Blertina Koka / Shendeti.com.al
Kunati i 35-vjeçares që ndërroi jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” akuzon mjekët e spitalit për neglizhencë. Gruaja është dërguar në maternitet pasi kishte shfaqur komplikacione, tension, këputje dhe dhimbje.
Sipas tij, ata kanë pritur për rreth 25 minuta të hapej urgjenca për t’i dhënë ndihmën e parë, por gjithçka ka shkuar në mënyrë tragjike, jo vetëm duke humbur foshnjën, por edhe gruan 35-vjeçare. Mjeku kirurg, thotë ai, ka ardhur me dy orë vonesë, dhe kjo vonesë në ndërhyrje i kushtoi jetën nënës së re.
“Mbrëmë ka shfaqur komplikacione, tension, këputje dhe dhimbje. Pati komplikacione në shtëpi. E morëm me makinë e sollëm me urgjencë, as 10 minuta nuk mbajti rruga. As semaforët nuk i kemi respektuar. E zbritëm nga makina dhe e çuam në urgjencë. Ishte e mbyllur me kyç. Pritëm 25 minuta për t’u hapur. Kunata ime nuk kishte as ku të ulej, s’kishte as stol, kishte të vjella. Infermierja merr doktoreshën dhe i thotë hajde se kam një paciente dhe nuk i duroj dot të vjellat. Pas 30 min vjen mjekja dhe një doktor. E fusin brenda e pyesin. I thotë që kishte dhimbje në krahun e majtë. Thanë që është për QSUT. Shkojmë atje, bëjmë analizat dhe zemra doli shumë e pastër. Ata dyshuan për ftohje të lehtë më pas. Komplikacionet nisën mbrëmë në maternitet”, tregon kunati i të ndjerës.
Një ndër shkaqet e mundshme të vdekjes së 35-vjeçares gjatë lindjes dyshohet të jetë edhe mungesa e oksigjenit në Maternitet.
“Kemi ndenjur 20 minuta me ambulancë me dyer të hapura, sepse nuk kishte barelë, nuk kishte njerëz, nuk kishte spitali oksigjen. Thoshin e kemi lart dhe për të marrë oksigjenin i duhej 20 minuta. E futëm brenda, pas 2 orëve ka ardhur kirurgu”, tregon kunati.
Policia dhe Prokuroria po verifikojnë tërësinë e rrethanave që çuan në ngjarjen tragjike, por edhe gjendjen teknike të të gjitha pajisjeve spitalore dhe elementëve që lidhen me ndihmën mjekësore të pacienteve./ https://shendeti.com.al/

