Tre mijë persona në vend e shesin gjakun

Esido Barkaj

Instancat shëndetësore, si dhe shoqatat e ndryshme vullnetare shpeshherë përmes medias kanë apeluar për dhurime gjaku në mënyrë që të përballohet fluksi i kërkesave nga të gjitha rastet që paraqiten në spitalet e vendit. Edhe pse është folur shumë për këtë temë, asnjëherë nuk është arritur rezultati i kërkuar. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, personat që e kanë të nevojshme herë pas here transfuzionin e gjakut, siç janë talasemikët, rrezikojnë të infektohen me sëmundje si sifilizi apo HIV/AIDS, pasi laboratori ka nevojë për investim që të arrijë të kapë nëse një gjak i dhuruar është i infektuar. Kështu u shpreh për gazetën “Shëndet+”, Erind Cafi, shefi i pavionit të dhurimit të gjakut. Sipas tij, rreziku që një person që merr gjak të infektohet qëndron gjatë “periudhës dritare”.

Erind CafiSi paraqitet situata në bankën e dhurimit të gjakut?

Aktualisht situata është në gjendje të mirë pasi kemi pasur kërkesa për dhurime vullnetare dhe mund të them që deri diku arrijmë të mbulojmë kërkesat që vijnë nga spitalet apo dhe nga talasemikët. Vlen për të theksuar se është periudha e vitit që kemi një fluks dhurimesh. Ndërkohë këto dhurime gjatë muajve të verës bien, pasi pjesa më e madhe e dhuruesve vullnetarë janë universitetet apo dhe institucionet e tjera që organizojnë dhurime vullnetare.

Cila kategori dhuron më shumë gjak?

Aktualisht pjesa më e madhe të dhurimeve janë familjare që do të thotë që këta familjarë  japin gjak për të afërmin e tyre. Më pas vijnë dhurimet vullnetare veçanërisht për talasemikët. Por kemi edhe një kontigjent të vogël me pagesë që normalisht pritet të minimalizohet.

Në verë kemi rritje të aksidenteve automobilistike dhe situata e tanishme a e përballon fluksin që mund të ketë në muajt e ardhshëm?

Nuk mund të themi me saktësi në këto momente që flasim pasi gjaku për përdorimin e tij ka një afat të caktuar (3-mujor). Do të ishte e mirë që qytetarët të sensibilizohen dhe të dhurojnë dy herë në vit. Atëherë ne do të kishim një mjaftueshmëri për gjakun.

Sa është gjendja e dhurimeve të gjakut për një vit?

Mesatarisht janë deri në 28 mijë dhurime gjaku. Por mosha e të rinjve janë më të sensibilizuar për të dhuruar gjak.

Sa persona e shesin gjakun?

Në të gjithë vendin janë rreth 2 apo 3 mijë.

Talasemikët shpeshherë ankohen që ka mungesë të qeseve të gjakut. Si paraqitet situata?

Jo mungesë. Siç të thashë, është e vështirë gjatë muajve të verës. Jo çdo gjak i dhuruar mund t’i përshtatet një personi të caktuar. Në disa struktura të rralla ne gjejmë edhe vështirësi në gjetjen e gjakut. Kjo nuk do të thotë që kanë ngelur pa transfuzion.

Si kontrollohet gjaku i dhuruar?

Ne bëjmë një intervistë dhe një vizitë personit që kërkon të dhurojë gjak. Kemi disa parametra që personi dhurues duhet t’i përmbushë gjithmonë. Nëse ai i përmbush, atëherë futet në dhurim. Më pas gjaku analizohet nga laboratori. Nëse del i vlefshëm, atëherë shpërndahet në pavionet përkatëse.

Cilat janë analizat që i bëhen gjakut të dhuruar?

Ne bëjmë sifiliz, HIV AIDS, Hepatit B dhe C.

Ka pasur raste kur gjaku i dhuruar rezulton i prekur nga këto sëmundje?

Sigurisht që ka. Ne nuk e parandalojmë dot.

Sa raste mund të paraqiten me gjak të infektuar në vit?

Një shifër ekzakte nuk mund t’ju jap, por ka. Njerëzit nuk e dinë, sepse ata që e dinë, nuk vijnë për të dhuruar.

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj