pse pjeshkët nuk duhet të mungojnë në dietën tuaj