Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Tryezë e rrumbullakët: Përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në punë në Ballkanin...

Tryezë e rrumbullakët: Përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në punë në Ballkanin Perëndimor

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Në kuadër të projektit rajonal me temë “Drejt Përmirësimit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Rajonin e Ballkanit”, Qendra për të Drejtat në Punë CLR.AL, në partneritet me shoqatën Together for Life dhe GADC, kanë organizuar një tryezë të rrumbullakët, me partnerët socialë, përfaqësues institucionesh, përfaqësues sindikatash, biznesesh etj. Ky takim prodhoi një sërë diskutimesh, sugjerimesh dhe rekomandimesh të rëndësishme për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas programit, Znj. Eneida Mjeshtri, përfaqësuese e Qendrës  për të Drejtat në Punë, CLR.AL, prezantoi projektin “Drejt Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Ballkanin Perëndimor”, si dhe foli për qëllimin e tryezës.

“Tryeza synon të hedhë dritë mbi situatën aktuale dhe perspektivën e sigurisë dhe shëndetit në punë, duke shqyrtuar gjetjet paraprake të studimit që Qendra për të Drejtat në Punë ka ndërmarrë përmes vështrimit të institucioneve kryesore të politikëbërjes dhe monitorimit të legjislacionit të punës dhe partnerëve socialë për sa i përket Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”.

“Qëllimi është që të vendosim dhe të sjellim zërat teknik, zërin e atyre që i njohin praktikat, që e dinë ku çalojnë ato dhe si t’i përshtasim”, tha Mjeshtri, e cila gjithashtu moderoi aktivitetin.

Znj. Plejada Gugashi, përfaqësuese e Olof Palme International Center, në fjalën e saj përshëndetëse foli lidhur me rëndësinë e forcimit dhe përmirësimit të bashkëpunimit rajonal në kuadër të sigurisë dhe shëndetit në punë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Siguria dhe shëndeti në punë është një komponent i rëndësishëm i mbrojtjes sociale. Aksidentet në punë, por edhe shqetësimet e tjera shumë serioze që lidhen pikërisht me këtë (sigurinë dhe shëndetin në punë),  janë të njëjta për të gjitha vendet e Ballkanit.

“Të ndajmë praktikat më të mira, të diskutojmë me partnerët rajonalë për të mësuar me njëri-tjetrin”, u shpreh znj. Gugashi, e cila e konsideroi këtë tryezë fillimin e një diskutimi afatgjatë.

Përfaqësuesi i Qendrës për të Drejtat në Punë – CLR, Z. Edison Hoxha prezantoi gjetjet paraprake të studimit të ndërmarrë nga CLR lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë në Shqipëri, si dhe ftoi të gjithë të pranishmit për diskutime të cilat do të vinin si kontribut për plotësimin e këtij studimi.

Prezantimi ishte përqendruar në disa çështje, si:

Gjendja në fushën e shëndetit dhe sigurisë në nivel kombëtar; Strategjia dhe korniza rregullatore për SSHP; Roli i partnerëve socialë në hartim/ implementim / rishikim të kuadrit legjislativ rregullator; Sistemi i inspektimit të punës në institucionet inspektuese; Masat administrative ndaj subjekteve; Protokolli i inspektimit; Statistika të aksidenteve në punë (duke specifikuar burimin : ISHPSHSH, 2017); Klasifikimin gender për punëmarrësit e aksidentuar; Klasifikim sipas llojit të aktivitetit ekonomik; Shkaqet kryesore të aksidenteve; Mbrojtjen e të aksidentuarve; Rekursi i aksidenteve në vite; Përputhshmëria e listës kombëtare të sëmundjeve profesionale në listën e ILO-s së sëmundjeve profesionale; si dhe gjetjet të cilat konsistonin në:

  • Shkrirja e Ministrisë udhëheqëse dhe përgjegjëse për zbatimin e politikave të punës të “Dokumentit politik për Sigurinë dhe Shëndetin në punë 2016-2020-n” dhe shpërndarja e fushave të saj të veprimit në disa ministri të tjera sjell vështirësi në vijimësinë e zbatimit të këtij dokumenti dhe amulli institucionale.
  • Mungesa e një sistemi bashkëkohor statistikash duke shfrytëzuar burime informacioni të integruar të të gjitha Autoriteteve përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e ligjit ‘Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë’.
  • Mungesa e një autoriteti zyrtar shëndetësor për klasifikimin e punëmarrësve të diagnostikuar apo të prekur nga sëmundje profesionale, e cila sjell një boshllëk të madh në të gjithë sistemin SSHP-së, si në nivel ndërmarrje ashtu dhe në kontrollin shtetëror.
  • Funksionimi joreal dhe fiktiv i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në nivel ndërmarrje apo sektori.
  • Mospozicionimi i duhur i mjekut të ndërmarrjes në sistemin e SSHP –së, duke dhënë kontribut konkret dhe jo vetëm formal, si një nga të punësuarit e tjerë të subjektit.

 

Këto gjetje u diskutuan përgjatë aktivitetit si dhe u konsultuan jo vetëm me përfaqësuesit e sindikatave por edhe me përfaqsuesit e institucioneve shëndetësore, në tryezë.

Znj. Eda Beqiri, përfaqësuese e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Përgjegjës në Sektorin e Sigurimeve Shëndetësore solli një panoramë të situatës së sigurisë dhe shëndetit në punë në këndvështrimin e ISHPSHSH. Znj. Beqiri jo vetëm që pasqyroi një situatë krejtësisht reale por mbajti edhe qëndrimin e saj si profesioniste për disa çështje, si për shembull: inspektimi on line.

“Risi e ligjit për “Sigurinë dhe Shëndetin në Punë” është “Dokumenti i vlerësimit të riskut”, tha znj. Beqiri. Gjithashtu ajo u ndal edhe tek efektiviteti i këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Konstatohet rritje e pranisë së këshillave të sigurisë dhe shëndetit në punë por lë për të dëshiruar efektiviteti i tyre. A ekzistojnë apo janë vetëm në letra?! Në Fakultetin e Mjekësisë gjithashtu mungon profili i mjekut të punës. Kabineti i sëmundjeve profesionale është i pangritur.

“Mungon lëvizja sindikaliste nëpër subjekte. Punonjësit nuk e dinë se çfarë janë këshillat e sigurisë.”

Ndërkohë, sa i takon inspektimit online, sipas znj. Beqiri ka ulur cilësinë e inspektimeve. Në përmbyllje të fjalës, përfaqësuesja e ISHPSHSH ka kërkuar të bëhet analizë e ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe të plotësohet me akte nënligjore.

Këtë qëndrim, lidhur me inspektimet online, ka mbajtur edhe z. Hamit Çota, drejtor për Sigurinë në Punë dhe Standardet Teknike, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera. Ai solli si shembull praktik inspektimet në zona ku mungon infrastruktura minimaliste për implementimin lehtësisht të kësaj risie. Gjithashtu, z. Çota solli në vëmendje se “jemi i vetmi shtet që kemi hequr nga struktura Ministrinë e Punës. Problem ligji i inspektimeve i cili ka mbivendosur institucione burokratike, që spostojnë,  zhveshin natyrën e vërtetë të institucionit”.

Znj. Eralda Mariani, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pjesë e kësaj tryeze, foli gjatë për ligjin “Siguria dhe shëndeti në punë”. Në fjalën e saj, znj. Mariani u shpreh se ky ligj ka të bëjë me garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes të shëndetit të punëmarrësve, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eliminimit të faktorëve që përbëjnë rrezik dhe aksident, informimin, konsultimin, pjesëmarrjen e balancuar si dhe trajnimin e formimin e punëmarrësve e përfaqësuesve të punëmarrësve në përputhje me legjislacionin përkatës. Qëllimi i këtij ligji është të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eliminimit të faktorëve që përbëjnë rrezik dhe aksident, informimit, këshillimit, pjesëmarrjes së balancuar, në përputhje me ligjin, formimit të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre si dhe të përcaktojë udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e këtij qëllimi.

Situata e sigurisë dhe shëndetit në punë në këndvështrimin e partnerëve socialë, u konsiderua që në krye të herës si mjaft e rëndësishme për të hartuar praktika sociale. Z. Gëzim Kalaja, president i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ( BSPSH),  organizatë vullnetare gjithëkombëtare e themeluar për të realizuar përfaqësimin e punonjësve shqiptarë në mbrojtje të interesave të tyre social ekonomike, solli të dhëna të rëndësishme të cilat sipas tij administrohen nga sindikata e Minatorëve të Shqipërisë.

“Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë është një ligj i avancuar. Por sa zbatohet?!

“Që pas 1946-s, kur filloi shfrytëzimi konstant i nëntokës shqiptare, janë 528 aksidente me pasojë vdekjen dhe mbi 1800 aksidente. Të dhënat janë nga Dokumenti i Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë. Profesioni i minatorit është ndër më të vështirët. Të ngrihen Komitete të Sigurimit Teknik. Ka rigjallërim të situatës së minierave në Shqipëri.”

Kol Sinjari, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Projektet, Biznes Albania, tha se për sigurinë dhe shëndetin në punë ka njohje të dobët. Një nga aktivitet është sondazhi me 404 kompani lidhur me problematikat e biznesit.

Situata dhe perspektiva e sigurisë dhe shëndetit në punë në Serbi u pasqyrua nga Jovana Pantovic, përfaqësuese e “Center for Democracy Foundation”.

“Sfidë e përbashkët është përqindja e lartë e punës informale. Për rrjedhojë, jo vetëm që këta punonjës janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe aksidenteve, por nuk regjistrohen as të dhënat.

Shoqatat dhe sindikatat mund të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë dhe shëndetin në punë, advokimin për të drejtat. Asnjë ligj nuk mund të sjellë ndryshim nëse nuk respektohet.

Nuk ka regjistër të të dhënave të aksidenteve në punë”, tha Pantovic.

Erblin Hajdini, Menaxher Projekti, Peer Educators Network- PEN, foli për situatën dhe perspektivën e sigurisë dhe shëndetit në punë në Kosovë.

“Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë është miratuar dhe po implementohet”, tha Hajdini. Ai gjithashtu foli për praktikat që po zbatohen në Kosovë, si dhe u shpreh se do të përcillte eksperiencat e fituara gjatë asaj tryeze për sa i takon listës së sëmundjeve profesionale.

Takimi u përmbyll me një sërë diskutimesh nga të pranishmit.

Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë drejt përmirësimit të respektimit të të drejtave në punë në rajonin e Ballkanit, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në të drejtën për siguri dhe shëndet në punë, e parë kjo në perspektivën e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shtyllave të të Drejtave Shoqërore të Bashkimit Evropian.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here