Transplanti kushton? Po jeta e njeriut sa kushton?

Arben Ivanaj, hematolog

Zhvillimi i transplantit zhvillon mjekësinë, zhvillon laboratorët, zhvillon fakultetin e mjekësisë. Është detyra e çdo shteti që të implementojë shërbime të tilla. Pavarësisht debateve të herëpashershme shtet-privat, them se ka ardhur koha t’i jepet fund. Në çdo vend transplantin e bën shteti. Në të gjitha kohërat, zbulimet dhe zhvillimet e mëdha janë bërë në shërbimet publike.

Jeta e njeriut shpetimi mbrojtja kushton

Bëhet shpeshherë pyetja se përse nuk bëhet? Ku ngec e gjitha? Te buxheti? Te paaftësia e mjekëve? Mund të kuptoj se problemi sot nuk është tek asnjë prej këtyre pikave të lartpërmendura. Gjërat nuk bëhen, sepse nuk ka vullnet të bëhen. Duhet thënë se është e vështirë që të bëhet, që të aplikohet në praktikë, por që është e mundur.

Problemet tona janë edhe modelet e gabuara që ndjekim.

Ka modele të dështuara. Arsyeja se përse vende të Bashkimit Evropian po fundosen nga kriza financiare, ndodh pikërisht për shkak të ndërtimit të modeleve të gabuara. Këto duam t’i ndërtojmë edhe ne sot në vendin tonë. Këtë model kemi 15 vjet që e ndërtojmë. Modeli i gabuar, ku me lekët e publikut financojmë 1 apo 2 individë apo kompani, apo mekanizma të funksionimit që çojnë në vetëshkatërrimin e të gjitha financave. Modeli që kemi implementuar, është modeli që ka çuar në shkatërrimin e shëndetësisë në disa vende të Bashkimit Evropian. Ne preferojmë të ndjekim modelin e gabuar.

Për t’iu rikthyer çështjes së transplantit. Transplanti zhvillon shkencën e mjekësisë, zgjat jetën e njerëzve dhe u jep shpresë njerëzve që janë të pashpresë. Përveç transplantit të veshkës që u tranferua nga shteti në privat, nuk bëhet asnjë lloj tjetër transplanti. Çfarë pasojash ka? Është njësoj si të mos përdorësh ilaçin  e duhur. Po nuk e përdore të duhurin, pacienti përkeqësohet. Transplanti ka filluar si model në fund të viteve ’70. I bie që të sëmurët të trajtohen siç trajtoheshin në vitet ‘50 në Evropë.

Sa kushton transplanti? Po jeta e njeriut sa kushton?

A është efikas? Ka shembuj ku transplanti ka qenë efikas dhe këta njerëz duhet të vijnë dhe të japin eksperiencën e tyre, duhet të flasin. Disa prej tyre janë edhe njerëz publikë.

Këtu kemi njerëz të aftë për ta bërë këtë punë. Këmbëngulet që nuk kemi zhvillimin e duhur. Pse nuk e kemi zhvillimin e duhur? Iku një brez. Kur do bëhet? Nuk do ia lëmë gjithnjë fajet një sistemi që ka kaluar. Kanë kaluar vite.

Ata që kishin në dorë që të bëhet zhvillimi i shëndetësisë, nuk e lejuan që të bëhet. Pse ndodh kjo?

Pretendimit që shëndetësia ka shumë probleme të tjera para se të shkojë deri te transplanti, nuk qëndron. Problemet nuk mbarojnë kurrë. Njësoj si në jetë. Kemi rrobat që veshim në përditshmëri, por blejmë edhe një veshje tipike për raste të rëndësishme.

Kemi buxhet, kemi njerëz, nuk kemi dëshirë.

Për çfarë duhet transplanti?

Nëse do të trajtosh sëmundjet e gjakut, kancerin e  gjakut, duhet transplanti. Kush ka mundësi financiare shkon jashtë, kush nuk ka, ka jetë më të shkurtër.

Shpeshherë akuzohemi ne mjekët që nuk ngremë zërin. Ku ta ngremë zërin? Një ndër qëllimet e atyre që kanë në dorë gjërat apo të politikës në përgjithësi (nuk është çështja të politizojmë problemin) është se shtyjmë njerëzit të flasin derisa të na diskretitojnë edhe të folurit.

Ne i shpikim vetë modelet. Mbi bazën e vullnetit të unit.

Megjithatë, them se progresin nuk e ndalon asgjë. Nga ana filozofike, progresi nuk ndalohet asnjëherë. Edhe nëse dikush nuk do ta mbajë timonin, do të jetë vetë anija që do dalë në breg.

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit